Editorial

Perandoria e rreme dhe Albin Kurti

Shkruan Erald Korra

Me Vuçiçin historia e hershme serbe e gënjeshtrave ndaj shqiptarëve ka arritur majat. Për të mbretëruar në një shtet të rremë Vuçiçit, kur flitet për Veriun e Kosovës, i duhet së pari dizinformimi i serbëve në veri, pastaj manipulimi i votuesve serbë në Serbi që e konsiderojnë Kosovën ende të tyren, pastaj mashtrimi i ndërkombëtarëve lidhur me partneritetet filo-perëndimorë, pastaj mashtrimi dhe nënshtrimi i fqinjëve me Ballkanin e Hapur, … por, dhe më e vështirë, pa qenë plotësisht i sinqertë dhe i devotshëm me Putinin, si Dodiku ose Vulini, të jetë premtues sa dikur për Milosheviçin.

Vuçiqi mund dhe duhet t’i gënjejë të gjithë përveç shqiptarëve të Kosovës. Vetëm me këta ai është i sinqertë: për shqiptarët e Kosovës e vetmja sjellje është kërcënimi i deklaruar, porsi Millosheviçi. Këtë e kemi kuptuar të gjithë, serbët e veriut që nuk votojnë Rakiqin, gjithë fqinjët përreth që janë përballur me shovinizmin serb, po e kuptojnë më në fund edhe ndërkombëtarët për shkak të luftës në Ukrainë, dhe deri diku dhe Putini që autorizon Vulinin të flasë për “Botën Serbe”.

Të vetmit që nuk e kanë kuptuar janë eksponentët e opozitës në Kosovë. Këta për 20 vjet kanë mashtruar vetëm qytetarët e Kosovës, dhe nuk kanë marrë kurrë mundimin të përgënjeshtrojnë një mashtrues kronik si Vuçiqi.

Në një raport nën varësie atëherë mund të themi, që nëse e vërteta e Serbisë është Kosova, e vërteta e Kosovës sot është Albin Kurti. Dhe ata kush do t’a përgënjeshtrojnë vetvetiu bien me këmbë në kurthin që vetë kanë ngritur gjithë këto vite, në kurthin e të vërtetës.

E VËRTETA ËSHTË LIGJ! Ky është postulati i Albin Kurtit! Me anë të kësaj formule Albin Kurti edukon të gjitha palët në lojë që t’a respektojnë ligjin, me çdo kusht, dhe në të gjitha nivelet. Atë që pozita e djeshme kurrë nuk mori mundimin t’a bënte.

Parakushti i të vërtetës është forca e ligjit. Nga niveli më i ulët, ai i rregullit publik në veri të Kosovës, i cënuar nga banditët “non grata”, duke vazhduar me Ligjin Kushtetutes kundër Vuçiçit e Listës Serpska kur trajtohet Asocacioni, me Ligjin Ndërkombëtar i cënuar vazhdimisht nga kapriçot e Putinit me rezolutat e rrufeshme në OKB kur trajtohet “çështja e Kosovës”, deri në fund tek shkalla më e lartë e gjykimit, Ligjin e Zotit. Sepse nëse feja e dikujt është shqiptarizmi, besimtarët e vërtetë, duhej t’a paraprinin të vërtetën duke e respektuar Ligjin, dhe jo ta zëvëndësonin me Ligjin e më të Fortit. Sikur të ishin pak besimtarë, sot do të komunikonin në unison kredon e vërtetësisë me liturgjinë e harmonisë pozitë/opozitë.

Lexo më shumë  Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë – dronët që u përdoren ndaj Izraelit janë “Shaheed”, mijëra të tillë i ka edhe Serbia

Por opozita e Kosovës dhe shpura e analistëve të kapur, vazhdojnë të mos reflektojnë. Kanë ngelur peng i së shkuarës, janë në gjëndje të vërtetojnë vetëm një të vërtetë: përgënjeshtrimin e vetes.

Nuk kanë kuptuar akoma që e vërteta deklarohet, por pastaj dëshmohet.

Ukshin Hoti, Adem Jashari dëshmuan të vërtetën! Ranë dëshmorë për të dëshmuar të vërtetën tonë. Nuk u vetëflijuan për të bërë koalicion qeveritar me këlyshët e Millosheviçit, ose akoma më keq, tregti apo biznes me tokat dhe kufijtë e Kombit.

Sot Vuçiqi ka hequr dorë të përgenjeshtrojë Albinin, prandaj e vetmja rrugë që i ka ngelur është kërcënimi, me armët e Putinit. Kurse opozita vazhdon akoma të dëshmojë pjesërisht të vërtetën e Serbisë dhe të Rusisë. Tani që lufta e Putinit ndaj Perëndimit është luftë e hapur dhe i interesuari kryesor ka synimin ta përshkallëzojë konfliktin sa më shumë dhe ku mundet, prapë opozita vazhdon avazin e sulmit ndaj Qeverisë, duke u harmonizuar bujarisht me deklaratat e lobistit serb Grenell. Pak a shumë marrin funksionin e Ramës që me gjuhën amtare reklamon Ballkanin e Hapur serb dhe pozitën e vështirë të Serbisë para perëndimit.

Opozita në Kosovë dhe Rama me ushtrinë e tij deklarojnë në gjuhën amtare fjalët e hasmit!

Albin Kurti, me intervistën e dhënë në gazetën italiane, La Reppublica, nuk bëri asgjë tjetër veçse dëshmoi gjëndjen e konfliktit të ngrirë që këtu e 20 e ca vjet në kufi me Serbinë. Ai vetëm lajmëroi opinionin publik italian, në prag të zgjedhjeve parlamentare, që pararoja e bazave Ruse, nuk ndodhet në Transistria të Moldavisë, por 400 km në vijë ajrore nga bregdeti italian, aq sa është rrezja ushtruese e raketave balistike të prodhimit rus S400.

Nëse deri tani veriu i Kosovës ishte vetëm problemi ynë, siç ishte Krimea për Ukrainasit, së shpejti mund  të bëhet edhe problem i tyre. I ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka Italia si pjesë e Quintit, dhe për momentin e veçantë të luftës në Ukrainë dhe turbullirave në Ballkan, Kurti i dha shtysën italianëve të reflektojnë në të ardhmen dhe mos ripërtërisin gabimet e njëhershme kur shihnin Putinin me sytë e Berluskonit.

Lexo më shumë  Kurti e Konjufca nderojnë të rënët në Sllovi të Lipjanit

Asnjë nga partitë politike, edhe ato të financuara energjikisht nga Putini nuk i thirrën skandalit se Kryeministri i Kosovës po frikëson qëllimisht popullin italian, aq më shumë kur mbi policinë italiane nuk po shtie ndokush për çdo ditë. Me intervistën e tij, kryeministri Kurti u dha një përkrahje gjithë atyre opinionistëve gazetarë, si Paolo Mieli, historian i nderuar që nënvizon një veti përsëritëse të historisë; paçka gënjeshtrave, manipulimeve, dizinformatave, diktatorët si Putini, “deklarohen gjithmonë për qëllimet e tyre agresore”. Ai e kishte deklaruar që do të çlironte Donbasin dhe Krimean dhe më tej do t’i kthente nën sovranitetin rus sepse i përkasin botës rusofone. Si dikur Hitleri deklarohej për “hapësirën jetike” dhe pushtonte Europën, apo si Millosheviçi që deklarohej gjithashtu për mbrojtjen e serbëve kudo që ndodheshin si pretekst për të jetësuar ish-Jugosllavinë serbe.

Pse mos t’i besohet atëherë Putinit që thotë qartë se Kosova është shtet i rremë dhe pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, apo edhe deklarimit se Rusia do t’a mbroj Serbinë me çdo mjet në dispozicion?

Pse baza ushtarake e Rusisë nuk është në kufi me Hungarinë me Rumaninë, ose me Kroacinë por me Kosovën? Cfarë ditka opozita, që Qeveria e Kosovës dhe shqiptarët në veri nuk e dinë? Përse opozita, kur ishte në pozitë për dy dekada, nuk e shtritu sovranitetin në veri të Kosovës? A mos vallë nuk donin të friksonin shqiptarët e Kosovës? Po shqiptarët që jetojnë mes serbëve, përtej Ibrit, përse nuk janë problem për opozitën në Kosovë? A mos janë tepricë kombëtare si popullatë?

Dramaturgu i famshëm rus Cekov, thoshte se ”nëse në skenë ka një armë, herët a vonë para se të mbyllet drama, ajo duhet të shkrepi”.

Dhe në rast se ndodh, serbët dhe Putini do gjejnë atë që kërkojnë, sepse autoritetet e Kosovës do të imponojnë ligjin dhe nuk zmbrapsen nga detyra. Ata janë besimtarë të sovranitetit të tyre, dhe besimtarët nuk i druhen të vërtetës.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *