Sport

Pikë shprese për Lazio, Strakosha më i vlerësuari ndaj Marseja, mirë edhe Hysaj

Në shtëpinë e Lazio festojnë por jo plotësisht, pika e marrë në transfertë përballë Marseja, i mban në lojë, kapen fort pas vendit të dytë, por në dy ndeshjet e fundit kërkohen 6 pikë të plota, për të shpresuar në vendin e parë në Grupin E, aktualisht pronë e Galatasaray.

Në Velodrome gjithçka përfundoi në barazim 2-2, Milik në të 33-tën, kaloi marsejezët në avantazh nga pika e bardhë e penalltisë por në limitet e pjesës së parë, Anderson barazoi shifrat në 1-1.

Me fillimin e pjesës së dytë, Ciro Immobile përmbysi rezultatin duke kaluar Lazio në avantazh por në minutën e 82-të, Payet barazoi shifrat në 2-2.

Titullarë dhe 90 minuta në fushë për Lazion zbritën dy legjionarët kuqezi, Thomas Strakosha dhe Elseid Hysaj. Gardiani kuqezi ishte një nga lojtarët më të vlerësuar të ndeshjes, nota 7: “Në fillim ndali mrekullisht Milik ndërsa më pas për pak i priti dhe penalltinë.

Në pjesën e dytë ishte garanci për Lazio, nuk kishte ç’të bënte në golin e Payet”.

Mirë edhe Hysaj, nota 6: “Fillimisht në të majtë e më pas në të djathtë. Si gjithnjë solid në mbrojtje, kontrolloi Under ndërsa mbajti larg Lirola, gjithmonë në sensin e duhur të pozicionimit”, shkruajnë mediat italiane për paraqitjen e dy lojtarëve shqiptar.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *