PDK dhe LDK kanë amnistuar kriminelë edhe më herët, me ligj
Nga Jeton Zulfaj
Po marr shkas nga ky status i radhës i Agon Maliqit, profili i të cilit është i mbushur me urrejtje dhe statuse ogur-zeza ndaj qeverisë së Kurtit dhe ndaj Kryeministrit Kurti.
Si fillim, ia vlen të theksohet se dialogu strategjik me SHBA-në ka nisur gjatë qeverisë Kurti, e nëse hyni në profilin e Agonit, një gjë e tillë do të ishte e pamundur sepse bie në kundërshtim të plotë me analizën e tij ditore se si Albini është anti-amerikan.
T’i kthehemi statusit të fundit të Agonit.
Më 11 korrik 2013, LDK, PDK e AAK miratuan Ligjin e Amnistisë me 90 vota, duke falur kriminelë të strukturave të Serbisë në Kosovë dhe duke i kthyer në qytetarë “të respektuar”. (Ligji: https://gzk.rks-gov.net/ActDetail.aspx?ActID=8895).
Pyetja është se kush na garanton se nëse rikthehen nesër të njëjtit në pushtet nuk do ta amnistojnë edhe Milan Radoiçiqin? Serbia në fakt këtë po pret.
Agon Maliqi sot na e shet “mendimin strategjik” se Radoiçiq nuk është problem i Kosovës, sepse “u shpartallua brenda ditës nga Policia e Kosovës dhe NATO” dhe se “nuk ka të ardhme as në Serbi”. Fakti që Radoiçiq nuk është i arrestuar, nuk është në burg dhe jeton në një hotel luksoz i mbrojtur nga regjimi i Serbisë, nuk përbën aspak problem e shqetësim për Agonin.
Agoni së pari e tej thjeshton faktin që Radoiçiq u shpartallua brenda ditës, nga Policia e Kosovës dhe (sipas tij), NATO. Për rolin e Policisë së Kosovës në shpartallimin e Radoiçiq, ku dha jetën heroi Afrim Bunjaku, të gjithë jemi në dijeni, por për rolin konkret të NATO-s në shpartallimin e Radoiçiq, mbase Agoni do të shkruaj një status të radhës.
Statusi i Agonit ngreh shumë pyetje: Nëse paska qenë shumë lehtë shpartallimi i Radoiçiq pse nuk u shpartallua më herët? Pse veriu i Kosovës ishte nën kontroll të Radoiçiq ku sundimi i ligjit ishte ZERO dhe ku lulëzonte krimi i organizuar? A nuk ishte NATO e gatshme ta shpartallonte?
Në fakt, Policia e Kosovës ishte e gatshme gjithmonë, por qeveritë e kaluara ishin peng i votave të Radoiçiqit, që para se të ngrinte dorën në Kuvend shkonte në Beograd për të marrë aminin e Vuçiqit. Kjo është e vërteta që Agoni e “harron”.
Agoni po ashtu injoron argumentin kryesor. Që qasja për të luftuar Radoiçiqin dhe për të çliruar veriun nga banda e tij, e rrjedhimisht nga ndikimi Serbisë, ishte ajo që shpesh të konfronton me aleatët. Dhe mbase për një arsye të thjeshtë: që aleatët shpesh preferonin më shumë status-quon si prezencë e integrimit dhe stabilitetit të rrejshëm se sa veprimet e vërteta të sundimit të ligjit nga qeveria që sjellin stabilitet dhe integrim afatgjatë.
Por, me qasjen dhe logjikën e Agonit, që në statuset e tij argumenton që asgjë nuk duhet bërë pa koordinim me aleatët, veriu i Kosovës sot do të mbetej nën Radoiçiq. Nëse kishim ndjekur këshillat e Agonit status-quo-ja do të ishte e përhershme në veri të vendit.
Nëse pajtohemi që veriu është dashur çliruar, që ndikimi i Serbisë është dashur të largohej dhe për të arritur këtë Radoiçiq dhe banda e tij së bashku me strukturat paralele është dashur shpartalluar, atëherë i bie që status-quoja që e ka mundësuar sundimin e Radoiçiq në veri dhe ndikimin e Serbisë në Kosovë është dashur të prishej. E rrjedhimisht nëse aleatët tanë kanë preferuar status-quo, mos-pajtimi me ta në këtë çështje ka qenë i pashmangshëm. Ky ushtrim i thjeshtë logjik i nxjerrë të gjithë agonët në kundërthënie, por duket që beteja e tyre nuk është logjike.
Qasja që solli daljen nga stauts-quoja ka qenë përmes formulës së sundimit të ligjit, që në thelb është zbatim i pa-kushtëzuar i Kushtetutës që e kanë sjellë ndërkombëtarët përmes Pakos së Ahtisaarit, në çdo cep të vendit.
Rrjedhimisht, qasja e Kryeministrit Kurti ka qenë e drejtë edhe si qëllim edhe si rezultat. Në fakt koordinimi me aleatët është zbatimi i Pakos së Ahtisaarit që e sollën aleatët dhe ndërkombëtarët dhe zbatimi i Kushtetutës. Por zbatimi në tërësi e jo në disa pjesë të territorit.
E sundimi i ligjit nuk është kundër asnjë qytetari por për të gjithë qytetarët.
Por, kjo qasje prodhon, here pas here, siç e kemi parë, mos-pajtimet me aleatët të cilët kanë preferuar status-quon.
Por ne nuk duhet të harrojmë që jetojmë në Kosovë. Shqetësimet tona për rolin dhe qasjen e Serbisë jo çdoherë përputhen me shqetësimet e aleatëve sepse ata nuk i kanë domosdo shqetësimet tona ndaj fqinjit verior.
Sigurisht, qeverisë i takon të bëjë të pamundurën që çdo hap ta bëjë sa më të qartë e çdoherë brenda kufizimeve të kushtetutës dhe ligjit, por në fund të ditës roli primar i qeverisë është mbrojtja e kushtetutës dhe mbrojtja e interesave afatgjate të Kosovës. Që problemet që i trashëguam ne si qeveri të mos ja lëjmë gjeneratave që vijnë.
Orientimi dhe rreshtimi i Kosovës me aleancën transatlantike është treguar i qartë dhe i hekurt.
Çdoherë e linjëzuar me politikën e jashtme të BE-së dhe SHBA-së. Ka sanksionuar federatën ruse për agresionin në Ukrainë. Ka promovuar më shumë se asnjëher vlerat e përbashkëta me SHBA-të dhe BE-në me ngritje në indekset e sundimit të ligjit në World Justice Project, në luftën kundër korrupsionit në Transparency International, në demokracinë elektorale dhe liberale në V-Dem Institute dhe liritë civile e politike në Freedom House.
Roli edhe i qeverië edhe i shoqërisë në tërësi, është që, nëse pajtohemi me rezultatet e sundimit të ligjit në veri, të bindim aleatët së bashku që mbrojtja e interesave të Kosovës, sidomos karshi Serbisë, është edhe në interes të aleatëve tanë pasi Serbia dhe Rusia kanë të njejtin mentalitet, atë të zgjerimit të kufijëve në dëm të shteteve fqinje.
Sot merret i mirëqenë fakti që nuk kemi kamiona që bllokojnë rrugët në veri të vendit, apo fakti që Posta e Kosovës ofron shërbime postare për herë të parë edhe në veri të vendit, së bashku me zyrat për regjistirmin e bizneseve; që s’ka më qarkullim të dinarit; që bankat e vetme janë ato me pëlqimin e Bankës Qendrore të Kosovës, apo që kalimi i kufirit bëhet me ID dhe logo të republikës pa letra shtesë, e që targat e Kosovës nuk duhet ndërruar në kufi, apo që mund të udhëtosh në veri e në jug të Mitrovicës pa frikë, e që dhjetra struktura paralale të Serbisë që sfidonin autoritetin e shtetit nuk janë më.
Të mohosh këto arritje është mohim i realitetit dhe shpërfaqje e injorancës,
Të pretendosh që kjo ishte e lehtë, është në njërën anë legjitimim i argumentit se qeveritë e mëparshme ishin të paafta, pasi paska qenë fare lehtë, por edhe mohim i realitetit të mbi një dekade pas pavarësisë të tolerimit të strukturave parlele dhe sundimit të Radoiçiq.
Si shoqëri, duhet të mësojmë të mbështesim gjithmonë shtetin, sepse ai është themeli i lirisë dhe të drejtave tona. Qeveritë ndërrohen dhe ato duhet të kritikohen kur nuk janë në lartësinë e detyrës, por edhe të mbështeten kur veprojnë drejt dhe e forcojnë republikën.
Qasja e qeverisë Kurti në veri ka qenë dhe mbetet e drejtë, dhe si pasojë, shteti ynë sot është më i fortë dhe qytetarët më të sigurtë.


Rruga Press

