Lajme

Përfaqësuesi i SHBA në KS të OKB kërkon që të përmbyllet misioni i UNMIK-ut në Kosovë

Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit tha se dialogu mbetet platforma më e mirë për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë dhe për të normalizuar marrëdhëniet, përmes arritjes së një marrëveshjeje mbi njohjen reciproke.

“Ne e dimë që UNMIK-u nuk ka luajtur ndonjë rol kyç në zgjidhjen e tensioneve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave. Shtensionimi i situatës përmes një mbështetjeje të përkohshme të ofruar nga KFOR-i tregon se organizatat e tjera mund ta bëjnë rolin e tyre më mirë. Ngjarjet e fundit edhe njëherë tregojnë se UNMIK-u ka përmbushur qëllimin e tij, që e ka pasur në mandatin origjinal. Ne duhet ta pranojmë këtë realitet dhe të vazhdojmë drejt përmbylljes së misionit të tij. Ky këshill ka përgjegjësinë që ta vendosë vëmendjen dhe burimet e tij në zonat dhe çështjet ku ka më së shumti nevojë”, tha ai, në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po diskutohet raporti 6-mujor për Kosovën.

Lexo më shumë  Vendosja e kamerave të sigurisë në veri, Elshani: Do të krijojmë një klimë të sigurisë më të madhe te qytetarët

SHBA-ja po ashtu shprehu keqardhjen që thirrjet e mëparshme ndaj Këshillit të Sigurimit për të rishikuar këtë mision nuk janë dëgjuar.

Përfaqësuesi i SHBA-së tha se Uashingtoni mirëpret marrëveshjen që Kosova dhe Serbia arritën për targat dhe tha se kjo marrëveshje është hap përpara për të dyja palët dhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Ai po ashtu u bëri thirrje dy shteteve që të vazhdojnë të punojnë që të gjejnë zgjidhje për çështjet e tjera të hapura.

Lexo më shumë  Osmani: Liria e shtypit thelbësore për demokracinë – beteja kundër lajmeve të rreme dhe dezinformatave nuk ka qenë kurrë më urgjente  

“Kjo marrëveshje është dëshmi që kur liderët angazhohen hapur dhe në mënyrë serioze ata mund të gjejnë gjuhë të përbashkët për të gjithë qytetarët e tyre. Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë të punojnë mbi këtë përparim, duke e zbatuar këtë marrëveshje, duke zbatuar marrëveshjet e mëparshme, duke u përmbajtur nga provokimet dhe të zotohen sërish që të gjejnë zgjidhje në çështje të tjera, përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha përfaqësuesi i SHBA-së.

Ai shtoi se SHBA-ja mbetet plotësisht e përkushtuar që të ruhet stabiliteti në Ballkanin Perëndimor.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *