Pas SHBA edhe BE kundër Dodik: Sanksione nëse Republika Serbia vijon të nxisë paralizë politike
Bashkimi Evropian ka kërcënuar Republikën Serbe të Bosnje Hercegovinës me sanksione dhe pakësim ndihmash nëse udhëheqësit e saj vijojnë të nxisin paralizën politike dhe përçarje.
Petro Stano, zëdhënësi i shefit të diplomacisë evropiane, Joseph Borrell deklaroi gjatë një deklarate për mediet se BE do të zgjerojë sanksionet nëse Republika Srpska vijon të prodhojë destabilitet.
Peter Stano: Nëse gjendja përkeqësohet edhe më tej, BE-ja do të zgjerojë mjetet, përfshirë kornizën ekzistuese të sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe rishikimin e asistencës së përgjithshme të Bashkimit Evropian.
Paralajmërimi i ashpër i BE-së vjen në një kohë kur kriza politike po thellohet si pasojë e lëvizjes për ndarje të Republikës Serbe nga pjesa tjetër e Bosnje Hercegovinës.
Këto iniciativa janë parë nga perëndimi si përpjekje për të cenuar marrëveshjen e paqes, e cila i dha fund luftës në vitin 1995, çka do të shkaktonte edhe destabilitet rajonal.
Në 9 janar, Republika Srpska kreu aktin e fundit provokativ ndaj perëndimit duke festuar 30-vjetorin e themelimit të shtetit serb edhe pse Gjykata Kushtetuese e Bosnje Hercegovinës e shpalli antikushtetuese.
Javën e kaluar Departamenti amerikan i Shtetit ndërmori sanksione të tjera financiare ndaj anëtarit serb të Presidencës boshnjake, Milorad Dodik i cili është i shpallur ‘non grata’ më herët nga SHBA-të.
Rruga Press