Lajme

Për herë të parë, Kosova merr vlerësim kreditor

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve e Kosovës bëri të ditur se Agjencia ndërkombëtare Fitch Ratings, ka dhënë vlerësim kreditor ‘BB-’ për Kosovën.

Vlerësimi kreditor mat aftësinë e Qeverisë për të shlyer borxhet e saj.

“Ky vlerësim kreditor do të shërbejë si një pasaportë për Kosovën për çdo investitor të huaj që është i interesuar që të shoh se a ja vlen të investohet në vendin tonë. Po ashtu do të ndikojë në uljen e kostos së financimit, që rrjedhimisht do të ketë mundësi më tepër për financim për bizneset tona”, tha ministri i Financave, Hekuran Murati përmes një video-deklarate të publikuar në Facebook.

Lexo më shumë  Paradoksi/ Ekonomia rritet, por punësimi tkurret me 20 mijë persona në Shqipëri

Kjo është hera e parë që është publikuar një vlerësim kreditor për Kosovën.

Sipas Ministrisë së Financave, kjo po ashtu “merr parasysh qëndrueshmërinë e politikave fiskale, borxhin publik, deficitin, rritjen ekonomike, sektorin bankar, dhe cilësinë e qeverisjes ndër tjera”.

Shkalla e vlerësimit të kredive sovrane: Ku qëndron rajoni?

Shkallët e vlerësimit të kredive nga Fitch bëhet duke përdorur kategoritë: AAA (Cilësia më e lartë e kredisë), AA (Cilësi shumë e lartë e kredisë), A (Cilësi e lartë e kredisë); BBB (Cilësi e mirë e kredisë), BB (Spekulative), B (Shumë spekulative), CCC (Rrezik i konsiderueshëm i kredisë), CC (Nivel shumë i lartë i rrezikut të kredisë), C (Pranë mospagesës), RD (Mospagim i kufizuar) dhe D (mospagim).

Një + dhe – shtesë nga kategoritë AA deri në CCC nënkupton dallimet relative të mundësisë së mospagimit ose rikuperimit.

Lexo më shumë  Kurti pret në kryeministri heroin nga Kosova që shpëtoj nga flakët banorët e një ndërtese në Itali

Shqipëria ka nivelin e njëjtë sikurse Kosova, me vlerësim kreditor BB-, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë vlerësimin BB+, Bosnje e Hercegovina ka B+, Kroacia ka BBB+, Gjermani AAA, Italia BBB, Greqia BBB-, kurse Pakistani CCC+.

Në vlerësimin kreditor merren parasysh shumë faktorë ekonomikë, financiarë, institucionalë e politikë, andaj ai tregon nëse shteti ka qëndrueshmëri ekonomike dhe financiare.

“Ky vlerësim kreditor e vendos Kosovën në hartën botërore të shteteve serioze me politika të qëndrueshme, duke forcuar kështu edhe më tej pozicionin e vendit dhe njohjen në arenën ndërkombëtare”, tha Ministria e Financave.

Vlerësimi Kreditor për Kosovën është mbështetur nga Agjencia e SHBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

Rruga Press

YouTube player