Bota

Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje-Hercegovinën i shqetësuar për një destabilizim të mundshëm të vendit

Përfaqësuesi i lartë për Bosnjë-Hercegovinën ka vendosur disa ndryshime – kryesisht të natyrës teknike – në ligjin zgjedhor. Dhe është i shqetësuar për një destabilizim të mundshëm të vendit.    

Para disa ditësh, kur në opinionin boshnjak u shfaq një dokument, që supozohej se përmbante vendime të përgatitura për disa ndryshime në ligjin zgjedhor, shpërtheu një stuhi indinjate. Kryesisht nga boshnjakët, të cilët përbëjnë shumicën në vend. Ky dokument qe përgatitur nga Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje – Hercegovinën, i cili ka një rol të rëndësishëm: mbikëqyrjen e zbatimit të aspekteve civile të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të vitit 1995, që i dha fund luftës, e cila zgjati tre vjet e gjysëm në këtë vend.

Ai ka kompentenca të mëdha për ta bërë këtë. Për shembull mund të miratojë ligje ose të shkarkojë njerëz të caktuar nga postet shtetërore. Aktualisht postin e Përfaqësuesit të Lartë e mban ish-ministri gjerman i Bujqësisë, Christian Schmidt.

Schmidt u akuzua për thellimin e mëtejshëm të ndarjes etnike në Bosnje dhe për favorizimin e kroatëve kundrejt boshnjakëve. Disa politikanë të lartë boshnjakë madje e lanë të nënkuptohet mundësinë e ripërtëritjes së konfliktit të armatosur. Tani Përfaqësuesi i Lartë i ka shpallur vendimet e tij. Dhe nga ndryshimet e paralajmëruara në modalitetet zgjedhore, të cilat me siguri do të kishin patur pasoja në përbërjen e parlamentit në Federatën Boshnjako-Kroate, nuk ka mbetur asgjë. Për momentin janë marrë vetëm disa vendime teknike. Ato do të mundësojnë zhvillimin më të mirë të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare në shtator.

“Ruajtja e integritetit territorial”

Në një intervistë për DW Christian Schmidt hedh poshtë me vendosmëri akuzat, se ai synonte të përdorte ndryshimet legjislative për të çuar më tej ndarjen etnike të vendit: “Disa njerëz patën përshtypjen se nga kjo do të përfitonin vetëm ata, që jetojnë në një zonë me shumë bashkatdhetarë etnikë, për shembull kroatët tek kroatët. Por nuk ishte kështu. Dhe mbi të gjitha nuk duhet të krijohet përshtypja se kërkohet ndarja e Bosnjë – Hercegovinës në rajone të ndryshme etnike. Jo, në asnjë mënyrë! Unë jam këtu për ta parandaluar këtë, unë jam këtu për të mbrojtur atë që quhet integritet territorial”.

Schmidt thotë se ai është i interesuar për eliminimin e mangësive ekzistuese: “Nga njëra anë për fat të keq ligji zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme dhe të lira në Bosnje – Hercegovinë ka ende nevojë për përmirësim, kur është fjala për të penguar mashtrimet elektorale. Për shembull, numërimi i gabuar i votave, ose kur dikush tenton të ushtrojë ndikim me gjuhë urrejtjeje dhe kërcënon të tjerët. Për këtë kam rritur masën e dënimit. Me këtë unë jam në përputhje me idetë e Këshillit të Evropës dhe Komisionit të Venecias (Shënim i redaktorit: Komisioni i Venecias këshillon Këshillin e Evropës nga ana juridike). Propozimet e tyre janë mbështetur nga të gjitha partitë në Bosnje dhe Hercegovinë. Dhe çfarë ndodhi? Asgjë. Dështoi në parlament. Për dy muaj ka zgjedhje dhe gjërat, që janë ende të nevojshme dhe mund të kryhen, duhet të implementohen. Dhe këtë e kam bërë tani, edhe në koordinim me Bashkimin Evropian dhe bashkësinë ndërkombëtare”.

“Nuk dua të ndryshoj ligjin ekzistues zgjedhor”

Lexo më shumë  Pas fitorës së raundit të parë të zgjedhjeve nga kandidati anti-Nato, Presidenti i Rumanisë mbledh Këshillin e Lartë të Mbrojtjes për cënimet e sigurisë nga Tiktok-u

Nga ana tjetër institucionet qendrore të vendit – qeveria e federatës boshnjako-kroate dhe gjykata kushtetuese – janë paralizuar nga taktikat bllokuese të partive: “Vitet e fundit nuk është zgjedhur asnjë president i federatës, sepse është bllokuar zgjedhja. Po gjykata kushtetuese? Duhet të jenë nëntë gjyqtarë. Por sa vende janë plotësuar? Pesë. Në gjashtë muajt e ardhshëm do të largohet një gjykatëse, e cila do të mbushë 70 vjeç. Kështu mbeten vetëm katër gjyqtarë, të cilët nuk do të mund të marrin dot vendime. Kjo për arsyen se kryeministri ne detyrë nuk i dërgon propozimet për emërimin e gjyqtarëve në parlament. Kjo do të thotë se ka një ngecje në administrimin e drejtësisë për arsye politike dhe taktike. Dua që të krijohet një qeveri dhe që gjykata kushtetuese të jetë në gjendje të marrë vendime”.

Për momentin Schmidt nuk ka marrë asnjë vendim lidhur me ndryshimin e modaliteteve zgjedhore në njësitë e veçanta elektorale – gjë që para pak kohe shkaktoi kritika të ashpra dhe protesta të shumta: “Diçka është komunikuar gabim. Unë nuk dua të ndryshoj ligjin zgjedhor aktual, por kam vendosur të gjej rrugën e duhur për çështje të ndryshme më të vogla. Dhe aty mund të mbështetem në mandatin tim, në të ashtuquajturat komptenca të Bonit, nëse nuk ka rrugë tjetër.”

“Ky vend është si një enë porcelani”

Lexo më shumë  Raketat amerikane Atacms i shkaktojnë Rusisë humbjen e rëndësishme

Schmidt tani u ka dhënë partive politike gjashtë javë kohë për të gjetur me anë të negociatave të ndërsjella një zgjidhje lidhur me mospërputhjet në modalitetet zgjedhore: “Zgjedhjet janë pas dy muajsh. Presioni nga ana ime po shtohet. Dhe pastaj do të shohim! Por partitë nuk duhet të harrojnë se mundësitë e mia ekzekutive ekzistojnë. Unë nuk kam hequr dorë prej tyre, thjesht nuk i kam përdorur deri tani.”

Megjithatë Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje dhe Hercegovinën është i shqetësuar për një destabilizim të mundshëm të vendit:

“Jam i shqetësuar edhe për shkak të retorikës nxitëse. Tani një lider partie, është Bakir Izetbegoviç (shënimi i redaktorit: kryetar i Partisë më të madhe Boshnjake SDA), ka devijuar fare duke folur sesi të rinjtë mund të armatosen. Ai ka thënë edhe gjepura te tjera. Këtë duhet ta kundërshtoj qartë. Ky vend është një enë porcelani. Nuk mund të përdoresh retorika të tilla, sidomos duke patur parasysh luftën në Ukrainë. Unë nuk supozoj se këtu duan të fillojnë një luftë, por kush e di se çfarë lloj mendimesh ruse ekzistojnë.”/DW

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *