Pas deklaratave të Cameronit për Banjskën dhe rrezikun nga Rusia e Serbia, kërkohet që FSK-ja të lejohet të veprojë në veri
Ministri i Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, gjatë raportimit para anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme të Sekretarit të jashtëm britanik, foli për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë.
Cameroni shprehu shqetësimin e tij të thellë për situatën e krijuar në veri, ku mbeti i vdekur polici i Kosovës.
Ai theksoi se kjo ngjarje tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare mbi pasojat që mund të shkaktoheshin në mungesë të ndërhyrjes nga Policia e Kosovës.
Tutje Cameroni u shpreh se Rusia e Serbia po planifikojnë destabilizimin e Ballkanit.
Lidhur me këto paralajmërime të ministrit britanik, Taulant Elshani, hulumtues i lartë në Institutin për Studime të Kërcënimeve Hibride “Octopus”, u shpreh se është e çështje pozitive që sulmi në Banjskë është diskutuar në Parlamentin e Britanisë.
“Është shumë pozitive që çështja e agresionit të Serbisë dhe sulmi paramilitar e terrorist në Banjskë është ngritur si temë diskutimi në raportin e sekretarit britanik për punët e jashtme David Cameron, në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit të Britanisë së Madhe. Cameron e tha qartë se ky ishte një sulm ku u përdorën armë të rënda, dhe vlerësoi rolin e Policisë së Kosovës që arriti t’i ndalë paramilitarët serbë”, u shpreh Elshani.
Cameron potencoi po ashtu faktin se ka shumë të interesuar ta destabilizojnë Ballkanin, duke përmendur Rusinë, dhe duke e quajtur publikisht Serbinë si “Proxy” të Rusisë.
Elshani shtoi se “është shumë pozitive për interesin shtetëror të Kosovës, stabilitetin e Ballkanit dhe më gjerë që në nivele kaq të larta të politikës botërore situata në Ballkan kuptohet drejtë, si dhe denoncohen dhe dënohen ambiciet hegjemoniste të Serbisë. Do të kishte me qenë edhe më mirë sikur edhe qeveri të tjera evropiane të artikulonin në mënyrë të ngjashme situatën në Ballkan, dhe ta dënonin me kaq vendosmëri agresionin e Serbisë kundër Kosovës”.
I pyetur se si e sheh në përgjithësi situatën e sigurisë në Kosovë, dhe se a ekziston rreziku i përsëritjes së skenarit sikurse në Banjskë, hulumtuesi i lartë i “Octopus” u shpreh se asnjë skenar nuk mund të përjashtohet.
“Ne e kemi parë që Banjska ka qenë pjesë e një skenari shumë më të gjerë, dhe të organizuar mirë dhe të përgatitur nga shteti i Serbisë. Dukë marrë në konsideratë qasjen armiqësore të Serbisë, artikulimin e hapur për pretendime territoriale si dhe retorikën e ashpër nacionaliste nga lidershipi serb, asnjë skenar nuk mund të përjashtohet, dhe institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë të vëmendshme ndaj veprimeve të radhës nga Serbia”, tha Elshani.
Elshani shtoi se Kosova ka punuar shumë në ngritjen edhe fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse, duke shtuar buxhetin e FSK-së, dhe duke ngritur numrin e pjesëtarëve të saj.
“Rreshtimi me botën perëndimore dhe demokratike në anën tjetër po ashtu i krijon Kosovës edhe më shumë siguri – pra nëse duhet ta bëjmë një vlerësim të përgjithshëm të sigurisë shtetërore, atëherë mund të themi se ajo bazohet dhe garantohet nga kapacitetet institucionale të vendit dhe vullneti politik në njërën anë, si dhe aleancat e fuqishme që Kosova i ka dhe vazhdon t’i mirëmbajë me aleatët si SHBA-ja, Gjermania, Britania e Madhe, Turqia etj.”, tha ai.
Rreth deklaratave të ministrit britanik, David Cameron ka folur edhe analisti Gazmir Raci.
Raci në një deklaratë për Telegrafin, tha se Republika e Kosovës është aleat i rëndësishëm dhe i palëkundur i aleancës veri atlantike në Ballkanin Perëndimor.
“Që nga dita e parë politika e jashtme dhe e sigurisë e Kosovës u rreshtua në krahë të perëndimit me rastin e invazionit rus në Ukrainë, Afganistanin etj. Shqiptarët nuk kanë tjetër aleancë strategjike përveç kësaj me SHBA-të dhe Evropën perëndimore. Është shumë e rëndësishme që së bashku t’i bëjmë ballë tendencave ruse që përmes Serbisë synohet të destabilizohet edhe Ballkani perëndimor”, ka deklaruar Raci.
Ai ka shtuar se vlerësimi i ish-kryeministrit britanik, tani Sekretarë për Punë të Jashtme të Qeverisë britanike, David Cameron, se Stabiliteti dhe siguria në Kosovë është interes kombëtar britanik, është qëndrimi më i fortë që e kemi këto vite nga Britaniket dhe për këtë arsye bashkëpunimi Kosovë-Britani duhet të kalojë një dimension tjetër, në atë të një partneritetit të ri strategjik që Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet gjatë këtij viti.
Ai ka shtuar se sulmi terrorist i 24 shtatorit në Banjskë e ka treguar qartë rolin dhe synimet e Serbisë ndaj shtetit të Kosovës.
“Ai grup terrorist vazhdon të jetë i liri dhe i pa ndëshkuar nga Serbia. Ata mund të grumbullohen dhe të ndërmarrin sulme diversante ndaj territorit të Kosovës dhe për këtë ne duhet të jemi të vëmendshëm në këtë drejtim. Forca e Sigurisë duhet të lejohet të veprojë edhe në katër komunat e pjesës veriore dhe ajo ndalesa e njëanshme duhet të hiqet sa më shpejt”, tha Raci.
Analisti më tej theksoi se me sulmin në Banjskë u synua të instalohet Donbasku i ri në Ballkan sipas stilit rus.
“Kosova edhe më tutje duhet të fuqizojë prezencën e saj të policisë dhe të sigurisë në atë pjesë të vendit. Serbia ende nuk u ndëshkua nga Bashkimi Evropian dhe NATO, ajo vazhdon të luaj me dy karta dhe për shkak të sigurisë kolektive, paqes se qëndrueshme e të stabilitetit rajonal sepse ka tendenca shantazhi duke e përdor miqësinë e saj me Rusinë dhe Kinën”, u shpreh Raci.
Për t’i bërë ballë këtyre tendave Ruso-Kineze në këtë pjesë të Evropës, sipas Racit është me rëndësi të qartësohet perspektiva euroatlantike e 6 shteteve të Ballkanit nga BE-ja dhe NATO-ja.
“Kosova po kërkon dhe pret përgjigje pozitive për partneritetin për paqe nga NATO dhe statusin e vendit kandidatë gjate vitit 2024 nga Bashkimi Evropian”, tha Raci.
Raci ka shtuar se në të njëjtën kohë duhet të punohet shumë në aspektin diplomatik që të shtohet presioni ndaj Serbisë, dhe mundësisht të ndryshohet kursi i politikës ndërkombëtare karshi regjimit të Vuçiqit, duke mos e përkrahur më politikisht autokratin serb, por duke shtyrë përpara agjendën e demokratizimit të Serbisë, me kushtëzimin për ta njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Rruga Press