PD proteston brenda dhe jashtë Kuvendit
•Opozita ka paralajmëruar një protestë për ditën e sotme, e cila do të mbahet përpara Kuvendit, ndërkohë që brenda në godinë do të zhvillohet seanca e radhës. Në orën 09:30 të mëngjesit, në selinë e Partisë Demokratike do mbahet një mbledhje e Këshillit Kombëtar. • Pas përfundimit të mbledhjes, protestuesit e mbledhur para selisë do të marshojnë drejt Parlamentit së bashku me kreun e demokratëve, Sali Berisha. Protesta bashkë me seancën plenare do të nisin në orën 10.00 të mëngjesit, por ende nuk dihet sesa do të zgjasë.
Nga ana tjetër vetë kryedemokrati Sali Berisha dhe tre deputetë të PD-së nuk do të jenë prezent në sallë. Kjo pasi dje, Komisioni i Etikës i ka përjashtuar nga Kuvendi. Berisha dhe Flamur Noka janë përjashtuar për 10 ditë, ndërsa Edi Paloka e Belind Këlliçi, për 5 ditë. • S’dihet nëse Rama do të marrë pjesë në seancën e sotme, por Berisha u ka bërë thirrje protestuesve që ta pengojnë të futet në Parlament.
Rruga Press