Opinion/Aktualitet

Pas njëqind vitesh Stambolli po rikthehet në qendrën e emigracionit rus

Neue Zürcher Zeitung

Përktheu Rruga Press

Stambolli po bëhet stacioni i parë në jetën e re për shumë rusë të cilët po braktisin vendin e tyre pas invazionit të Putinit në Ukrainë. Se a do të kthehen së shpejti në vendlindjen e tyre, këtë e besojnë vetëm disa prej tyre.

Ashtu si para njëqind vitesh, shumë të rinj rus që nuk shohin më asnjë perspektivë në vendlindje, kërkojnë strehë në Bosfor të Turqisë.

Para njëqind vitesh Stambolli ishte gjithashtu një qytet rus. Pas Revolucionit të Tetorit kundërshtarët e bolshevikëve ikën në numër të madh për në Turqi. Vala më e madhe erdhi në qytet pas disfatës përfundimtare të Ushtrisë së bardhë në Krime. Në nëntor të vitit 1920 pothuajse 150 000 njerëz kërkuan shpëtim nga Ushtria e Kuqe e Trockit duke kaluar Detin e Zi.

Refugjatët që në numër atëkohë ishin rreth 20 përqind të popullatës së Stambollit, ushtruan një ndikim të thellë mbi jetën e qytetit. Aristokratët rus hapën plazhin e parë me gjini të përzier në Detin Marmara, ndërsa Familja Smirnov në Bosfor ziente vodkën e saj me famë botërore. Edhe në serialin e suksesshëm që tani po luan në Netflix shihet një referencë e Stambollit rus. Një gazetare e re udhëton atje në fillim të viteve 20 dhe takon ndër të tjera një princeshë ruse që në jetën e saj të re punon si shërbyese në një hotel luksoz.

Fluturime direkte për në Moskë

Princesha ruse në Stamboll nuk vijnë më, as edhe 20 përqindshin e popullatës së qytetit më të madh evropian prej 16 milionë banorësh nuk mund ta përbëjë më asnjë komunitet mërgimtarësh. Megjithatë Stambolli për herë të dytë në histori po zhvillohet në një qendër të emigracionit rus qysh prej fillimit të luftës në Ukrainë, si dhe për shkak të ashpërsimit të klimës së brendshme politike në Rusi. Javëve të fundit, më se dhjetëra mijëra rusë kanë mbërritur në qytet. Sipas disa burimeve, flitet edhe për më se njëqind mijë. Është e vërtetë se kësaj kohe në qytet, përveç turqishtes, nuk dëgjohet asnjë gjuhë tjetër më shpesh se rusishtja. Arsyet janë para se gjithash të natyrës logjistike. Kush do që të ikë nga Rusia, Stambolli mbetet një zgjedhje e mirë. Përveç Beogradit, qyteti i Bosforit është destinacioni i vetëm evropian për ku ka ende fluturime direke për në Rusi. Veç tjerash, shtetasve rusë nuk u duhet vizë për në Turqi.

15 minuta për t’u paketuar

Edhe për Dimitri Varlamov ishte kjo vendimtare. Dimitri punonte si gazetar i fushës së ekonomisë për televizionin e pavarur Dozhd. “Mbrëmjen kur na erdh një shkresë

paralajmërimi nga ana e zyrës së censurës, shefi i redaksisë na mblodhi të gjithë të punësuarve dhe na këshilloi që të braktisim vendin menjëherë”, thotë Varlamovi. Thuajse që të gjithë e ndoqën sugjerimin e tij, si ata që qëndronin pas ashtu edhe ata para kamerës, po se po. Kishe 15 minuta për të mbledhur ca veshje, pohon Varlamovi. Rrugës për në aeroport qe ndalur shkurt te disa miq sa për t’u marrë ca para të thata. “Është bërë problem i madh për të ardhur te parja këtu për shkak të një vendimi idiot të Visa dhe Mastercard që ka bllokuar kartat ruse. Kjo na prek sidomos neve që jemi jashtështeti.” Mënyra e vetme për të pasur diçka në dorë janë kripto valutat.

Për shumicën kjo është vetëm një stacion i ndërmjetëm

Në qytet po vijnë jo vetëm të njerëz të varfër por edhe të pasurit. Edhe hotelet e shtrenjta i ke plot. Zyrat imobiliare flasin për kohëra të arta. Shumë rusë po blejnë banesa. Kush posedon patundshmëri, mund ta marrë lejen e qëndrimit, me çka anashkalohen edhe shumë sanksione. Kush investon më shumë se 250 000 euro mund të aplikojë bile edhe për nënshtetësi. Kërkesa e madhe ka bërë që çmimet të rriten shumë, edhe në tregun e qirave. Mirëpo mërgimtarët e shumtë duhet të kenë kujdes për buxhetin e tyre. Rustani, që në realitet quhet ndryshe, ka disa javë tani që po kërkon një banesë me çmim të mirë. Si shumë rusë në Stamboll edhe ai qëllimin e ka të ikë drejt perëndimit. Perspektiva ekonomike nuk është edhe njaq e mirë këtu, thonë ata. Pastaj Turqia nuk është ndonjë parajsë prej shteti ligjor, thotë i riu që në Moskë ka punuar në një muze të artit modern. E për të aplikuar për një vizë Shengen prej Turqie, duhet të jesh i regjistruar aty, dhe për këtë të duhet një banesë. Si filloi lufta, ai në panik mori fluturimin e parë më të mirë, na thotë Rustami. “Në çdo kohë mund të më thërrisnin për në shërbim ushtarak. Autoritetet e vendit më kishin në shënjestër gjithsesi për shkak të një pjesëmarrje në një tubim për Aleksej Navalnin.” Duhej ta kisha planifikuar më mirë këtë punë, vazhdon Rustami. “Por ne u tronditëm goxha dhe nuk e dinim se ç’do na sjellë e nesërmja.”

Lexo më shumë  Në Beograd rikthehen zyrtarisht Sllobodan Milosheviç dhe Vojisllav Shejshel!

Ndihmë nga mërgimtarët e famshëm

Informacioni më i rëndësishëm për ardhacakët e rinj janë Chat-grupet në agjencionin e lajmeve Telegram. Për raste individuale jepen edhe ndihma materiale. Opozitarët në mërgim rreth oligarkut Mihail Kodorkovski dhe ish mjeshtrit botëror të shahut Gari Kasparov kanë themeluar Akën Ruse, një iniciativë që u gjen hapësira me qira mërgimtarëve në Stamboll dhe në kryeqytetin Armen të Jerevanit. Amenia dhe Gjeorgjia janë po ashtu destinacione të preferuar për emigrantët rusë.

Në këtë projekt angazhohet edhe Alevtina Borodulina. Antropologia 30 vjeçare deri vonë zhvillonte hulumtime pranë një instituti të Akademisë së Shkencave në Moskë, por e cila fill pas fillimit të luftës u nis me ngut për në Stamboll. “Pata frikë se do t’i mbyllin kufijtë.” Banesat që i ofron Arka Ruse janë banesa të përbashkëta. Janë “Një lloj Komunalka”, thotë Borodulina duke shkelur syrin. Banesat e përbashkëta në Rusi kanë një emër të keq. Mirëpo këtu bashkëjetesa ka përparësitë e veta. “Ne të gjithë mendojmë njësoj lidhur me atë që po ndodh në vendlindjen tonë dhe rrjedhimisht mund të flasim lirshëm. Në Rusi ndërkaq duhej të bënim shumë kujdes përball të huajve.”

Shoqëria civile e pagoi

Borodulina hëpërhë nuk sheh asnjë të ardhme për vete në Rusi. “Si shkencëtare sociale në këtë shtet i ke dy mundësi: ose degdisesh diku brenda shtetit dhe bën projekte të vegjël të parëndësishëm ose po herë do kurdo një ditë do të konfrontohesh me regjimin duke marrë parasysh të gjitha pasojat.” Ajo ushqen respekt të madh për ata që vazhdojnë të protestojnë dhe që arrestohen. “Aq trimëreshë nuk jam. Edhe pse besoj se prej së jashtmi mund të kontribuoj më shumë.”

Çfarë do të thotë kjo për Rusinë, kur artistë, shkencëtarë, gazetarë të shumtë e braktisin vendin? “Jeta intelektuale ruse do të vazhdojë, edhe përmes nesh”, pohon Borodulina. “Në mërgim mund të krijohet shumë çka e re.” Ajo që e shqetëson atë është se çfarë do t’i bëjnë Rusisë njerëzit që janë në pushtet kur shoqëria civile që është kritike do heshtë si memec. “E kush angazhohet më tani për projekte mjedisore, për ruajtjen e monumenteve ndërtimore?”, pyet zonja e re.

Lexo më shumë  Aty ku pushtetarët vjedhin, shteti u takon hajdutëve!

Edhe informaticienët po e braktisin vendin

Jo vetëm intelektualët klasikë por edhe shtresa e mesme po ia kthen shpinën Rusisë. Mendohet se mbi dhjetë mijë ekspertë të IT-së kanë lënë vendin javëve të fundit. Në Antalia në jug të Turqisë është themeluar tanimë një rrjet. Informaticienët janë të privilegjuar. Ata mund të punojnë prej gjithandej dhe kërkohen me duar hapur nga të gjitha shtetet. Në Evropën juglindore specialistët e industrisë së IT-së janë një impuls i rëndësishëm i modernizimit dhe demokratizimit, ngaqë ata qëndrojnë jashtë sistemit ekonomik klientelist. Por në Rusinë e Putinit nuk ka më vend për asnjë formë të mospajtimit. “Kam udhëtuar shumë, por kurrë s’ka dashur të emigroj”, thotë antropologu Borodulina. “Unë e dua Ruinë, e dua jetën në Moskë. Kemi shpresuar gjithmonë se një ditë do të bëhemi një shtet normal evropian.”

“Putini na ka vjedhur gjuhën”

Mërgim për Dimitri Barçenkovin do të thotë humbje e një pjese të identitetit të tij. “Putini na rrëmbeu gjuhën ruse”, pohon regjisori i ri dhe kritik filmi. “Nuk mund të punoj më në vendlindjen time, kurse jashtë shtetit gjithçka ruse gëzon një emër të keq. Do të gjej edhe unë diçka. Por në punën time identitetin tim rus do e lë anash. Putini është duke e shkatërruar atë për çka ai pretendon se po lufton.” Barçenkovi 24 vjeç bashkë me partnerin e tij, një programues në fushën e inteligjencës artificiale, u arratisën të dy për në Stamboll. Që të dy kishin marrë pjesë nëpër organizimet opozitare në Moskë. Atë e kishin arrestuar njëherë.

“Tash e disa vjet ndodhemi në një luftë me Putinin dhe regjimin e tij si një pakicë seksuale”, pohon Barçenkovi. “Megjithatë, ne kishim mundësinë për të çuar një jetë normale në Moskë. Pas fjalimit të Putinit para fillimit të luftës e kishim të qartë se për ne nuk kishte më vend aty. U konfirmua ajo që ai e tha më vonë për armiqtë e tij të brendshëm.”

Flluska të vogla liberale

Ai e kuptoi më mirë sakaq se sa e vogël qe flluska liberale brenda së cilës ai dhe i dashuri i tij kanë lëvizur, thotë Barçenkovi. “Me vite të tëra jemi tallur me broçkullat

që thuheshin në televizionin shtetëror. Mirëpo helmi i propagandës së Putinit e bën të vetën. Këtë e vë re me familjen time.

E ëma e tij nuk i flet më qysh prejse u deklarua si homoseksual. Ndërsa gjyshja beson vërtet se ushtarët rusë kanë shkuar në Ukrainë për ta mbrojtur Rusinë nga sulmi me armë të shkatërrimit në masë.

Pas fillimit të luftës ukrainasit dolën në rrugë për të protestuar kundër agresionit të Putinit nëpër rrugët e Stambollit dhe të qyteteve të tjerë.

Çifti dëshiron të vazhdojë për në Perëndim. Mbase ia dalin të marrin një vizë për në Çeki, thotë Barçenkovi. “Kur ikëm nga Moska, pata ndjesinë sikur bashkë me të dashurin tim u nisëm për në pushime. Për çdo ditë na përforcohet ndjesia se kjo punë do të zgjasë shumë.”

Përgjithmonë në mërgim?

Në një sokak të rrugës Istiklal, që është rruga më e gjatë me dyqane në Stamboll, ndodhet një restorant i këndshëm i hapur në vitin 1924 nga emigrantët rusë. Hapësira e tij dekorohet nga fotografi të familjes së Carit rus, ndërkaq në vitrinë duket një vezë fabërzhe. Në murin e korridorit janë varur çelësat e shtëpive dhe pallateve të vendlindjes së vjetër. Emigrantët vazhdojnë t’i ruajnë ato. Kurrë s’i dihet. Qysh nga arratia para njëqind vitesh ato çelësa nuk janë përdorur më.

©Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *