Po bie me të madhe vlerësimi për Vuçiqin në Evropë: Banjska në mesin e tri detajeve që po e fundosin presidentin serb
Edhe pse regjimi në Serbi mburret se po vlerësohet shumë dhe se ka mbështetjen e pa rezervë të qytetarëve, jashtë kufijve të shtetit serb reputacioni i Aleksandar Vuçiqit kurrë nuk ka qenë më poshtë se aktualisht.
Asnjë nga partnerët perëndimorë dhe zyrtarët e lartë nuk e kanë harruar sulmin terrorist në Banjskë, por as fakti që Serbia, përveç Bjellorusisë, është i vetmi vend në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj regjimit në Moskë.
Që nga 17 dhjetori ka lindur edhe problemi i zgjedhjeve, e cila gjë ka rikthyer sërish “vëmendjen” drejt regjimit të presidentit serb, pasi përveç opozitës edhe vëzhguesit vendas dhe të huaj kanë qenë dëshmitar që zgjedhjet nuk ishin të “pastra” dhe të rregullta, shkruan nova.rs.
Sulmi terrorist në Banjskë ende po e ndjek regjimin në Beograd. Edhe pse sulmi i armatosur në veri të Kosovës ndodhi më 24 shtator, shumë pikëpyetje mbeten të pazgjidhura, ndërsa opinioni ende po spekulon se çfarë ka ndodhur.
Edhe pse qeveria po e harron qëllimisht rastin, sa herë që shkojnë diplomatë dhe zyrtarë të lartë nga SHBA-ja apo Bashkimi Evropian në Beograd apo bisedojnë me Vuçiqin, po ia rikujtojnë se po presin përfundimin e hetimeve për Banjskën.
Për organizim dhe veprimtari operative është akuzuar ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, por hetimet janë ende në vazhdim. Prokuroria nuk është marrë më në detaje me këtë temë, ndërkohë që qeveria përsërit me këmbëngulje se institucionet po bëjnë punën e tyre.
Në të njëjtën kohë, Perëndimi pret reagimin e atyre institucioneve, sepse dikush duhet t’i përgjigjet pyetjes se nga ka ardhur arsenali i armëve në rrethinën e Manastirit të Banjskës, së bashku me serbët e shumtë që padyshim po përgatiteshin për aksion.
Radoiçiqi si arriti të futet i armatosur në manastir, si nuk e kanë detektuar “radarët” e forcave të sigurimit serb bartjen e armatimit dhe a i ka ditur Beogradi të gjitha këto? Këto janë disa nga pyetjet për të cilat të gjithë presin një përgjigje.
Para Banjskës, dy presione kyçe të politikës së jashtme janë adresuar për çështjen e Kosovës dhe sanksionet ndaj Moskës. BE-ja shpesh i kujton Serbisë se nuk ka vendosur ende sanksione ndaj Rusisë, edhe pse për shkak të rrugës formale evropiane, do të duhej të pajtohej me vendimin e BE-së që vendosi sanksione ndaj regjimit të Vladimir Putinit pothuajse dy vjet më parë shkaku i pushtimit të Ukrainës.
Në anën tjetër, çështja e Kosovës është me interes për SHBA-në dhe BE-në, e cila është konstante e të gjitha administratave në Uashington dhe Bruksel.
Fakt është se Brukseli nuk i bëri shumë presion Beogradit për t’i vendosur sanksione, por nuk do të se kanë harruar.
Më në fund, pas Banjskës u zhvilluan zgjedhjet, të cilat opozita i konteston për shkak të parregullsive të shumta, ndërsa partnerët ndërkombëtarë janë njoftuar për të gjitha detajet që nga 17 dhjetori dhe do të shqyrtojnë nëse duhet të vendosen masa ndaj Serbisë.
Ndryshe, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë për zgjedhjet në Serbi, me të cilën kërkohet një hetim ndërkombëtar ndërsa Komisioni Evropian kërkon që nëse vërtetohet vjedhja e zgjedhjeve, të ndërpriten fondet e Bashkimit Evropian për Serbinë.
Rruga Press