Po abuzohet me rritjen e çmimeve, janë shtrenjtuar dhe produktet që nuk importohen nga vendet në luftë
Me pretekstin e luftës në Ukrainë prej javësh qytetarët shqiptarë janë ndeshur me çmime tejet të larta, të zorshme për t`u përballuar nga ekonomitë e tyre.
Por shoqatat e mbrojtes së konsumatorëve thonë se në tregje ka abuzime të mëdha.
Ndjeshëm janë rritur edhe ato produkteve që nuk importohen nga vendet në konflikt.
“Ka një rritje të madhe të çmimit të produkteve që importohen nga vendet e BE apo të tjera që nuk janë pjesë e Lindjes. Orizi, sheqeri kanë një rritje të madhe.”
“6 grosistë janë ata që furnizojnë Shqipërinë, importojnë rreth 80% të produkteve ushqimore në Shqipëri. Këta i bëjnë ato marrëveshjet e fshehta, të padukshme, pa informacion te konsumatori dhe vendosin çmimin aq sa ata e shohin të arsyeshme, duke përfituar nga situata, duke spekuluar mbi çmimin.”
Por përveç çmimeve, abuzime ka edhe me peshën.
Bukën shqiptarët e blejnë më shtrenjtë por pesha ka mbetur e njëjtë.
“Nuk kemi asnjë standard për peshën, gjithmonë e blinim bukën 80 lekë dhe mendonim se është 800 gramë, nuk ka qenë 800, mund të ketë qenë 700.”
“Vjedhje me peshën, vjedhje me çmimin, do të thotë vjedhje dy herë për atë që është produkti kryesore në tavolinat shqiptare.”
Hasan Stafa, drejtor i Qendrës për Mbrojten e Konsumatorëve thotë se për 40% të popullsisë çmimet janë të papërballueshme.
Në dyqane janë shtuar blerjet me listë.
“Shumica kanë filluar me lista, duke marrë borxhe, kredi të vogla për ta përballuar por situata nuk dihet sa zgjat prandaj duhet ndërhyrja e shtetit, prandaj duhet Autoriteti i Konkurrencës”.
Granit Sokolaj, ekspert në këtë fushë, përveç apelit për më shumë kontroll nga institucionet sugjeron uljen e TVSH-së për produktet bazë të shportës.
“Kishte një iniciativë për rishikimin e TVSH për produktet e shportës, për ta bërë sa e ka rajoni të paktën, 6 apo 8% dhe jo 20%.”
Për të mbajtur nën kontroll çmimet që rriten dita-ditës qeveria ka ngritur dy borde, të cilat përveç propagandës duket se nuk ndihmojnë në lehtësimin e situatës./ora/
Rruga Press