Pas 30 vitesh simulim pasuria publike u nda midis politikanëve të PD dhe PS dhe spiunëve të të dy palëve
Nga Shaban Murati
Qeveritë e Partisë Demokratike kanë qeverisur me spiunët e vet të sigurimit të shtetit dhe me spiunët e PS të sigurimit të shtetit.
Qeveritë e Partisë Socialiste kanë qeverisur me spiunët e vet të sigurimit të shtetit dhe me spiunët e PD të sigurimit të shtetit.
Disa ministra spiunë të sigurimit të shtetit i kemi parë ministra edhe në qeveritë e PD, edhe në qeveritë e PS. Nuk dihet nëse ka qenë konvertim apo emërim i tyre nga lart apo nga jashtë.
Tri herë gjatë periudhës së tranzicionit PD dhe PS kanë qeverisur me qeveri të përbashkëta.
Ndoshta ka ardhur koha t’i thuhet kupolës së politikanëve spiunë të sigurimit të shtetit të mos e lodhin më popullin me luftra të simuluara politike, por të krijojnë një qeveri të përhershme PD-PS, meqë prindërit i kanë të njëjtë.
Fjala dhe roli i spiunëve në shoqërinë shqiptare është shumë i madh, sepse spiunllëku është sëmundje që trashëgohet. Po të kemi parasysh se sigurimin e shtetit e krijuan dhe e ngritën UDB serbe dhe KGB ruse, të cilat kishin kriter të parë rekrutimin e “studentëve” të shkollave dhe kurseve të tyre, bëhet edhe më e qartë pse ata edhe sot e kësaj dite kanë influencë të madhe në Shqipëri.
Nuk qe rastësi që gjysma e politikanëve dhe e mediave shqiptare u bënë avokatë të celulës “turistike” ruse, e cila në kulmin e përplasjes gjeopolitike të Rusisë me NATO-n dhe në kohën që qeveria ruse zyrtarisht në 7 mars 2022 e ka shpallur Shqipërinë shtet armik, vjen në shtetin e NATO-s armik të Rusisë, nuk kërkon leje apo akreditim nga asnjë institucion zyrtar shqiptar dhe shkon në një objekt ushtarak, që ruhet me roje ushtarake, përleshet dhe plagos rojet ushtarake shqiptare, sepse “ka pasion të madh fotografinë”.
Dhe gjysma e politikanëve dhe e mediave të shitura shqiptare e mbrojnë celulën “turistike” ruse me tezën e shejtan budallait se atje nuk ka sekrete ushtarake. Del dhe ndonjë zyrtar i lartë idiot në Tiranë, që për të mbrojtur celulën “turistike” ruse nxjerr argumentin shvejkian se celula “turistike” ruse nuk janë spiunë, sepse me ta ishte një shtetas ukrainas.
Sikur shërbimi sekret rus e ka të ndaluar të rekrutojë shtetasit ukrainas dhe harrohet që çdo ditë në Ukrainë në radhët e shërbimit sekret ukrainas dhe të institucioneve ushtarake ukrainase po dalin shtetas ukrainas të lidhur me spiunazhin rus. Gjysma e politikanëve dhe e mediave shqiptare morën në mbrojtje celulën “turistike” ruse dhe askush nuk dha një fjalë mirënjohje për gjestin heroik të dy ushtarëve trima, që kryen detyrën e tyre duke mbrojtur objektin ushtarak.
Filorusët e Tiranës mund të tallen sa të duan se uzina e Gramshit nuk ka sekrete ushtarake, por ka rëndësi të madhe, që ata dy ushtarë trima mbrojtën një objekt që zyrtarisht klasifikohet objekt ushtarak, dhe kryen me nder detyrën para atdheut.
Pas 30 vitesh simulim dhe pasi pasuria shtetërore dhe publike gjatë tranzicionit u përvetësua dhe u nda në mënyrë pothuaj të barabartë midis politikanëve të PD dhe të PS dhe spiunëve të të dy palëve, mendohet se ka ardhur koha që të dy partitë kryesore të kthehen në monolitizmin e shtetit të një partie, ku spiunët ishin “maja e mprehtë e shpatës së diktaturës së proletariatit”, dhe gjatë tranzicionit e kryen me sukses rolin e tyre si maja e mprehtë e shpatës së krerëve të demokracisë.
Rruga Press