Lajme

Përplasja me një viktimë në Prishtinë, ministri Sveçla: Dështim i drejtësisë, palët e përfshira në konflikt kanë dhjetra vepra penale

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas rastit të mbrëmshëm në lokalin “Bon Vivant”, ku pas të shtënave me armë zjarri u vra një person dhe u lënduan 20 të tjerë.

Sveçla ka thënë se palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetëra vepra të mëhershme penale, për të cilët thotë se kanë qenë të lirë për arsye të dështimeve të drejtësisë, raporton Express.

“Në qendër të kryeqytetit, shtetasit tanë janë të rrezikuar për shkak të kriminelëve që nuk po ndëshkohen nga drejtësia. Ata duke u ndjerë të plotfuqishëm përballë ligjit nuk hezitojnë që hesapet e tyre kriminale t’i zgjidhin me armë e atë në lokale publike në prezencë dhe duke rrezikuar dhjetra të rinj të tjerë.

Palët e përfshira në konflikt kanë me dhjetra vepra të mëhershme penale. Kur lëngon drejtësia, situatat e ngjashme janë të pashmangshme!  Drejtësia është punë e policisë, e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Drejtësia është një sistem i plotë kur të gjithë institucionet përmbushin funksionin e tyre”, ka shkruar Sveçla.

Lexo më shumë  Qe dy vjet Kuvendi i Shqipërisë s’e fut në agjendë draftrezolutën për gjenocidin në Kosovë

21 persona kanë mbetur të lënduar pas të shtënave me armë zjarri në një lokal në qendër të Prishtinës, katër prej të cilëve nga arma e zjarrit. Rasti raportohet të ketë ndodhur pas një mosmarrëveshje.

Një prej të plagosurve ka vdekur sot, në orët e para të mëngjesit.

Përmes raportit 24 orësh, Policia ka bërë me dije se 17 persona, tre burra dhe 14 gra, kanë marrë lëndime si pasojë e thyerjes së gotave-shisheve të qelqit.

Sipas Policisë, katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë), derisa një i dyshuar tjetër gjendet në arrati.

Lexo më shumë  Maqedonci takon Ulutashin, e vlerëson bashkëpunimin KFOR-FSK

“Rr. Xheladin Hana, Prishtinë 04.08.2023-20:17. Dyshohet se pas një mosmarrëveshje në një lokal, në mes të disa të dyshuarve meshkuj kosovarë, janë përdorur edhe armë zjarri (të shtëna me armë zjarri), si pasojë e kësaj lëndime trupore kanë pësuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë (nga arma e zjarrit), ndërsa si pasojë e thyerjeve të gotave–shisheve të qelqit lëndime kanë pësuar 17 persona, prej tyre tre meshkuj dhe 14 femra. Katër të dyshuarit mbeten të hospitalizuar në QKUK dhe me vendim të prokurorit ndalohen (nën përkujdesje të policisë). Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku. Një i dyshuar mashkull gjendet në arrati”, thuhet në raport.

Rruga Press

YouTube player