Euro arrin tjetër rekord historik, zbret nën 119 lekë, nga turizmi dhe paraja informale
Rënia e monedhës së përbashkët në tregun e brendshëm nuk ka të ndalur. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro u këmbye sot me 118.93 lekë, duke zbritur për herë të parë nën 119 lekë, që nga koha kur euro hyri si monedhë fizike në Europë, më shumë sesa 20 vjet më parë. Në krahasim me fillimin e këtij viti, euro po këmbehet me gati 2 lekë më pak. Euro u rrit për pak kohë në fillim të marsit, duke arritur deri në 127 lekë, si rrjedhojë e pasigurive që u shkaktuan në furnizime nga kriza e shkaktuar nga sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës. Më pas, kursi iu rikthye ekuilibrave. Nga fillimi i qershorit deri tani, euro ka humbur pikë vazhdimisht në tregun vendas. Aktorët e tregut të këmbimeve thanë se kjo dukuri lidhet me dy faktorë:
-Faktori i parë lidhet me efektet sezonale të turizmit. Ky i fundit po i kthehet normalitetit pas pandemisë dhe të dhënat e INSTAT treguan se për 5 mujorin, hyrjet e të huajve në vend ishin 12% më të larta më të larta se sa viti 2019, kur ishte shënuar dhe viti më i mirë historik për turizmin deri tani. Si rrjedhojë, prurjet e valutës nga turizmi janë shtuar.
-Faktori i dytë lidhet me hyrjet informale, që gjithnjë kanë ndikuar në shtimin e ofertës së valutës në vend.
Sipas operatorëve, pas lajmeve për amnistinë fiskale, ka një shtim të hyrjeve të flukseve informale të parasë, duke qenë një tjetër faktor që ka ndikuar në zhvlerësimin e euros. Nismat e fundit të qeverisë për legalizimin e kanabisit dhe aplikimin e një amnistie fiskale, edhe nëse nuk bëhen ligje të zbatueshme, po përkthehen si sinjale pozitive për aktivitetet e paligjshme, trafikantët dhe të korruptuarit. Amnistia parashikon legalizim të cash-it deri në 2 milionë euro, si dhe legalizim të kapitalit jashtë e brenda, përfshirë dhe pasuritë e paluajtshme, kundrejt një tarife prej 7-10%. Operatorët e tregut pohojnë se euro pritet të jetë e dobët në javët në vijim, teksa historikisht në gusht valutat janë të dobëta për shkak të efekteve sezonale të turizmit dhe kthimit të emigrantëve./ Monitor /
Rruga Press