KryesoreLajme

Pasojat katastrofike që lanë pas zjarret në Shqipëri, mbi 200 shtëpi të djegura, 40 të pabanueshme

Zjarri katastrofik që përfshiu vendin gjatë orëve të fundit ka lënë pas dëme të jashtëzakonshme. Sipas njoftimit të autoriteteve, në të gjithë territorin janë djegur mbi 200 shtëpi, nga të cilat 40 janë bërë totalisht të pabanueshme. Gjithashtu, kanë ngordhur mbi 3900 krerë bagëti, ndërsa situata më e rëndë paraqitet në Bashkinë e Gramshit.

Në këtë bashki, flakët kanë djegur dhjetëra banesa, bagëti dhe kanë shkrumbuar mijëra hektarë tokë dhe pyje. Banorët kanë nisur të rikthehen në zonat e prekura, ndërkohë që autoritetet po vlerësojnë dëmet e shkaktuara nga zjarret. Përveç një viktime, zjarri në fshatrat e Gramshit ka lënë pas një territor të gjerë të shkrumbuar, ku ajo që dominon është ngjyra e zezë dhe hiri që ka mbetur nga djegiet masive të gjithçkaje që flakët gjetën përpara.

Autoritetet kanë nisur groposjen e kafshëve të ngordhura në përpjekje për të shmangur një shpërthim të mundshëm epidemie, ndërsa shërbimi veterinar po kryen procesverbalet përkatëse për çdo rast.
Numri i personave të evakuuar ka shkuar në 46, pasi një ditë më parë u akomoduan edhe 6 persona të tjerë në konviktin shtetëror, përveç 40 të evakuuarve më herët. Gjendja emocionale dhe sociale e banorëve të prekur mbetet e rënduar, ndërsa shumë prej tyre janë përballur me humbje të mëdha materiale dhe financiare.

Lexo më shumë  Rexhepi: BE konfirmon shkeljet e të drejtave të shqiptarëve në Serbi

Ndërsa situata është stabilizuar, sfida më e madhe për qindra familje në këto fshatra është rikthimi në një jetë normale, tashmë mes skamjes së plotë dhe traumës që lanë pas flakët, të cilat u morën gjithçka që kishin ndërtuar me mund e djersë prej vitesh.

Ndërkohë, edhe Delvina është përballur me një situatë dramatike të krijuar nga zjarret, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të madhe toke dhe kanë shkaktuar dëme të pallogaritshme. Qyteti, i vendosur në mes të një lugine, u rrethua nga zjarret që u përhapën me shpejtësi, duke përfshirë banesa, pyje dhe kullota. Pamjet nga vendngjarja tregojnë qartë përmasat e katastrofës me gjithçka të shkrumbuar dhe tym që mbulonte horizontin.

Banorët janë përballur me momente paniku, ndërsa disa familje janë evakuuar përkohësisht për shkak të rrezikut. Disa banesa kanë pësuar dëmtime, ndërkohë që bagëtitë dhe blegtoria janë në rrezik, duke lënë shumë banorë të pasigurt për të ardhmen e pronës dhe jetesës së tyre.

Gjithashtu, një kishë në një nga fshatrat e Delvinës është shkrumbuar nga flakët, ku trarët e saj kanë rënë në dysheme dhe nuk është arritur të shpëtohet asgjë. Autoritetet lokale dhe qendrore kanë reaguar me vonesë, ndërsa deri tani nuk janë parë grupe në terren për vlerësimin e dëmeve apo për ndihmë të organizuar.

Fatmirësisht, nuk raportohet për humbje jete, por disa efektivë policie dhe zjarrfikës janë trajtuar për asfiksim nga tymi.

Ndërkohë, Sistemi Evropian i Informacionit për Zjarret në Pyje ka publikuar të dhënat zyrtare për pasojat e zjarreve në vendin tonë. Sipas këtij sistemi, janë djegur mbi 50 mijë hektarë tokë nga janari deri në gusht të vitit 2025 duke tejkaluar sipërfaqen e djegur gjatë gjithë vitit të kaluar.

Rruga Press

YouTube player