KryesoreOpinion/Aktualitet

Pesëvjeçari i Vuçiqit – nga “kërcimi në të ardhmen”, te rënia në humnerë

Edhe pse nuk humbet rast për të theksuar publikisht neverinë e tij ndaj komunizmit, Aleksandar Vuçiq në praktikë ushqen në mënyrë aktive trashëgiminë e atij sistemi. Duke ndjekur shembullin e modeleve të tij nga Bashkimi Sovjetik dhe nga Jugosllavia e Josip Broz Tito, presidenti në largim i Serbisë çdo disa vite i paraqet publikut plane zhvillimore pesëvjeçare që ngjajnë fort me pesëvjeçarët e real-socializmit.

Shkruan: Dragan Shormaz

Pas planeve “Serbia 2025” dhe “Kërcimi në të ardhmen – Serbia 2027”, planin e fundit në radhën e “planeve” të tij, Vuçiq e prezantoi së fundmi, me ambicien që ta zbatojë personalisht deri në vitin 2035. Edhe pse që në shikim të parë është e qartë se nuk bëhet fjalë për plane serioze, por për lista dëshirash joreale, është edhe më e dukshme se, në mungesë të rezultateve reale me të cilat do të mund të dilte para qytetarëve, regjimi në pushtet u ofron gjithnjë e më shumë votuesve potencialë premtime boshe, të cilat nuk kushtojnë asgjë dhe edhe më pak obligojnë.

Këtë e dëshmojnë në mënyrë të qartë edhe premtimet kryesisht të papërmbushura nga planet e mëparshme plot fjalë të ëmbla të Vuçiqit. Ajo që karakterizon fatin e të gjithë “pesëvjeçarëve” të tij janë afatet që vazhdimisht janë shtyrë, kostot që janë rritur shumëfish dhe objektivat që janë ripërcaktuar gjatë rrugës.

Funksioni kryesor i këtyre ndërmarrjeve marketingu ka qenë mobilizimi i votuesve për të qëndruar në pushtet, arsyetimi i investimeve të mëdha publike dhe mbështetja shtetërore për projektin Expo 2027, i cili do t’u kushtojë shtrenjtë qytetarëve të Serbisë, ndërsa përfitimet do t’i ndajnë Vuçiçi dhe klientela e tij korruptive.

Sa populiste, boshe dhe manipuluese kanë qenë premtimet deri më tani, dëshmon qartë historia e pagës mesatare prej 1.000 eurosh. Edhe pse kjo shumë është arritur nominalisht, në mënyrë statistikore, ajo është shoqëruar me një inflacion real jashtëzakonisht të lartë, i cili, në kushtet e një dinari të mbivlerësuar, ka bërë që, sipas sasisë së mallrave dhe shërbimeve që mund të blihen, 1.000 eurot e sotme në Serbi të vlejnë sa 550 euro në vitin 2012.

Lexo më shumë  Fermerët në Krujë të shqetësuar për çmimin e naftës: Bujqësia po vuan

Një shembull tjetër domethënës është Korridori Morava, një nga premtimet e rralla që realisht po zbatohet. Problemi, megjithatë, qëndron në faktin se kostot e këtij projekti nga 750 milionë euro fillestare janë rritur në plot 2.15 miliardë euro, çka në një masë të madhe është çmimi i korrupsionit të përhapur që mbizotëron në Serbi.

Në planin e tij, Aleksandar Vuçiq nuk i përmend fare institucionet, ndërkohë që realizimi i planeve dhe zhvillimi ekonomik i një shteti varen nga cilësia e institucioneve të tij – sistemi juridik efikas, mbrojtja e pronës private dhe një demokraci funksionale. Vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të rritjes së korrupsionit, zhdukjes së lirive demokratike dhe dobësimit të sundimit të ligjit. Institucionet janë rrënuar plotësisht dhe i shërbejnë interesit të një njeriu të vetëm!

Ekonomistët në Serbi flasin hapur se modeli i deritanishëm i rritjes ekonomike është tejkaluar dhe i pamjaftueshëm për të arritur nivelin e shteteve më pak të zhvilluara të BE-së. Serbia vazhdon të jetë në nivelin rreth 60% të PBB-së mesatare për frymë krahasuar me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore. Vuçiqi paralajmëron se deri në vitin 2035 në zhvillimin e Serbisë do të investohen rreth 50 miliardë euro, por nuk tregon burimet e këtij financimi. Supozohet se bëhet fjalë për kredi dhe mjete nga buxheti shtetëror, çka nuk paraqet një plan premtues.

Polonia, këto ditë, është futur ndër 20 ekonomitë më të fuqishme në botë. Një nga faktorët më të rëndësishëm të zhvillimit të saj është përdorimi efikas i fondeve të BE-së, mbi 10 miliardë euro në vit, që është dyfish më shumë se planet e Vuçiqit. Ky është një nga argumentet më të forta kundër politikës diletante të regjimit të tij. E vetmja mënyrë për të arritur zhvillimin ekonomik të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore është përmes reformave të përshpejtuara, në mënyrë që në vitet e ardhshme të bëhemi anëtarë të BE/NATO-s, dhe vetëm më pas të nisim rrugën e rritjes reale ekonomike me ndihmën e komunitetit evropian.

Lexo më shumë  BE i bën thirrje Hungarisë të sqarojë raportet “shqetësuese” për rrjedhjet e informacionit tek Rusia

Si pasojë e politikave të gabuara ekonomike dhe sundimit të një regjimi kleptokratik, investimet e huaja direkte në Serbi vitin e kaluar janë përgjysmuar, njësoj si edhe rritja e PBB-së. Me këtë ritëm zhvillimi, Serbia në 50 vitet e ardhshme nuk do të mund të arrijë as vendet më pak të zhvilluara të BE-së, ndërsa arritja e mesatares së BE-së do të mbetet përgjithmonë e paarritshme.

Kështu, vizioni i Aleksandar Vuçiq për një Serbi të prapambetur, të izoluar dhe të korruptuar, ku ai është sundimtar i përjetshëm, ndoshta edhe i trashëgueshëm, merr formë të plotë. Pikërisht këtu qëndrojnë arsyet kryesore pse Serbia, nën udhëheqjen e tij, nuk do të bëhet kurrë anëtare e Bashkimit Evropian.

Prandaj, zgjedhja para Serbisë nuk është më mes planeve të ndryshme, por mes realitetit dhe mashtrimit, mes një shteti që ecën përpara dhe një regjimi që dështimet e veta i fsheh me premtime të reja të rreme.

Për sa kohë Serbia udhëhiqet nga logjika e “pesëvjeçarëve” pa përgjegjësi, e ardhmja do të mbetet vetëm një slogan. Ndryshimi i këtij modeli nuk është më vetëm çështje politike, por çështje mbijetese dhe zhvillimi të vendit, me një kosto gjithnjë në rritje të dështimeve që asnjë shtet nuk mund ta përballojë. /the geopost/

YouTube player