Opinion/Aktualitet

Pazari me Pashalimanin, Artur Meçollari nxjerr prapaskenat e forta, ja si i përzuri Edi Rama holandezët dhe u hapi…

Pazari me Pashalimanin, Artur Meçollari nxjerr prapaskenat e forta, ja si i përzuri Edi Rama holandezët dhe u hapi dyert italianëve, u shkel vendimi i Bordit të Modernizimit

Pazari i dyshuar me bazën e Pashalimanit ka reaguar në rrjetet sociale, ndërsa ka rikthyer në vëmendje debatet për industrinë detare në vend, teksa ish-komandanti i Forcave Detare, Artur Meçollari, ka bërë publike disa prapaskena të forta. Sipas tij, bashkëpunimi i suksesshëm me kompaninë holandeze Damen Shipyards u ndërpre në mënyrë të pashpjegueshme, pavarësisht investimeve dhe rezultateve konkrete. Ai thekson se në kantierin e Pashalimanit u ndërtuan tre anije moderne me mbështetje f inanciare të konsiderueshme nga qeveria holandeze, duke krijuar edhe vende të kualifikuara pune.

Meçollari akuzon se, ndonëse kishte kërkesa të vazhdueshme për rinovimin e kontratës me Damen, vendimmarrja politike ndryshoi drejtim. Ai përmend edhe një takim të drejtpërdrejtë me kryeministrin Edi Rama, ku ishte premtuar vazhdimi i bashkëpunimit. Madje, në vitin 2020, Bordi i Modernizimit i Forcave të Armatosura miratoi projektin për lidhjen e kontratës me kompaninë holandeze. Megjithatë, sipas tij, ky vendim u anashkalua kur në vitin 2025 u firmos një Letër Qëllimi me kompaninë italiane Fincantieri. Meçollari e konsideron këtë si shkelje të drejtpërdrejtë të procedurave dhe një goditje për kapacitetet ekzistuese vendase.

Ai shton se sot kantieri operon me shumë më pak punonjës dhe me funksione minimale, larg standardeve të dikurshme. Ndërkohë, marrëveshja e fundit për krijimin e një sipërmarrjeje të përbashkët me palën italiane synon zhvillimin e industrisë detare në Shqipëri. Por kritikat mbeten të forta mbi mënyrën se si u braktis bashkëpunimi me holandezët dhe pasojat që kjo ka sjellë për flotën dhe mirëmbajtjen e saj. “Ky ishte Kantieri i Ndërtimit të Anijeve në Pashaliman deri në vitin 2014 (shikoni videon). Ai që shkatërron, nuk ndërton dot. Por, beson se po shpik rrotën. U ndërtuan 3 anije, nga 4, në bashkëpunim me kompaninë hollandeze DAMEN Shipyards.

Nga 32,4 milion euro, 14 milion ishin grant i Qeverisë Hollandeze. Kishte 180 punëtor, nga të cilët 80 të certifikuar. Sot, ka 35 punëtorë, bashkë me administratën, dhe bën vetëm lyerje dhe saldime. Nga viti 2014 deri 2019 Forca Detare ka kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes kontrat me DAMEN Shipyards: Në 2019 KM Rama ka takuar në zyrën e tij pronarin e kompanisë DAMEN shipyards dhe i premtoi bashkëpunim (kam qënë prezent në takim): Në vitin 2020 Bordi i Modernizimit i FA miratoi projektin për lidhjen e kontratës me kompsninë DAMEN Shipyards: Në vitin 2021 filloi faza e parë e vlerësimit të gjendjes së anijeve nga Damen Shipyards: Në vitin 2025 Ministri Vëngu nënëshkroi Letër of Intent me kompaninë italisne FINCANTIERI, duke shkelur vendimin e Bordit të Modernizimit

Lexo më shumë  Azizi i VLEN-it: Ali Ahmeti po e sulmon Albin Kurtin sepse ky i fundit ia prishi “jaraninë” me Vuçiqin

. Nga viti 2014, 12 vjet anijet e prodhuara në Pashaliman, Stan Patrol 4207, me hollandezët janë pa mirëmbajtje”, shkruan Meçollari. Çfarë ka ndodhur? Ndërkohë kujtojmë se pak ditë më parë në Tiranë u firmos marrëveshja për krijimin e një sipërmarrjeje të përbashkët mes kompanisë italiane Fincantieri dhe shoqërisë shtetërore Kayo, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, për zhvillimin e industrisë së ndërtimit dhe mirëmbajtjes së anijeve në vend.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të kryeministrit Edi Rama dhe parashikon krijimin e një kompanie ku 51% do të zotërohet nga pala italiane dhe 49% nga pala shqiptare, me objektiv ndërtimin e rreth 10 anijeve gjatë viteve 2026–2030 dhe operimin edhe në tregun ndërkombëtar. Projekti prezantohet si një hap strategjik për ringritjen e kapaciteteve detare në Pashaliman, por në thelb ai rikthen në vëmendje një histori të mëparshme bashkëpunimi që përfundoi pa një shpjegim të qartë publik dhe me pasoja për industrinë vendase. Bëhet fjalë për partneritetin me kompaninë hollandeze DAMEN Shipyards, një nga ndërtuesit më të mëdhenj të anijeve në Europë, e cila kishte ngritur një model funksional bashkëpunimi me Forcën Detare shqiptare

. Sikundër e theksuam edhe më sipër, kapiteni i rangut të parë Artur Meçollari, e ka denoncuar disa herë se si u përzunë holandezët për tu hapur derën italianëve. Më konkretisht, midis viteve 2008-2014, përmes partneritetit me DAMEN u ndërtuan katër anije patrulluese të klasit “Stan Patrol 4207”, tre prej të cilave në vetë Kantierin e Pashalimanit. Projekti u mbështet financiarisht edhe nga qeveria holandeze me një grant prej 12 milionë eurosh dhe u shoqërua me investime në infrastrukturë dhe trajnim të stafit shqiptar.

Në përfundim të këtij projekti, në vitin 2014, DAMEN paraqiti një plan të detajuar biznesi për vijimin e bashkëpunimit. Ky plan parashikonte krijimin e një ndërmarrjeje të përbashkët për prodhimin dhe mirëmbajtjen e anijeve për Forcën Detare, si dhe prodhimin për tregje të treta, duke e kthyer Pashalimanin në një qendër rajonale të industrisë detare. Megjithatë, sipas të dhënave, Ministria e Mbrojtjes nuk e miratoi këtë projekt, duke ndërprerë në praktikë vijimësinë e bashkëpunimit. Ky refuzim konsiderohet si momenti i parë i largimit të DAMEN nga Shqipëria. Zhvillimet që pasuan e thelluan këtë shkëputje. Në vitin 2015, Kantieri i Pashalimanit u nxor nga struktura e Forcës Detare dhe u kthye në një entitet me vetëfinancim, me argumentin se do të hynte në tregun ndërkombëtar. Në praktikë, sipas të dhënave të disponueshme, kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, kapacitetet e kantierit u reduktuan ndjeshëm ndër vite, si në staf ashtu edhe në aktivitet.

Lexo më shumë  Albini s' ka asgjë të përbashkët me poshtërsitë e Abdixhikut, me pabesitë e Hamzës e as me idiotizmin banal të Ramushit…e sigurisht as edhe me dhelpëritë neveritëse të Vjosës

Ndërkohë, përfaqësues të DAMEN zhvilluan disa përpjekje për të rikthyer bashkëpunimin, përfshirë vizita në Ministrinë e Mbrojtjes dhe takime të nivelit të lartë, si ajo e vitit 2019 nga drejtuesi i kompanisë. Megjithatë, këto kontakte nuk prodhuan rezultat konkret. Një moment tjetër kyç është viti 2022, kur kompania u thirr për të kryer një vlerësim teknik të gjendjes së anijeve, në kuadër të një projekti modernizimi. Edhe ky proces mbeti pa vijim të qartë publik.

Sipas të dhënave, largimi përfundimtar i DAMEN u konsolidua në vitin 2025, kur Ministria e Mbrojtjes orientoi bashkëpunimin drejt Italisë dhe kompanisë Fincantieri. Në këtë periudhë u nënshkruan edhe marrëveshje për furnizimin me anije të përdorura nga marina italiane, duke shënuar një ndryshim të qartë strategjie. Paralelisht, ka pasur edhe tentativa për ta orientuar investimin drejt zonave të tjera, si Porto Romano, çka nuk u pranua nga kompania hollandeze, e cila kishte fokusuar planin e saj tek Pashalimani.

Në këtë sfond, marrëveshja e firmosur sot me Fincantieri shihet nga kritikët si një projekt që ndërtohet mbi një histori të ndërprerë bashkëpunimi, ku një model ekzistues industrial u zëvendësua me një tjetër, pa një analizë të detajuar publike mbi arsyet dhe kostot e këtij ndryshimi. Ndërsa qeveria e paraqet marrëveshjen si një hap drejt modernizimit dhe zhvillimit industrial, mbetet e paqartë nëse ky model i ri do të arrijë të rikthejë kapacitetet e humbura dhe të sigurojë një zhvillim të qëndrueshëm për kantierin e Pashalimanit, apo nëse do të përsëritet cikli i projekteve të nisura dhe të ndërprera në këtë sektor./Sot.com.al

Rruga Press

YouTube player