Pas plagosjes së dy të rinjve, serbët bllokojnë rrugën Prevallë – Shtërpcë
Pas plagosjes së dy të rinjve në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, serbët lokalë kanë bllokuar rrugën Prevallë-Shtërpcë.
Policia e Kosovës, më herët ka njoftuar se menjëherë pas rastit të plagosjes së një 11 vjeçari dhe një 21 vjeçari të komunitetit serb, rruga që çon për në Shtërpcë është e bllokuar nga të dy drejtimet e lëvizjes.
Siç raporton RTV “Besa”, prokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari, ka thënë se kryetari i Shtërpcës dhe Policia e Kosovës janë duke negociuar me serbët lokal për t‘i liruar rrugët për shkaqe sigurie.
Dy persona, njëri 11-vjeçar e tjetri 21-vjeçar, janë plagosur sot në fshatin Drajkovc të Shtërpcës, pasi në drejtim të tyre është shtënë me armë zjarri nga një automjet në lëvizje. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
Në njoftimin e Policisë thuhet se “sot rreth orës 15:19 policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar një informacion se në fshatin Drajkovc të Shtërpcës dy persona, njëri rreth 11 vjeçar dhe tjetri rreth 21 vjeçar janë plagosur nga arma e zjarrit nga personi/persona të panjohur i cili/të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes”.
Rruga Press