Pas tankeve, Ukraina ka edhe një kërkesë për Perëndimin
Forca ajrore ukrainase u ka kërkuar sot aleatëve të saj perëndimorë që të konsiderojnë dhurimin e 24 avionëve luftarakë për kauzën e saj, në atë që do të ishte paketa e parë ushtarake e këtij lloji.
Javën e kaluar, shumë kombe konfirmuan donacione të tankeve, duke përfshirë SHBA-në dhe Gjermaninë pas disa ditësh negociata.
Sipas mediave të huaja, zëdhënësi i Presidencës Yurii Ihnat ka thënë se Ukraina po synon të sigurojë dy skuadrilje luftarake me nga 12 avionë luftarakë secila.
Ihnat shtoi në një intervistë për El Pais se shpreson t’i jepen F-16 amerikanë, por po konsiderojnë gjithashtu Rafale franceze dhe Gripen suedeze.
SHBA-ja deri më tani ka refuzuar të furnizojë Ukrainën me avionë luftarakë F-16, ose të lejojë transferimin e tyre nga vendet e palëve të treta.
Megjithatë, një burim i lartë i mbrojtjes në RAF i tha Telegrafit “kurrë mos thuaj kurrë”, por këmbënguli se avionët “nuk janë prioriteti tani”.
Kuptohet se gjithsej 321 tanke të rënda i janë premtuar Ukrainës deri më tani, nga një numër aleatësh perëndimorë.
Vadym Omelchenko, ambasadori i Ukrainës në Francë, tha të premten: “Që nga sot, shumë vende kanë konfirmuar zyrtarisht marrëveshjen e tyre për të dorëzuar 321 tanke në Ukrainë.
“Kushtet e dorëzimit ndryshojnë për çdo rast dhe ne kemi nevojë për këtë ndihmë sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.
Omelchenko nuk dha një përmbledhje të numrit të tankeve për çdo vend.
Rruga Press