“Për këtë lloj infrastrukture duhet përgjegjësi e lartë”, Ministri Hajrulla Çeku flet për stadiumin e Suharekës
Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Hajrulla Çeku ka folur në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës për çështjen e stadiumit të Suharekës.
Më 21 shtator të këtij viti, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj e publikoi projektin për ndërtimin e stadiumit në komunën e tij, raporton KosovaPress.
Projekti ideor për ndërtimin e këtij stadiumi ekziston sipas Muharremajt, dhe i takon kategorisë së katërt me plot 17 mijë ulëse.
Çeku: Ky projekt as nuk ka arritur në MKRS
Tani, për këtë ka folur ministri Çeku, i cili tha se ky projekt as nuk ka arritur në MKRS, ndërsa shtoi se nuk përkon me kategorinë ku është listuar në listën e MKRS-së për stadiume.
“Nëse është fjala për projektin e publikuar para disa ditësh në rrjetet sociale e në media, projekti i plotë për informimin tuaj as nuk ka arritur në Ministrinë e Kulturës e as nuk përkon me kategorinë ku është listuar në listën tonë të stadiumeve, që është aneks i një memorandumi për të cilën kemi diskutuar e është ndarë me komunat pastaj edhe është nënshkruar nga të gjitha palët e përfshira, e këtu bënë pjesë edhe kryetari i Komunës së Suharekës”, tha Çeku.
Çeku: Për këtë lloj infrastrukture duhet përgjegjësi e lartë.
Më tej, i pari i MKRS-së tha se për këtë lloj infrastrukture duhet përgjegjësi e lartë, ndërsa zbuloi se po formohet një grup koordinues mes FFK-së, MKRS-së dhe komunave.
“Projekti i Komunës shihet se është projekt i kategorisë katër, multi-milionësh dhe me kapacitet shumë të lartë të ulëseve. Ky projekt nuk është dorëzuar as i plotë si ideor, e as i nivelit të duhur si projekt zbatues i cili kërkohet për fillimin e secilit proces, këtë e kam thënë edhe më herët, projekti zbatues është ai që na autorizon për të filluar procedurat e ndërtimit. Kjo që kemi pranuar nuk është e plotë as si projekt ideor. Për këtë lloj infrastrukture duhet përgjegjësi e lartë zonja deputete, ju e dini shumë mirë këtë çështje, duhet planifikim i hollësishëm, për çka edhe është duke u themeluar grupi koordinues me Federatën e Futbollit, komunat përkatëse dhe Ministrinë e Kulturës. Ky grup i përbërë nga profesionistë, nga MKRS, FFK dhe komunat me rotacion do të shërbejë si njësit për menaxhimin dhe monitorimin e zbatimit të planit tonë pesëvjeçar për konsolidimin e infrastrukturës së futbollit në Kosovë, gjithmonë në përputhje me legjislacionin e sportit dhe me analizat e fizibilitetit në terren, të arsyeshmërisë së ndërtimit të infrastrukturës, sidomos asaj që ka kosto të lartë, si për ndërtim por edhe për mirëmbajtje pastaj”, tha Çeku.
Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj kishte bërë të ditur se ekziston lokacioni si parcelë katastrale, në sipërfaqen 16 hektar, ku është i miratuar në PZHK dhe HZK.
Po ashtu, Muharremaj tha se ekziston projektin ideor të stadiumit të qytetit – kategoria 4 me kapacitet rreth 17 mijë ulëse.
Rruga Press