KryesoreOpinion/Aktualitet

Për Srebrenicën, për shqiptarët, për Njerëzimin!

Shkruan Ruben Avxhiu, 23 maj 2024

Vota e sotme në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York ishte një fitore për kujtimin e viktimave të genocidit në Srebrenicë dhe një dështim publik i Presidentit Vuçiq dhe Serbisë.

Ajo ishte gjithashtu një kujtesë se si do të mund të kishte përfunduar një votë për anëtarësinë e Kosovës në OKB. Si dhe që vetëm vetoja e Rusisë dhe mbase ajo e Kinës pengojnë që Kosova të bëhet pjesë edhe në këtë organizatë ndërkombëtare.

Rezoluta për genocidin në Srebrenicë do të ishte një nga vendimet e shumta me vlerë të kufizuar simbolike që aprovohen vazhdimisht në Asamblenë e Përgjithshme. Boshnjakët dhe miqtë e tyre në botë e përkujtojnë çdo vit Srebrenicën gjithësesi.

Por, rezoluta u kthye në një shpullë në fytyrë për nacionalistët serbë pikërisht sepse ata i dhanë rëndësi të madhe asaj duke u përpjekur ta ndalonin. Në vend që të bashkoheshin me propozuesit dhe ta mbështesnin rezolutën duke pretenduar se kjo Serbi e sotme është ndryshe nga ajo e Millosheviqit, ata bënë të kundërtën.

Duke u përpjekur që me lutje, mashtrime, oferta e joshje, me lajka dhe presione, e me skena të shpifura teatrale për ta sabotuar rezolutën drejtuesit serbë me Presidentin Vuçiq në krye dëshmuan fytyrën e tyre të vërtetë, të apologjistit të krimeve të kryera. Dëshmuan se kjo e sotmja është po ajo Serbi e cila gjatë viteve 1990 i vuri zjarrin ish-Jugosllavisë, armatosi kriminelët, masakroi civilët e zbatoi spastrimin etnik.

Lexo më shumë  Kurti në Ferizaj: Nga Amerika po blejmë raketa dhe do të blejmë edhe helikopterë

Në vend që të dënonin dhe distancoheshin nga masakrat si ajo e Srebrenicës, Vuçiqi dhe regjimi serb tentoi të varroste të vërtetën, të mohonte krimin, të shfajësonte kriminelët. Kjo sjellje nuk është asgjë tjetër përveçse premtim që vetëm rrethanat dhe pafuqia i pengojnë nacionalistët serbë që t’i përsërisin këto krime. Refreni i tyre për kthimin e ushtrisë në Kosovë nuk është gjë tjetër veçse ëndërr për revansh historik.

Tragjedia e Srebrenicës ka rëndësi të madhe historike për ne shqiptarët. Masakrimi i mbi 8,000 burrave dhe djemve të rinj boshnjakë nga serbët e Mladiqit ishte një nga faktorët që bindën botën se përsëritja e një Bosnje të dytë nuk mund të lejohej në asnjë mënyrë në Kosovë. Fantazma e Srebrenicës ishte mbi kokën e udhëheqësve të vendeve anëtare të NATO-s kur ranë dakord që të ndërhynin në Kosovë.

Tragjedia e tyre u kthye në fitoren tonë. Ndëshkimin që bota ua kurseu në 1995, e morën katër vjet më vonë në Kosovë. Për këtë asnjëherë nuk duhet ta harrojmë Srebrenicën. Masakrat, përdhunimet, dhe varret masive në Kosovë dëshmuan se Serbia ishte po ajo e luftrave të mëparshme, se Dejtoni vetëm sa kishte bindur kriminelët në Beograd se ishin të paprekshëm dhe se mund ta përsërisnin krimin edhe kundër shqiptarëve. Kësaj here luftës së UÇK-së dhe rezistencës së drejtë prej vitesh nën udhëheqjen e Presidentit Rugova u erdhën në ndihmë bota demokratike dhe Aleanca Atlantike. Kosova u çlirua dhe sot është e pavarur.

Lexo më shumë  Përgatituni t’ia uroni Albinit fitoren, si Trumpit, dhe mos t’ju mbysë xhelozia!

Ishte po kjo botë demokratike që udhëhoqi betejën për të vërtetën sot në OKB. Po të shohësh votat kundër – ato janë me ndonjë përjashtim të rrallë – një paradë e diktaturave të kohës sonë. Rusia, Bjellorusia, Kina, Koreja e Veriut, Siria e kriminelit Bashar Asad, Kuba, e disa satelitë të vegjël të Kremlinit nëpër botë.

Lufta për të vërtetën e asaj kohe, për të vërtetën e Srebrenicës, për të vërtetën e Kosovës nuk janë çështje nacionalizmi për ne. Janë kauza mbarënjerëzore. Historinë duhet ta tregojmë dhe ta mbrojmë me zë të lartë. Nëse nuk e bëjmë, agresorët dhe kriminelët, trashëgimtarët dhe mbështetësit e tyre do ta rishkruajnë historinë e do të përdhosin viktimat e krimeve të tyre. Do t’i vrasin përsëdyti e do të bëjnë që sakrifica e tyre të shkojë kot. Kjo nuk mund të lejohet.

Sot ishte një ditë e mirë për Njerëzimin.

YouTube player