“Po bëhet realitet”, Kosova nis themelimin e Bankës Zhvillimore
Në Programin e Qeverisë 2021-2025, është dhënë zotimi për krijimin e Bankës Zhvillimore të Kosovës, me qëllim të mbështetjes së sektorit privat. Deri tani ajo ende nuk është bërë. Mirëpo, tash gati krejt në fund të qeverisjes, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka paralajmëruar se mund ta bëjnë realitet themelimi i saj.
Krijimi i bankës zhvillimore e cila do të mbështeste sektorin privat dhe promovimin e investimeve, e pati dhënë kryeministri Albin Kurti, në kuadër të Programit të Qeverisë 2021-2025.
Mirëpo, 4 vjet pas, Qeveria nuk ndërmori asnjë hap lidhur me krijimin e kësaj.
Tash kur kjo qeveri gati është në fund të mandatit, ka paralajmëruar se themelimi i kësaj banke po bëhet realitet.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në takimeve vjetore të Bankës Botërore, ka paralajmëruar se Banka Zhvillimore po bëhet realitet.
Murati përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se kjo temë është diskutuar me Bankën Botërore e cila do të mbështet krijimin e Bankës Zhvillimore me një projekt rreth 50 milionë euro.
“Banka Zhvillimore po bëhet realitet! Njëra nga temat e diskutuara me Bankën Botërore gjatë takimeve vjetore në Washington DC, ishte edhe mundësia e mbështetjes nga ana e tyre për themelimin e Bankës Zhvillimore të Kosovës. Mbështetja nga Banka Botërore parashihet të vijë në kuadër të projektit për avancimin e sektorit financiar në Kosovë, projekt i cili pritet të kap vlerën rreth 50 milionë euro”, ka shkruar Murati.
Më tej, ai ka shpjeguar rolin e Bankës Zhvillimore në ekonominë kosovare.
“Banka Zhvillimore do të mundësojë financimin e projekteve zhvillimore si dhe mbështetjen e sektorëve strategjikë siç janë energjia e ripërtërishme, prodhimi dhe eksporti, bujqësia etj. Qeveria për zhvillim të qëndrueshëm”.
E për këtë lajm, reagoi deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila nuk beson se do të bëhet Banka Zhvillimore.
Ajo tha se deri më 9 shkurt, datë për mbajtjet e zgjedhjeve, shumë gjëra do të bëhen në Facebook, duke aluduar se praktikisht nuk do të ndodhë krijimi i Bankës Zhvillimore.
“Pas ”Fondit Sovran” bëhet edhe ”Banka Zhvillimore”.Mbahuni fort se prej sot deri me 9 shkurt shumë gjana kanë me ndodhë në facebook”.
Ajo që dihet është se Banka Zhvillimore do kishte për detyrë që të ndihmojë sektorin privat dhe do të promovonte investimet.
“Banka Zhvillimore do të jetë mekanizëm për mbështetjen e sektorit privat dhe promovimin e investimeve. Ajo do të jetë komponenti kreditues, që do të financohet nga paratë publike dhe shitja e letrave të borxhit, duke investuar në degë të caktuara të industrisë, që krijojnë vende pune dhe përmirësojnë bilancin tregtar.” thuhet në planin e qeverisë.
Ekonomistët dhe njohësit e fushës kishin shprehur kritika nëse Banka Zhvillimore është e nevojshme për ekonominë e vendit. Mbetet të shihet nëse ky premtim i Qeverisë Kurti i bërë gjatë kohës së fushatës zgjedhore më 2021 do të mbahet.
Bankat Zhvillimore është bankë që shtetet e krijojnë për të mbuluar hendekun e nevojave të investimeve afatmesme dhe afatgjata në sektorë të ndryshëm. Këto institucione nuk janë zëvendësim për institucionet financiare, por duhet të shikohen më shumë si plotësuese në arkitekturën financiare të shtetit, të cilat mund të ofrojnë financim shtesë për nevojat sektoriale. Investimet e llojit të kësaj banke tentohet të jenë në infrastrukturë apo në ato sektorë ku vërehet deficiti i investimeve të cilat mund të kufizojnë rritjen ekonomike brenda vendit apo rajonit. Banka të tilla ka në Kroaci, Slloveni, Hungari, Danimarkë./Revista Monitor
Rruga Press