Opinion/Aktualitet

Për ata që u dhimbset dialogu dhe spekullojnë me popullin e Kosovës

Disa analistë të TV Klan Shqipëria u morën në intervistë para dy ditësh me pyetjen se si ata e komentojnë deklaratën e presidentes së Republikës së Kosovës lidhur me paralajmërimin e presidentit Macron për pezullimin e vizave me Kosovën. Zonja Osmani paralajmëroi ditë më parë se “nëse ndodh kjo, atëherë dialogu me Serbinë vdes njëherë e përgjithmonë”. Nuk kërcënoi. Ndërsa deklarata e Macronit ishte parlajmërim dhe kërcënim njëkohësisht, deklarata e zonjës Osmani ishte konstatim dhe paralajmërim. Cila qeveri në botë do t’i nënshtrohej një dialogu poshtërues si në rastin që përmendi presidenti francez, Macron? Asnjëra.

Por dy sejmenë të TV Klan Shqipëria thanë se “Presidentja gaboi”. Më pas Baton Haxhiu në portalin e tij pro-serb “Albanian Post” kritikoi ashpër presidenten e vendit, madje me nje gjuhë serbofone. Po kështu Kreshnik Spahiu i spahive të drejtësisë së korruptuar, nga Berlini lëshoi fetfanë se “Populli i Kosovës do ta vuajë deklaratën e Vjosa Osmanit”. Janë bërë bashkë disa. Por jo të gjithë të paguarit e Serbisë në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoninë e Veriut. Edhe opozita e Kosovës ende nuk ka folur. Megjithatë duket si në amulli, në një mjergull të çuditshme, në pritje të çudive të radhës.

Në fakt duhet parë nëse presidentja Osmani gaboi ose jo me deklarimin e saj për ikjen nga dialogu, nëse ndëshkohen qytetarët e Kosovës me pezullimin e vizave siç thotë Macron. Zonja Osmani në deklaratën e saj la të hapur çdo masë kundër liderëve politikë dhe e vlerësoi të pavend ndëshkimin e qytetarëve, edhe nëse gabojnë udhëheqësit e tyre politikë. Pikërisht këtë pjesë të fjalës se presidentes e mohojnë ose nuk duan ta lexojnë kundërshtarët e saj. Thonë se “do ta vuajë populli”. E ndërkohë thirrja e kryetares së shtetit është “Mos ndëshkoni popullin”! Macron kërcënon dy milion qytetarët e Kosovës me izolim, këta thonë se “Populli do të vuajë për shkak të reagimit të Presidentes Osmani”!?

Lexo më shumë  Aty ku pushtetarët vjedhin, shteti u takon hajdutëve!

Por të gjitha rrjedhat e zhvillimeve, së paku në këtë dekadën e fundit, më kanë dhënë provën se politikanë ose njerëz publikë shqiptarë në hapësirën ballkanike kërcënojnë shqiptarët me pasoja të rënda, gjithnjë në rastet kur X ose Y lider nuk i bën lëshime Serbisë. Ndërkaq ata politikanë që u nisën në rrugën e lëshimeve gjatë dialogut, gjithnjë e joshën ose e kërcënuan Kosovën dhe qytetarët e saj. P.sh. Hashim Thaçi kërcënoi Kosovën dhe qytetarët e saj me izolim, nëse nuk votohej Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë. Pasoja: Tani shijon frytet e gënjeshtrës së tij. Batoni së paku e di mirë këtë fakt. Po Hashim Thaçi na thoshte se “Pa marrëveshje me Serbinë, Kosova do të kalojë një situatë katastrofale”. Ose me nënshkrimin e marrëveshjes për asosiacionin në vitin 2015, Kosova do të fitonte liberalizimin e vizave. Pastaj na tha se liberalizimi i vizave do të vinte, nëse i jepej Malit të Zi territor i Kosovës. Të gjitha i nënshkroi, i votoi dhe i ratifikoi ish-presidenti i Kosovës, por liberalizimi i vizave erdhi kur Vjosa Osmani dhe Albin Kurti i vunë Serbisë “kufirin te thana”.

Batoni, analistët e Klanit, Kreshnik Spahiu e të tjerë sërish kërcënuan me “vuajtjet e popullit të Kosovës”, nëse ndalon dialogu. Në fakt kërkesa për ndalimin e dialogut ka të bëjë me vullnetin që qytetarët e Kosovës të jetojnë të lirë e të lëvizin pa viza në Europë. Këta gramafonë të Beogradit në tokën shqiptare, bëhen avokatë të interesave serbe në këto territore. Si avokat i tillë, edhe kryeministri Rama kërcënon, kur i vihet punës për të realizuar planet e projektet e Serbisë ne Kosovë e në Ballkan. A nuk thoshte edhe ai, si Batoni e Kreshniku: “Ose Open Balkan, ose luftë në rajon”?! Ku është tani Ballkani i Hapur? Po harrohet bashkë më kryeministrin e lodhur e të dërmuar të Shqipërisë. U shkërmoq bashkë me pushtetin e korruptuar dhe të degjeneruar të tij.

Lexo më shumë  Profesori shqiptar nga Londra: Në Britani të Madhe i gjithë spektri politik është pro Kosovës

Ne na duhen mësimet, së paku nga pësimet, që të kuptojmë se kush i shërben armiqve të kombit tonë. Edhe si kryhet ky shërbim i shëmtuar. Nëse kthehemi në kohë para dhjetë vitesh e deri më sot mund të na vijnë në mendje qindra shembuj, deklarata, pohime në intervista, në të cilat dallojmë qartë se ku është e keqja dhe ku është e mira. Pas kësaj eksperience tragjike me përpjekje deri ndarje territoresh nuk na lejohet të ndjekim këshilla e kërcënime, ndjellje fatkeqësish, si ato të Batonit, Kreshnikut dhe sa e sa të ashtuquajturve analistë dhe njerëz publikë.

Besoj se ka ardhur koha ta bëjmë përfundimisht dallimin se kush është e mira jonë. Deri tani përjetuam dy eksperenca, atë të paraardhësve të Vjosës e Albinit, për të cilët Batoni e Kreshniku derdhin ende lot dhe këtë eksperiencën e sotme të atyre që udhëheqin Kosovën. Të parët ishin për kompromise në dialog në emër të “së mirës së qytetarëve të Kosovës”. Të dytët janë kundër kompromiseve që e shkatërrojnë të sotmen e të ardhmen e Kosovës. Çfarë duhet të besojnë njerëzit? Kritikat, reagimet, justifikimet e kundërshtarëve të qeverisjes së sotme dhe këshilltarëve të qeverisjes së djeshme, apo realitetin në të cilin veprojnë institucionet e Kosovës sot?

Rruga Press

YouTube player