Opinion/Aktualitet

Për kombin tonë çështja e shamisë nuk është aspak çështje ligjore, është çështje fundamentale kulturore

Nga Donik Sallova

– Për kombin tonë çështja e shamisë nuk është aspak çështje ligjore, është çështje fundamentale kulturore. Pra, nuk është çështja aq e thjeshtë se “a kanë të drejtë” apo jo. Një dilemë tjetër është në thelb të kësaj teme dhe ka të bëj me orientimin tonë kulturor. Duam të shkojmë kah Lindja apo kah Perëndimi? Me kë duam të identifikohemi? Kush jemi dhe kush duam të jemi? A jemi europianë vetëm në kontekstin gjeografik e historik, apo jemi perëndimorë edhe në kontekstin kulturor e vleror?

– Argumenti kryesor i atyre që e “justifikojnë ligjerisht” shaminë është se “në Perendim po u lejuaka barjtja e saj kudo e nga kushdo”. Po kjo është e vërtetë në shumë raste, por vetëm sepse ata janë pakicë dhe Perëndimi i toleron pakicat. Le të provojnë të bëhen shumicë e t’i ndryshojnë fundamentet e Perëndimit dhe do ta shikoni nëse do të lejohen. Në Kosovë ka fundamentalistë islamikë që nuk i duan themelet perëndimore të Kosovës.

– Në thelb të modernitetit perëndimor qëndron distancimi i fesë nga publikja dhe reduktimi i saj kryesisht në simbolika festive (Krishtlindje e Pashkë). Laicizmi ka të bëj jo veç me ndarjen e fesë nga shteti, por edhe me indiferencën e shoqërisë ndaj mistikes në përgjithësi, ku bën pjesë edhe religjiozja. Në shoqëritë perëndimore kjo indiferencë u arrit me emancipim përmes shkollimit në universitete që prej shekujsh ia kishin marrë Kishës “monopolin mbi të vertetën”. Në Perëndim feja nuk është rruga publike e së drejtës, të moralshmes apo të mirës. Feja është rruga private e cilitdo në raportin intim-shpirtëror me hyjnoren-mistiken.

Lexo më shumë  Pozicionimi i Perëndimit ndaj Serbisë, qëndrimi i opozitës dhe  Sindromi i Fregolit

– Qytetërimi modern perëndimor ka në thelb humanizmin, pra njeriun në qender, njeriun racional, njeriun e lirë, njeriun e çliruar nga dogma, njeriun që para së gjithash i beson njeriut. Prandaj, kjo çështje e parësorizimit të identitetit fetar përmes shamisë tek vajzat e mitura në shkolla publike është çështje e kahjes kulturore dhe qytetrimore të një shoqërie. Do ta konsiderojmë shkollën si instrumentin e ndërtimit të qytetarit të ditur apo si arenë ku diferencohet besimtari nga jo besimtari, e devotshmja nga e padevotshmja? A është humane që fëmijëve nën ndikimin e të rriturve t’ua imponojmë këtë kategorizim paragjykues?

– Në rastin e kombit tonë ruajtja e joreligjiozitetit të publikes është edhe çështje esenciale e ekzistencës. Rilindasit tanë duke e ditur që një komb me shumicë muslimane si kombi shqiptar do ta kishte të vështirë të rikthehej i bashkuar në qytetrimin mëmë europian, e bënë parullë komb-formuese thënien e Vaso Pashës “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Jo si thirrje për konvertim, as si devalvim të fesë, por si parim politik unifikues dhe qytetrimor me të cilin do të identifikohej shteti kombëtar dhe publikja shqiptare.

Lexo më shumë  Shteti bektashi ka planifikuar rrëmbimin e Mësonjëtores së Korçës

– Këta që janë bërë bartës të iniciativës për realizimin e kësaj “të drejte” për shami, duke u mbeshtetur në instrumentin e Perëndimit mbi “të drejtat universale”, nuk është se janë dashamirë fort të mëdhenj të ligjshmerisë liberale-demokratike. Ata po e përdorin këtë instrument të barazisë që buron nga liria për ta zgjeruar gamën e orientimit të Kosovës kah Lindja. Orientimi kah Lindja para së gjithash do të thotë koncept reduktues mbi lirinë, në këtë rast mbi lirinë e grave për të qënë të barabarta me burrat në të veshur, e pastaj pas këtij “triumfi” edhe me kërkesën për ripërkufizim të lirive të tjera, që vjen natyrshëm në një shoqëri ku identiteti fetar bëhet identiteti parësor i qytetarit. Zoti i ka dhënë njeriut më pak liri se ç’i ka dhënë ai vetes dhe në modernitetin perëndimor kjo është e papranueshme!

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *