KryesoreSport

Pesëmbëdhjetë sukseset më të mëdha sportive në Kosovën e pavarur

Kur Kosova shpalli Pavarësinë, 15 vjet më parë, thuajse të gjithë sportistët në vend besonin se më nuk kishin pengesa, se shpejt do të bëheshin pjesë e aktiviteteve ndërkombëtare. Besohej se paraqitja në garat ndërkombëtare ishte çështje javësh apo muajsh më së shumti.

Por doli të jetë ndryshe.

Kosova mbeti jashtë Lojërave Olimpike Verore “Pekini 2008”. Mbeti jashtë Lojërave Olimpike “Londra 2012”, jashtë shumë cikleve kualifikuese, shumë edicioneve të kupave evropiane në futboll e shumë ngjarjeve të tjera. Paraqitjet në gara ndërkombëtare ishin të rralla, me përjashtim të pak sporteve.

Vetëm pas pranimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në fund të vitit 2014, për sportistët kosovarë u hapën dyert e mëdha. Menjëherë në vitin 2015, Kosova nisi me paraqitje në ngjarjet shumësportëshe dhe prej atëherë është e rregullt thuajse në të gjitha sportet.

Me gjithë sfidat e vështirësitë janë shënuar rezultate të mëdha. Ka pasur edhe dështime, por që shpesh janë mbuluar me sukseset e një pjese të sportistëve.

Në përvjetorin e 15-të të Pavarësisë së Kosovës, redaksia e sportit e KOHËS ka përzgjedhur pesëmbëdhjetë sukseset më të mëdha të Kosovës në sport.

E arta e parë olimpike

Jo rastësisht shumica e sukseseve janë arritur në sportin e xhudos. Puna që e ka bërë trajneri Driton Kuka ka mundësuar që xhudoja të prekë majën botërore dhe të mbetet në nivelin më të lartë. Dhe rrjedhimisht xhudistët kanë bërë shkëputje shumë të madhe me sportistët tjerë të vendit.

Kulmi për herë të parë është arritur më 7 gusht 2016 në “Carioca Arena 2” në Rio të Brazilit. Ishte Majlinda Kelmendi që shkëlqeu në tatami, duke fituar medaljen e artë olimpike. Majlinda garoi në kategorinë deri 52 kilogramë, kurse në finale e kishte mposhtur italianen Odette Giuffrida.

Majlinda tashmë e ka përfunduar karrierën e mahnitshme si xhudiste, ndërsa e arta olimpike mbetet momenti më i rëndësishëm në karrierën e saj. Ajo tani po punon si trajnere e xhudos.

Momenti i Distrisë

Distria Krasniqi është një tjetër xhudiste kulmore. Ajo është në kulm të karrierës dhe fiton rregullisht medalje. Synon tjetër medalje të artë olimpike, që është më e vlefshmja e mundshme në sport. Të artën olimpike e ka fituar më 24 korrik të vitit 2021. Në shkallën më të lartë të podiumit olimpik ishte në “Nippon Budokan” në Tokio. Garoi në kategorinë deri 48 kilogramë, ndërsa në finale e mposhti japonezen Funa Tonaki.

Distria ka edhe dy medalje të bronzta botërore dhe katër medalje evropiane, prej tyre një të artë.

Suksesi më i madh i mundshëm edhe për Norën

Medaljen më të vlefshme të mundshme në sport, të artën olimpike, në koleksion e ka edhe Nora Gjakova.

Edhe Nora triumfoi në “Nippon Budokan” në Tokio. Më 26 korrik të vitit 2021 garoi në kategorinë deri 57 kilogramë dhe ishte e pandalshme. Në finale, ku shfaqi edhe ferplej shembullor, Nora e mposhti francezen Sarah-Leonie Cysique.

Nora ka edhe medalje të bronztë botërore, medalje të argjendtë e të bronztë në Lojërat Evropiane dhe katër medalje në kampionatet evropiane, duke përfshirë një të artë. Është pjesë e historisë edhe si fituesja e medaljes së parë të Kosovës në ngjarjet e rëndësishme shumësportëshe. Në Lojërat e para Evropiane, “Baku 2015”, e fitoi medaljen e bronztë.

Lexo më shumë  Sveçla viziton policin e plagosur në Klinë: Hetimet po zhvillohen me intensitet të lartë

Titulli i parë i botës

Shteti i ri i Kosovës ka edhe kampione botërore. Majlindën.

Majlinda Kelmendi e fitoi medaljen e parë të artë të botës në vitin 2013, pra ende pa u hapur dyert e mëdha ndërkombëtare për sportin kosovar.

Më 27 gusht të vitit 2013 në Rio të Brazilit, Majlinda Kelmendi fitoi titullin e botës në xhudo në kategorinë deri 52 kg. Në finale e kishte mposhtur brazilianen Erika Miranda.

Titulli i dytë, në Rusi

“Traktor Arena” quhej palestra në Chelyabinsk të Rusisë ku më 26 gusht të vitit 2014, Majlinda Kelmendi e fitoi titullin e dytë të botës. Në finalen e kategorisë deri 52 kg, Majlinda këtë herë e kishte mposhtur rumunen Andreea Chitu.

Nëse do të përmendeshin të gjitha sukseset e Majlindës, atëherë lista prej 15 momenteve do të ishte e shkurtër vetëm për të. Ajo ka edhe titull të Lojërave Evropiane, tre tituj të tjerë evropianë, medalje të bronztë botërore, medalje të bronztë evropiane…

Evropiani i Akil Gjakovës

Trajneri Kuka i është gëzuar shumë suksesit të Akil Gjakovës. Akili në vitin 2021 fitoi titullin e kampionit të Evropës në xhudo.

Në Lisbonë të Portugalisë garoi më 17 prill 2021. Në finale të kategorisë deri 73 kilogramë e mposhti izraelitin Tohar Butbul.

Akili ishte i shtati në Lojërat Olimpike, ndërsa ka medalje në shumë gara të xhudos. Më e mira prej tij nuk ka ardhur ende.

E bronzta e ardhur nga Zvicra

La jetën në Zvicër për të ndjekur ëndrrën për suksese në xhudo. Dhe u vendos në Kosovë, përkatësisht në Pejë. Sakrifica për Loriana Kukën ia vlejti. Mbesa e trajnerit Toni Kuka momentin kulmor të deritashëm e kishte në vitin 2019.

Fitoi medalje të bronztë botërore. Ajo garon në kategorinë deri 78 kilogramë. Loriana ka medalje të bronztë edhe në Lojërat Evropiane e po ashtu në Kampionat Evropian. Të artat nga ngjarjet e mëdha priten prej saj.

Një e argjendtë

Të artat e të bronztat janë sukseset kulmore për xhudistët. Por në këtë mes është edhe një e argjendtë. Ajo e Laura Fazliut në Evropianin e vitit 2022.

Laura, që la jetën në Mitrovicë për të përsosur xhudon në Pejë, ishte e dyta në Evropë në kategorinë deri 63 kilogramë. Ka të argjendtë edhe në Masters, ndërsa lista e sukseseve të saj po rritet.

Marshimi i Ballkanit

Pasi fitoi titullin e parë të kampionit të Kosovës në futboll, Ballkani i Suharekës mbijetoi gjatë në gara evropiane.

Filloi në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, ku megjithatë pësoi nga Zhalgirisi i Lituanisë. U bart në Ligën e Konferencës dhe kaloi raundin e dytë, raundin e tretë, plejofin dhe siguroi vend në fazën grupore.

Në grupet e Ligës së Konferencës, në edicionin 2022/2023, ishte në garë deri vonë. Nuk kaloi tutje, por regjistroi bindshëm kampanjën më të mirë deri më tani sa i takon klubeve kosovare.

Vendi i tretë në kualifikime

Kualifikimet për “Euro 2020” mbesin më të mirat e përfaqësueses së Kosovës në futboll deri më tani. Në një grup të fortë me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi, Kosova përfundoi e treta. I mblodhi 11 pikë, duke shënuar tri fitore e dy barazime. I kishte edhe tri humbje.

Lexo më shumë  Sveçla: Luftimi i migrimit të paligjshëm është prioritet

Pas barazimeve 1:1 me Bullgarinë dhe Malin e Zi, Kosova kishte fituar 3:2 po ndaj Bullgarisë e më pas 2:1 ndaj Çekisë. Ishte viti 2019 dhe periudha më e mirë e Kosovës.

Mbeti në kujtesë edhe humbja 5:3 nga Anglia në Southampton, ndërsa më pas bujë bëri fitorja 2:0 ndaj Malit të Zi. Humbjet në fund nga Çekia dhe Anglia i pamundësuan Kosovës të kualifikohej.

Medaljet e pritura gjatë

Për gati katër dekada boksi kosovar kishte pritur për medalje botërore dhe evropiane. Dhe pritjes i erdhi fundi në vitin e kaluar. Nga një boksiere madje.

Donjeta Sadiku fitoi medaljen e bronztë botërore në Stamboll dhe të bronztën evropiane në Budvë. Natyrisht suksesi i saj ishte historik. Asnjë boksier nuk po i afrohet sukseseve të Donjetës aktualisht. Suksese të tjera Donjeta synon këtë vit e në vitet e ardhshme.

Juniorët në Botëror

Kosova e ka një përfaqësuese që tashmë është kualifikuar në Botëror. Bëhet fjalë për përfaqësuesen juniore në hendboll. Përmes një rruge alternative, një gare të Federatës Ndërkombëtare për vendet me hendboll në zhvillim, Kosova ishte kualifikuar për në Botërorin e mbajtur në Spanjë.

Në Spanjë madje ishte paraqitur me flamur e himn, që ishte vlerësuar tjetër sukses.

Kosova mori pikë ndaj Bahrejnit në grup, ndërsa për plasman e mposhti edhe Australinë. Shmangu pozitën e fundit dhe kualifikimi ishte vlerësuar sukses i madh.

Fitorja ndaj kampiones së katërfishtë të botës

Rumania mburret me katër titujt e botës në hendboll. Katër tituj i ka vetëm edhe Suedia, ndërsa para tyre është vetëm Franca me gjashtë tituj.

Por Rumania nuk e ka më forcën që e kishte dekada më parë.

Ndaj Rumanisë, një fitore shumë të madhe e ka shënuar përfaqësuesja e Kosovës, në vitin 2021.

Ajo fitore në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2022 ishte arritur në Bukuresht, më 14 mars 2021. Kosova kishte fituar 30:25. Nuk ishte kualifikuar, por fitorja bëri bujë ndërkombëtare.

Në Rumani e kishin vlerësuar turp kombëtar humbjen nga Kosova.

Kosova para Maqedonisë së Veriut

Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll suksesin e deritashëm e ka arritur në kualifikimet për Botërorin 2019. Kosova ishte paraqitur në parakualifikime, ndërsa ishte në grup me Estoninë dhe Maqedoninë e Veriut. Në ndeshjen e parë e mposhti Maqedoninë V., më 2 gusht 2017.

Më pas humbi nga Estonia e Maqedonia V. dhe kështu ndeshjen vendimtare e luante me Estoninë. Falë fitores 75:69 ndaj Estonisë më 19 gusht 2017 në Prishtinë, Kosova avancoi tutje si e dyta në grup.

Mbetet suksesi më i madh ndërkombëtar i basketbollit kosovar.

Medaljet e karatesë

Medalje nga ngjarjet e mëdha kanë fituar edhe karateistët kosovarë. Është shquar Herolind Nishevci. Në vitin 2016 ai fitoi medalje të bronztë botërore. Në vitin 2021 kishte medalje të bronztë evropiane.

Në vitin 2022, medalje të bronztë evropiane fitoi edhe Elhami Shabani.

Karateja ishte sport olimpik në Tokio, ndërsa tashmë është larguar nga programi olimpik. /koha/

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *