Peci: Rendimentet e grurit mund të mbulojnë rreth 70 për qind të tregut
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se niveli i rendimenteve të grurit për këtë vit është rreth 4 tonë për hektar, nga 66 mijë sosh sa kanë qenë të mbjella.
Ai shtoi se nëse kalkulojnë me numrin e popullsisë ky nivel i grurit mund të mbulojë rreth 70 për qind të tregut vendor.
Peci, në konferencë për media pas mbledhjes së qeverisë tha se s’ka vend për shqetësim sa i përket furnizimit me grurë, pasi edhe ka stabilizim të tregjeve ndërkombëtare.
“Këtë vit Kosova ka rekordin e të mbjellave në të gjitha kulturat, posaçërisht në sektorin e drithërave. Mbi 66 mijë hektar janë të mbjella vetëm me grurë, niveli i rendimentit sillen diku afër 4 ton për hektar Nëse i kalkulojmë me numrin e popullsisë dhe standardet ndërkombëtare sa kërkon konsumimi ditor, ne me këto të mbjella nëse e gjithë sasia e grurit dedikohet vetëm për konsum të qytetarëve, mund të themi se kemi diku rreth 70 për qind të mbuleshmërisë së tregut. Mirëpo, ka shumë raste kur fermerët nuk zgjedhin të deponojnë sasinë e grurit, por e përdorin për kafshë ose shpezë. Ajo çka mund të them është se nuk ka vend për shqetësim, tashmë kur kemi edhe një stabilizim të tregjeve ndërkombëtare”, theksoi ai.
Në anën tjetër, zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi tha se forcimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës është pikë strategjike e tyre.
Ajo tha se nuk është përfaqësuese e Bashkimit Evropian për të ditur se kur mund të largohen masat ndëshkuese ndaj Kosovës, por nënvizoi se Kosova i ka ndërmarrë të gjitha hapat që burojnë nga marrëveshja e Bratisllavës për shtensionimin e situatës në veri dhe se tashmë po presin përgjigje nga BE-ja.
“Një prej pikave kryesore në rrugëtimin tonë strategjik është forcimi i subjektivitetit tonë ndërkombëtar dhe avokimit për të mbrojtur Republikën e Kosovës. Kjo është puna jonë e përditshme në baza ditore që ne komunikojmë me të gjitha shtetet, njohëse dhe jo njohëse që me avancu rolin e Kosovës, por edhe të njëjtën kohë me plasu qëndrimin e Kosovës përmes misioneve tona diplomatike dhe konsullore”, theksoi ajo.
Rruga Press