Lajme

Përfundon takimi në Bruksel, Bislimi: Serbia nuk ka gatishmëri për një marrëveshje për targat

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha më 21 prill se me palën serbe nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave.

“Jo, fatkeqësisht nuk mund të jap lajm të mirë. Grupi ynë punues sërish është munduar edhe ditën e djeshme që të vijë deri te një draf-propozim që do të na bartej ne sot për diskutim. Fatkeqësisht ka zero gatishmëri nga pala serbe për t’u dakorduar për një zgjidhje të mundshme brenda kornizave që i ka paraparë pika e tretë e marrëveshjes e 30 shtatorit”, tha Bislimi, njofton rel.

Këto deklarata të Bislimit vijnë pasi në Bruksel, ai fillimisht u takua me të dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, teksa sot është afati i fundit për të gjetur një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të automjeteve.

Lexo më shumë  Kurti: Kemi nisur procedurat për ankandin e parë të erës me kapacitet prej 100 MW

Miroslav Lajçak ka arritur t’i bindë palët që të ulen në tryezën e përbashkët.

Petar Petkoviq, nga pala serbe dhe Besnik Bislimi nga ajo kosovare nuk janë takuar së bashku që nga vera e kaluar.

Mediat në Serbi kanë raportuar se Kosova dhe Serbia janë pajtuar për shkëmbimin e të dhënave arkivore, por një gjë e tillë nuk është konfirmuar nga delegacioni i Kosovës në Bruksel.

Lexo më shumë  Maqedonci e Jashari në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Kanada

Më herët gjatë 21 prillit, Lajçak zhvilloi takime me delegacionin e Serbisë, të kryesuar nga Petar Petkoviq.

Edhe Lajçak konfirmoi takimet në Bruksel për targat, por shtoi se në këto takime po bisedohet edhe për takimin e radhës të nivelit të lartë të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

“Sot po zhvillohet takimi i kryenegociatorëve midis Kosovës dhe Serbisë. Ne kemi një agjendë të plotë me çështjet aktuale, përfshirë targat e makinave, zbatimin e marrëveshjeve të kaluara të dialogut dhe përgatitjet për takimin e radhës të nivelit të lartë”, shkroi Lajçak në Twitter.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *