Pedagogët paralajmërojnë grevë urie: Qeveria ka dy ditë afat
Pedagogët ashtu sikurse kishin palajmëruar, janë mbledhur sërish para Universitetit Politeknik të Tiranës, duke bojkotuar për të tretën javë me radhë që nga nisja e vitit të ri akademik.
Pavarësisht se të paktë në numër, ata kanë dalë në protestë ku i bëjnë thirrje strukturave shtetërore të kthejnë sytë nga arsimi.
Kreu i sindikatës së pedagogëve, Sandër Kovaçi nuk përjashtoi edhe një grevë urie.
“Lëvizja jonë universitare, lëvizje e pastër intelektuale e shpirtit të lirë. Nuk është e sponsorizuar as nga rublat ruse, lirat turke apo paratë e pista të oligarkisë shqiptare. Në këtë betejë e kemi filluar prej tre vitesh, por të specifikuar prej dy muajsh këtë peticion shoqëruar me 6 javë protesta. Deri tani qeveria ka treguar që s’ka vesh për të dëgjuar kërkesat tona. Ajo ofron vetëm zgjidhje kozmetike dhe ato në trajtë printimesh dhe ofron intimidime që të heqim dorë. Në këto kushte pas një diskutimi me stafet është propozuar të kalohet protestë në trajtën e grevës së urisë. Dhe në këtë fazë mund të bëjë efekt. I kërkojmë një po të madhe në këtë akt. Deri të mërkurën i lëmë kohë për zgjidhjen e kërkesave tona. Të mërkurën në orën 16:00 të jemi këtu përpara universitetit politeknik për grevë”, deklaroi Kovaçi.
Ata thonë se kërkojnë mbështetje aktive nga kolegët, studentët, por edhe qytetarët shqytarë.
“Ju përulemi studentëve. Ky nuk është vetëm aksioni ynë, por është aksioni i përmirësimit të mësimdhënies. Në do t’i zëvendësojmë orët dhe shumë shpejt do të dalim me fitore”, shprehen pedagogët.
Protestës së pedagogëve i janë bashkuar dhe dy deputetët e opozitës Dashamir Shehi dhe Bujar Leskaj.
Pedagogët kanë kërkuar përmirësimin e kushteve në universitete. Ata kanë hartuar një plan me nëntë pika, ku kryesoret për ta janë rritja e pagave dhe përmirësimi i veprimtarisë shkencore, si një hap i domosdoshëm ky për zhvillimin e shoqërisë.
Pedagogët e disa universiteteve publike kanë dalë sërish në protestë këtë të hënë, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre, më kryesorja rritja e pagës me 50%.
Kërkesat e pedagogëve
-Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
-Rritja e financimit për kërkimin shkencor
-Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘dëm shëndeti në punë’
-Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë
-Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
-Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosfierencimit të orës mësimore të leksionit.
-Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
-Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
-Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.
Rruga Press