Pas telefonatës me Biden, presidenti francez mund të niset në Moskë
Në fokus të takimit janë tensionet në kufirin mes Rusisë dhe Ukrainës, ku perëndimi është i frikësuar për një pushtim të mundshëm të Ukrainës.
Më herët shefi i Elizesë ka zhvilluar një telefonatë me presidentin amerikan Joe Biden. Macron dhe Biden shqyrtuan “koordinimin e vazhdueshëm si në rrafshin diplomatik ashtu edhe për sanksionet ekonomike ndaj Rusisë nëse ajo pushton më tej Ukrainën”, tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë.
Më herët të mërkurën Macron njoftoi se mund të vizitojë Rusinë për të kërkuar një zgjidhje diplomatike për situatën.
“Gjëja më e rëndësishme është që së pari të vazhdojmë koordinimin evropian dhe të rrimë në kontakt si me Presidentin Putin ashtu edhe me Presidentin Zelensky,” u tha ai gazetarëve.
Macron akuzoi Rusinë se po sillet si një “fuqi destabilizuese” në rajon, ndërsa la të hapur rrugën e dialogut me Moskën. Elizeja ka njoftaur se një tjetër telefonatë pritet të enjten në mbrëmje me dy homologëve.
Rusia ka vendosur më shumë se 100,000 trupa të armatosura rëndë rreth Ukrainës, duke ngritur frikën në Perëndim se po planifikon të pushtojë fqinjin. Ndërkohë, Rusia mohon se ka në plan të pushtojë dhe thotë se trupat janë atje për shkak të kërcënimeve nga SHBA dhe aleatët e saj.
Rruga Press