KryesoreLajme

Pas shpërthimi në Ibër-Lepenc, Buzhala me reagim skandaloz, Xhymshiti: Buzhala është aty për ta minimizuar e mjegulluar rolin e Serbisë

Shkruan Vudi Xhymshiti

Postimi i fundit i Berat Buzhalës, që trivializon sulmin e dyshuar terrorist ndaj sistemit të ujit Iber-Lepenc, nuk është një anomali; është përfaqësues i një modeli më të gjerë dhe të rrezikshëm në veprimet e tij. Prej vitesh, Berat Buzhala ka shfrytëzuar platformën e tij për të ndërtuar narrativa që përshtaten në mënyrë të heshtur me interesat gjeopolitike të Serbisë dhe, në mënyrë të zgjeruar, të Kremlinit në Kosovë.

Përmes talljes, shmangies së përgjegjësisë dhe ekuivalencave të rreme, ai në mënyrë sistematike minon udhëheqësinë e Kosovës, duke minimizuar seriozitetin e agresionit të vazhdueshëm të Serbisë të përkrahur nga Kremlini. Kjo nuk është thjesht njëanshmëri gazetareske; është një qasje e kalkuluar që ndihmon Serbinë t’i shpëtojë përgjegjësisë për veprimet e saj destabilizuese në Kosovë.

Modeli i veprimit të Buzhalës është i qartë. Kur Serbia sponsorizon terrorizmin ose agresionin në Kosovë, ai e kthen narrativën për të sugjeruar bashkëpunim ose përpiqet ta paraqesë Kosovën si të pa aftë paaftë për t’u mbrojtur, e kur Kosova mbrohet duke e sfiduar Beogradin, Buzhala dhr satelitët e tjerë përpiqen ta de-legjitimojnë Kosovën në favor të Beogradit. Duke vepruar kështu, ai kryen tre funksione: mjegullon përgjegjësinë e Serbisë, minon besueshmërinë e udhëheqësve të Kosovës – të vetmit që kanë sfiduar drejtpërdrejt strukturat paralele të përkrahura nga Serbia – dhe ushqen cinizmin e publikut ndaj institucioneve të Kosovës. Toni i tij satirik, i paraqitur si koment i ‘padëmshëm’, është në fakt një mjet i fuqishëm dezinformimi, duke mbjellë dyshime dhe ndasi pikërisht kur nevojiten uniteti dhe përgjegjësia.

Lexo më shumë  Kosova forcon lidhjet me Arabinë Saudite, nënshkruajnë marrëveshje doganore

Kjo qasje përputhet në mënyrë të përsosur me propagandën në stilin e Kremlinit, e cila mbështetet te turbullimi i situatës në vend të mohimit të drejtpërdrejtë. Pra Buzhala nuk e mohon se Serbia po bënë agresion në Kosovë, por gjithnjë është aty për ta minimizuar e mjegulluar rolin e Serbisë aty. Kornizimi i qëndrueshëm i Buzhalës siguron që veprimet e Serbisë rrallëherë të jenë në qendër të vëmendjes. Në vend të kësaj, narrativat e tij shpërqendrojnë publikun, duke reduktuar aktet e agresionit si një sulm ndaj infrastrukturës kritike të ujit të pijshëm në një lojë cinike politike. Duke vepruar kështu, ai bëhet një aleat i pavetëdijshëm (ose mbase i qëllimshëm) në strategjinë hibride të luftës së Kremlinit, e cila synon destabilizimin e Kosovës nga brenda, ndërsa mbron Serbinë nga vëmendja e kritikave.

Lexo më shumë  “Mora Fjalë” ndalohet të këndohet në 'Air Albania', reagojnë Shkurte Fejza dhe Lorik Cana

Buzhala nuk është një gazetar që zbulon të vërtetën; ai është një inxhinier narrativash që mundëson ruajtjen Serbisë nga ndëshkimi. Postimet e tij reflektojnë një qëndrueshmëri të frikshme në avancimin e interesave të Serbisë, të mbuluara me humor dhe shmangie përgjegjësie.

Kjo nuk është gazetari; është bashkëpunim me armikun.

YouTube player