Pas deklaratës se më parë do ta vriste Kurtin, sesa ta lëshonte Kosovën – Klinaku intervistohet nga policia
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK-së, Faton Klinaku është intervistuar sot nga Policia, për deklaratën që bëri dje për kryeministrin Albin Kurti, me ç’rast tha se më parë do ta vriste atë, sesa ta lëshonte Kosovën.
Lajmin për mediat e ka konfirmuar avokati i Klinakut, Ramë Dreshaj.
Dreshaj tha se postimi i Klinakut është nxjerrë nga konteksti.
“Po e ka intervistu hetuesia për postimin që ka bërë dje në Facebook. Ata e kanë pyetur ‘a është Facebook-u yti’, ka thënë po. ‘A ta përdor dikush Facebook-un’, ky ka thënë jo. Nuk e ka mohu, por gabim e kanë bërë të gjitha organet që janë marrë me këtë punë dhe disa media fjalën ‘vrasë Albin Kurtin’ e kanë nxjerr nga konteksti”, ka thënë Dreshaj.
Edhe nga zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu ka thënë se sot është intervistuar F.K për shkak të dyshimit të arsyeshëm se i njëjti ka kryer veprën penale dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, i njëjti pas intervistimit është lëshuar në procedurë të rregullt.
“Ju njoftoj se me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës ka intervistyar F.K për shkak të dyshimit të arsyeshëm se i njëjti ka kryer veprën penale dhuna ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës, i njëjti pas intervistimit është lëshuar në procedurë të rregullt”, ka thënë Lutfiu.
Ndryshe për këtë postim të Klinakut kanë reaguar zëvendësministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Avni Zogiani dhe deputeti i LVV-së, Enver Dugolli.
Tani i mbetet Klinakut për të treguar se cili është kontesksti që e bën të pranueshme ‘të vrasësh Albin Kurtin’.
Rruga Press