KryesoreLajme

“Piramida” e mikro-kredive/ Skema me pesë hapa që zhyti financiarisht mijëra shqiptarë

Nga Boldnews.al

Në mesin e tetorit të vitit 2019, mbi 100 thasë të zinj u lanë të braktisur në hollin e Ministrisë së Drejtësisë, në Tiranë. Personi që i kishte lënë aty, i identifikuar si Gentian Kamberi, nuk dinte të thoshte se çfarë kishte brenda atyre thasëve, por vetëm se ai ishte pajtuar që të dorëzonte ngarkesën.

Një grup pune i Ministrisë së Drejtësisë hapi thasët dhe brenda tyre gjendeshin mijëra faqe dokumenta, llogari bankare, kontrata kredie, vendime gjyqësore e përmbarimi.

Praktikisht, brenda atyre thasëve ishin fatet e mijëra familjeve, të cilat, siç tregoi një hetim i përfunduar së fundmi nga Prokuroria e Tiranës, kishin rënë pre e asaj që dyshohet si një nga skemat më të rënda mashtruese në dy dekadat e fundit.

Në këtë histori janë përfshirë institucione financiare jo-bankare e përmbarues, ndërkohë që shigjetat janë drejtuar edhe në majën e piramidës financiare, në Bankën e Shqipërisë.

“Micro Credi Albania” dyshohet nga Prokuroria e Tiranës si pjesë qendrore e skemës abuzive me mikro-kreditë

Prokuroria e Tiranës ka zhvilluar dy hetime paralele për skemën e mikro-kredive. Në njërin prej tyre, prokurori Leonard Filopati ka ngritur dyshime për rolin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në këtë skemë dhe ia përcolli për kompetencës Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion.

Ndërkohë, prokurorët Ndini Tavani dhe Arben Agovi kanë shqyrtuar rolin e atyre që konsiderohen si ekzekutorë të skemës mashtruese.

Në kuadër të këtyre hetimeve, me kërkesë të dy prokurorëve, gjykata e Tiranës caktoi masat e arrestit në burg për për shtetasit Aldo DakaAlbert GegaEdmond Mato, dhe Arben Meskuti.

Ndërkohë, u caktua masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetaset Kejda Seferi, Elda IbroAlketa Tanushi, Alban Kote dhe Jorsida Dervishi.

Zbulimi i skemës

“Boldnews.al” ka konsultuar vendimin e gjykatës së Tiranës, në të cilën prokurorët kanë zbërthyer skemën e mashtrimit, me një dëm, i cili llogaritet në mbi 7 milionë euro.

Në Shtator të vitit 2019, Ministria e Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Përmbarimit ngritën një grup pune për të administruar dosjet e përmbaruesve privatë, të cilët u ishte hequr licensa për shkelje të ndryshme.

Ky proces administrativ zbuloi fakte dhe te dhëna për cënimin e interesave financiare të mijëra personave nga veprimtaria e paligjshme e 3 shoqërive përmbarimore, një institucioni financiar jo-bankar, një zyrë avokatore, një noteri dhe disa persona të tjerë.

Pas këtyre gjetjeve, Ministria e Drejtësisë dorëzoi kallëzim penal ndaj subjekteve “Micro Credit Albania”, “ADCA”, “SHP Zig”, “FS”, FLASH”, si edhe administratorëve të tyre.

Një hetim i thelluar, i cili kërkoi kohë për shkak të veprimet tejet specifike, krijoi bindjen se gjithçka është ndërtuar mbi një skemë mashtruese, e zhvilluar në disa hapa.

Hapi i parë; Blerja e kredive të këqija

Në Gusht të vitit 2015, shoqëria “Micro Credit Albania (MCA) nënshkruan një kontratë me “Procredit Bank” për blerjen e portofolit të kredive të këqija, të cilat i rëndonin prej vitesh bilanceve të Bankës. Çmimi për blerjen e kredive të këqija ishte në vlerën 450 mijë euro.

Të dhënat mbi kontratat për blerjen e kredive të këqija

Në vijim, në janar 2016, mes dy palëve, nënshkruhet një aneks kontrate, në të cilën “Procredit Bank” dorëzon tek “MCA” një total prej 3999 kredi të këqija, për një shumë prej 7.3 milionë euro, bashkë me dokumentacionin përkatës dhe të dhënat e kredimarrësve.

Nga ky moment, nis zbatimi i asaj që Prokuroria e Tiranës e konsideron si skemë zhvatjeje.

Hapi i dytë: Blej kredi për shlyerje kredie

Lexo më shumë  SHBA, Kievi dhe aleatët, refuzojnë ofertën e Putinit për armëpushim

Prokuroria e Tiranës ka identifikuar një numër të lartë qytetarësh që kanë rënë prej e mashtrimit nëpërmjet kësaj skeme, ndërkohë që në kërkesën e saj për masë sigurie drejtuar Gjykatës ka cituar raste tipike.

Shtetasi Tomor H. kishte marrë dy kredi pranë “Procredit Bank” në vitet 2006 dhe 2008, në total 350 mijë lekë. Ai nuk kishte shlyer shumën prej 95.400 lekë dhe banka mori nga gjykata e Tiranës urdhërin e ekzekutimit, në vitin 2008.

Prej asaj kohe, Tomor H. nuk kishte arritur të shlyente detyrimin. Dosja e tij kaloi në dispoozicion të “MCA”, kur ajo bleu në vitin 2015 kreditë e këqija nga “Procredit Bank”.

Në shtator 2015, përmbaruesja e zyrës “STAR”, Jorsida Dervishi, njofton kreditorin Tomor H. për shlyerjen vullnetare të detyrimit.

Në Tetor 2015, debitori është thirrur në zyrat e “Micro Credit Albania”, ku i është ofruar që të marrë një kredi në shumën 122.300 lekë, me qëllim për të shlyer detyrimet e mëparshme dhe veprimet përmbarimore.

Menjëherë pas këtij veprimi, përmbaruesja Dervishi ka vendosur pushimin e ekzekutimit, pasi është shlyer totalisht detyrimi i mëparshëm.

Por, Tomor H. hyri në një rreth vicioz, pasi atij tashmë i duhej të paguante një kredi të re, të marrë tek “MCA”. Një kredi, e cila sipas hetimeve të Prokurorisë së Tiranës, është dhënë në kushtet e mashtrimit.

Kjo për faktin se “Micro Credit Albania” sh.p.k, ka qenë në dijeni të pamundësisë financiare të likuidimit nga ana e debitorit Tomor H…Referuar akteve dhe deklarimeve provohet se vjedhja është kryer ne kushte e mirëbesimit, duke mashtruar subjektet se me marrjen e kredisë tek MCA për të likujduar kredinë e mëparshme do të kishin kushte lehtësimi në pagesën e kësteve. Ky fakt, më vonë, nuk ka rezultuar i tillë, por ka rënduar akoma edhe më shumë gjendjen financiare të subjektit debitor”, thuhet në dosjen e prokurorisë.

Prokuroria thotë se “MCA” i joshte me mashtrim klientët për të marrë kredi

Në një rast tjetër, zyra përmbarimore “FS”, e cila gjithashtu bashkëpunonte me “MCA”, ka konstatuar se debitori Hysni T. kishte 4465 ditë pa shlyer kredinë që kishte marrë tek “Procredit Bank”. Për këtë kredi, gjykata e Tiranës kishte lëshuar urdhërin e ekzekutimit në janar 2003.

Pasi dosja e Hysni T. kaloi në dispozicion të “MCA”, përmbaruesja Jorsida Dervishi ka lëshuar vendimin e ekzekutimit të titullit, megjithëse ky urdhër ishte parashkruar, për shkak të kalimit të afati 10-vjeçar nga vendimi i gjykatës.

Pasi nuk janë mjaftuar me vënien ne ekzekutim te një titulli, cili kishte përmbushur afatin e parashkrimit, kreditori është futur ne një qerthull të rritjes së detyrimit, nëpërmjet një kredie te re të marrë pranë “MCA”.

Praktika si këto që janë trajtuar më sipër, në dosjet përmbarimore objekt hetimi janë në një numër te konsiderueshëm”, thuhet në materialet e Prokurorisë së Tiranës.

Hapi i tretë; Kamatë-vonesat e fryra

Prokuroria e Tiranës ka konstatuar se shoqëritë përmbarimore dhe përmbaruesit që kanë bashkëpunuar me “MCA” kanë aplikuar kamatë vonesa për debitorët në vlerat nga 2%-8%, në kundërshtim me ligjin.

Përmbaruesit kanë aplikuar kamatë vonesa, duke iu referuar disa ndryshimeve ligjore të vitit 2016, për vendime gjyqësore të marra shumë vite para këtyre amendimeve.

Urdhrat e ekzekutimit objekt hetimi dhe për të cilët ishte përdorur kjo “kamatë” në shumicën e tyre ishin lëshuar në vitet 2005-2006-2007-2008-2009-2010-2011-2012, 2013, 2014, 2015, deri ne 3 nëntor 2016”,- thuhet në aktet e Prokurorisë- ndërkohë që ndryshimi ligjor për aplikimin e kamatës 2%-8% ka hyrë në fuqi më vonë.

Lexo më shumë  Osmani nga Samiti për Ukrainën: Do ta ndajmë tregimin e Kosovës – nga zero në model të demokracisë
Prokuroria konstaton se debitorët janë ngarkuar me penalitete (kamatë-vonesa) të paligjshme

Sipas prokurorëve, kjo shkelje ligjore është pasur me një dëm shumë të lartë ekonomik në dëm të shtetasve.

Për këto shkelje, Prokuroria e Tiranës ngarkon me përgjegjësi përmbaruesen K. S., dhe administratorët e shoqërive përmbarimore “Star – FS”, Aldo Daka, Albert Gega e Edmond Mato, si dhe shtetësia Elda Ibro, administratore e shoqërisë MCA (Mikro Kredit Albania).

Hapi i katërt: Sekuestrimet abuzive

Hetimet e prokurorëve Tavani dhe Agovi kanë zbuluar abuzime të shumta nga shoqëritë përmbaruese të përfshira në këtë skemë, edhe me vendimet për sekuestron e pasurive të debitorëve.

Hetimi ka zbuluar se përmbaruesit kanë vënë në sekuestro pasuri, me vlerë shumë herë më të lartë se sa detyrimi i qytetarëve, si edhe kanë përfshirë në asete të bllokuara edhe ato që u përkasin personave të tretë.

Debitori Asllan L. kishte mbetur pa shlyer shumën prej 350 mijë lekë ndaj bankës “Procredit”. Për këtë detyrim, gjykata e Tiranës kishte lëshuar urdhërin e ekzekutimit në vitin 2007.

Pasi portofoli i kredive të këqija të kësaj banke blihet nga ‘MCA”, kjo e fundit angazhon shërbimin përmbarimor ‘Star” për të gjetur zgjidhje për pagesën e detyrimit.

Zyra përmbarimore vendos nën sekuestro 14 pasuri të paluajtshme të llojit “arë” të debitorit, për një sipërfaqe totale prej 15.600 metra katrorë, për një detyrim të pashlyer prej 350 mijë lekë.

Në një rast tjetër, zyra përmbarimore ‘FS” ka vendosur nën sekuestro një sipërfaqe totale “arë” 10.162 metra katrorë, për ekzekutimin e një detyrimi të debitorit Bajram K. të një shume prej vetëm 30 mijë lekë të reja.

Në vijim, përmbarimi i vendos nën sekuestro rreth 10 mijë metra katrorë tokë “arë” shtetasit Sadik Ç., i cili rezulton debitor në regjistrat e ‘MCA” për shumën 70 mijë lekë të reja.

Në rastin më skandaloz, përmbaruesja Jorsida Dervishi vendos sekuestro mbi disa pasuri me sipërfaqe totale 216 mijë metra katrorë të debitorit Vehtim K., i cili rezultonte “borxhli” tek regjistrat e kompansisë “MCA” për vetëm 1.2 milionë lekë të reja.

“Veprimet e ish-përmbaruesit kanë shtrirë sekuestrot konservative ndaj pasurive të debitorit, për një total prej 216 509 m2 ose 22 Hektarë, minimalisht sa 500-fishi i detyrimit që është vetëm 1 267 160 lekë”, thuhet në dosjen e prokurorisë së Tiranës..

Hapi i pestë: Zhdukja e dosjeve përmbarimore

Kur skandali i mikro-kredive po dilte në skenë, ish-përmbaruesit nuk pranuan të dorëzonin dosjet, siç konstatohet në hetimet e Prokurorisë.

Një pjesë e këtyre dosjeve u ngarkuan në thasë dhe “u braktisën” në hollin e Ministrisë së Drejtësisë në datat 14 dhe 16 Tetor 2019. Por, shumë të tjera nuk u dorëzuan.

Prokuroria konstaton se përmbaruesit kanë aplikuar sekuestro abuzive ndaj pronave të debitorëve

Siç thuhet në aktet hetimore, “Nga kryqëzimi i të dhënave, kanë rezultuar një numër shumë i larte dosjesh përmbarimore të pa dorëzuara. Si nga hetimi i Prokurorisë, ashtu  edhe nga të dhënat e raportit të Grupit të Punës të Ministrisë së Drejtësisë, evidentohen, të paktën 4 944 dosje/çështje përmbarimore që janë ende të pa dorëzuara nga ish-përmbaruesitArben Meskuti, Alban Kote, Aldo Daka, Jorsida Dervishi, Alketa Tanushi, Kejda Seferi, Albert Gega, Edmond Mato dhe Elda Ibro dhe të shoqërive “Shërbimi Përmbarimor ZiG”, “Shërbimi Përmbarimor STAR/FS” dhe “Shërbimi Përmbarimor FLASH”, thonë prokurorët.

YouTube player