Lajme

Përgjimet nga Franca/ Ardi Veliu i kapur me aplikacionet e krimit?

Dorëheqja e një prej ushtarëve besnikë të Ramës në polici, Ardi Veliu ngre dyshime të forta se ai është kapur në përgjimet SKY apo Encrochat, që po zbardhen nga prokurorët e SPAK. Mënyra se si Veliu u largua nga policia, pa një letër dorëheqjeje (siç ndodhi herën e parë) dhe pa një shkak publik, lë të kuptohet se ai është pjesë e atyre policëve që u paralajmëruan disa ditë më parë se do të largohen nga radhët e policisë nëse kanë përdorur aplikacionin SKY apo telefonat Encrochat.

Prej muajsh, policia e shtetit është në ankth për shkak të dosjes “Metamorfoza 2” dhe për të zbuluar policët e inkriminuar. Nga përgjimet e Pëllumb Gjokës, porositës i vrasjeve me grupin e Bajrave, rezultoi se ish-shefi i Operacionale, Oltion Bistri i kishte shërbyer për të mbajtur hapur një kazino, përkundrejt pagesës prej 1500 euro në muaj. Siç tregonte Bistri, shefat e tjerë të policisë ishin në dijeni të “nderit” që po i bënte Pëllumb Gjokës.

Kjo është arsyeja që ministri i ri nuk ka bërë asnjë lëvizje në polici që pas emërimit në detyrë.

“SPAK po zhvillon hetime mbi bazën e të dhënave nga Europol, besoj se së shpejti do të kemi zhvillime, jo vetëm do të vetëpastrohet policia, por edhe vetë shoqëria” tha Balla në të njëjtin komision.

Përgjimet e zbuluara nga Europol mendohet se përbëjnë një nga dosjet më voluminoze, që ka mbërritur ndonjëherë në vendin tonë. Gazetarët e France24 raportuan vitin e kaluar se përgjimet e arkivuara ishin rreth një miliard mesazhe. Gjuha e parë e përdorur mes organizatave kriminale ishte anglishtja. Gjuha e dytë, gjuha shqipe.

Në një takim off record me gazetarët, shefi i SPAK, Altin Dumani konfirmoi se përgjimet ekzistojnë. “Deri kur u regjistrua ky procedim, flitej se zyrtarë e drejtues kryenin korrupsion, apo ishin të përfshirë në krim, por s’kishte veprime konkrete. Sot është fakt që janë të arrestuar. Kemi shumë punë për të bërë, lidhur me këtë çështje”,- i tha Altin Dumani gazetarëve.

Shërbimet e Ardi Veliut për Ramën

Nëse të gjithë paraardhësit e tij në polici janë përpjekur ta ruajnë për sy e faqe imazhin e një policie të depolitizuar, Ardi Veliu u përdor si kamikaz i paskrupullt. Përveç rrahjes së protestuesve të opozitës, dhunës ndaj të rinjve që kundërshtonin shembjen e Teatrit, në cv e tij dallon qëndrimi manipulativ që mbajti pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan. Bashkë me prokurorin e çështjes ai gënjeu publikisht, kur tha se në vendin e ngjarjes nuk u gjetën materiale zgjedhore, sa për të shpëtuar fytyrën e Rilindjes.

Për këto dhe të tjera ka marrë rregullisht vlerësimet e Ramës. Për shembull kur Ardi Veliu tentoi ta mbrojë dhunën e policëve ndaj një djali 15-vjeçar, duke sulmuar nënën e tij me një video që doli më vonë se ishte skenë filmi, Rama u shpreh: “Drejtori për të cilin kam konsideratën më të lartë për integritetin, profesionalizmin e rezultatet e arritura, në këtë rast ka gabuar pa diskutim. Drejtori ka gabuar e them pa asnjë rezervë ka gabuar, por jam më i prirur ti besoj ndjesës së tij publike…” deklaroi kryeministri pasi u mor vesh se fotot me pistoletë të aktores Zaida Çobo ishin sekuenca të një filmi artistik.

Lexo më shumë  Vihet gurthemeli i dy klinikave në QKUK – vlera e tyre arrin mbi 4 milionë euro

Edhe pas vrasjes së Klodian Rashës, kur pati një përpjekje nga policia që të vendoste një pistoletë pranë trupit të viktimës së pafajshme, Rama e mbrojti Ardi Veliun duke thënë: “Ardi Veliu është një figurë për tu respektuar nga të gjithë se është i drejtë dhe i ndershëm, ndonëse jo i pagabueshëm. Ai nuk ka lidhje me krimin dhe korrupsionin që shpesh e ka njollosur uniformën e policisë së shtetit”.

Duket se “figurës për t’u respektuar” tani i kanë dalë të palarat në shesh. Nëse Veliu ka përdoru aplikacionet e krimit, atëherë gjasat janë që ai të jetë pjesë e dosjes “Metamorfoza 2” ku renditjen qindra mijëra biseda mbi çështje kriminale.

Çfarë janë telefonat Encro

EncroChat ishte një shërbim tjetër telefonik i koduar që përdorej gjerësisht nga rrjetet kriminale. Një telefon Encro kushtonte rreth 1 mijë euro për sa kohë që shërbimi ishte ende funksional. Për 1 mijë e 500 euro mund të paguhej funksionimi i telefonit për 6 muaj në të gjithë botën.

Serverat e EncroChat ishin të vendosur në Francë dhe u zbuluan nga policia franceze në vitin 2016, duke zbuluar qindra milion mesazhe.

EncroChat ishte një nga shërbimet më të mëdha të komunikimit të koduar në botë dhe vlerësohet të ketë pasur 60,000 përdorues në të gjithë Evropën. Nga një njoftim i Eurojust, deri në vitin e shkuar ishin regjistruar rreth 6 mijë e 558 arrestime në të gjithë botën.

Encrochat ofroi një rrjet të sigurt komunikimi. Përdoruesve iu jepej një pajisje celulare e modifikuar posaçërisht e quajtur EncroPhone, e cila nuk mund të përdorej për të bërë thirrje telefonike zanore. Telefoni vinte i gatshëm, ku ishin ngarkuar paraprakisht aplikacione të mesazheve private, të cilat mund të dërgonin mesazhe me tekst dhe foto tek përdoruesit e tjerë të Encrochat.

Pajisjet përmbanin mekanizma të tjerë sigurie, të tilla si ajo që lejonte fshirjen e të dhënave të telefonit nga distanca. Të dhënat e telefonit bllokoheshin, nëse një kod kalimi 15-shifror nuk ishte futur saktë. Celularët funksiononin nëpërmjet sinjalit ëi-Fi, në vend të rrjeteve të telefonisë celulare. Veçori të tilla si kamera, mikrofoni dhe GPS ishin të çaktivizuara për siguri të shtuar.

Këto masa sigurie e bënë telefonin Encro shumë popullor në mesin e personazheve të famshëm, njerëzve të pasur dhe bandave të krimit të organizuar, të cilët vlerësonin sekretin dhe anonimitetin që ofronte platforma.

Kriminelët ndiheshin mjaft të sigurt për të biseduar lirshëm për gjithçka: emrat e klientëve, dërgesat e drogës dhe madje edhe atentatet. Dhe besimi i tyre ishte i kuptueshëm, duke pasur parasysh atë që EncroChat kishte për të ofruar:

Lexo më shumë  Kurti: Qeveria, e gatshme t’i adresojë shqetësimet e mediave

Telefonat kishin një buton “fshiji të gjitha” që do të fshinte të gjitha bisedat e ruajtura në rast arrestimi ose urgjence tjetër. Asnjë mesazh nuk ruhej në serverët qëndrorë, kështu që ato nuk mund të kapeshin dhe deshifroheshin më vonë.

Përdoruesit e EncroChat paguanin mijëra dollarë në vit, për të përdorur këtë shërbim. Një vlerësim nga policia franceze tregoi se 90% e përdoruesve të EncroChat ishin të përfshirë në aktivitet kriminal.

Në fillim të qershorit 2020, përdoruesit e Encrochat morën një mesazh me tekst duke thënë se të dhënat e tyre nuk ishin më të sigurta. Përdoruesit u këshilluan që të hidhnin menjëherë EncroPhone-in e tyre. Mesazhi thoshte se serverët e tyre ishin sekuestruar nga “entitetet qeveritare”. Encrochat më pas mori vendimin për të ndërprerë operacionet përgjithmonë.

Sistemi i mesazheve të koduara erdhi për herë të parë në vëmendjen e Xhandarmërisë Franceze në vitin 2017, pasi telefonat Encro zbuloheshin vazhdimisht në posedim të të arrestuarve.

Ata zbuluan se EncroChat funksiononte nga serverë me bazë në Francë dhe arritën “të vendosnin një pajisje teknike” që i lejonte të hynin në mesazhet e koduara të dërguara përmes rrjetit të kompanisë. Hetuesit ishin në gjendje të vendosnin pajisjen dhe të regjistronin të gjitha bisedat për muaj të tërë në kohë reale.

Çfarë është SKY ECC

Sky ECC ishte një aplikacion i sigurt mesazhesh, dikur i vlerësuar nga baronët e krimit të drogës, por që u dekriptua nga policia franceze në vitin 2021. SKY ECC u dekriptua në Francë pasi ky ishte ishte shteti ku ishin vendosur serverat e aplikacionit.

Hetuesit në Belgjikë, Francë dhe Holandë kanë shqyrtuar një gamë të madhe mesazhesh të dërguara mes bandave të fshehta të kontrabandës së drogës dhe filluan arrestimet në fund të vitit të kaluar.

“Ishte sikur ishim ulur në tavolinë me kriminelët”, tha Catherine De Bolle, drejtoreshë ekzekutive e Europol, agjencia e koordinimit të policisë së BE-së, për France24.

Më shumë se një vit e gjysmë më vonë, detektivët në të dy anët e kufirit bien dakord se hetimi i Sky ECC shënoi një pikë kthese në luftën kundër bandave të drogës.

Eric Snoeck, drejtor i përgjithshëm i Policisë Gjyqësore Federale të Belgjikës, i tha AFP se autoritetet kanë në dorë më shumë se një miliard mesazhe Sky ECC.

“Është një punë që është në vazhdim dhe do të duhen vite për t’u përfunduar” u shpreh ai.

Shumica e figurave të larta të krimit, që u arrestuan vitin e kaluar jetonin në Dubai. Ballkani Perëndimor ka qenë një pikë e nxehtë për bandat. Pas anglishtes, gjuha më e zakonshme e përdorur në Sky ECC ishte shqipja, zbuluan hetuesit./Lapsi.al

Rruga Press

YouTube player