Pas 18 vitesh me probleme dëgjimi, pacientes në QKUK i rikthehet dëgjimi falë një operacioni
Në Klinikën e Otorinolaringologjisë (ORL) në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK) po vazhdojnë me sukses ndërhyrjet kirurgjikale të veshit, duke u kthyer shpresën dhe dëgjimin shumë pacientëve.
Një nga rastet më të veçanta është ai i pacientes R.H., e lindur në vitin 1981, e cila për plot 18 vjet ishte përballur me humbje të theksuar të dëgjimit, duke pasur vështirësi të mëdha në komunikimin e përditshëm.
Sipas njoftimit të QKUK-së, pacientja kishte kërkuar trajtim në institucione të ndryshme shëndetësore brenda dhe jashtë Kosovës, por pa arritur rezultatet e pritura. Pas një vlerësimi të detajuar mjekësor dhe analizave të nevojshme, ekipi i Klinikës së ORL-së vendosi ta trajtojë rastin përmes ndërhyrjes kirurgjikale.
Nga QKUK njoftojnë se operacioni u krye me sukses nga ekipi i ORL-së i udhëhequr nga dr. Refki Krasniqi, në bashkëpunim me ekipin e anesteziologëve të drejtuar nga dr. Arian Ademi.
Pas disa ditësh trajtim dhe kujdes në klinikë, pacientja u lirua në gjendje të mirë shëndetësore. Testimet e kryera pas operacionit konfirmuan përmirësim të ndjeshëm të dëgjimit dhe aftësisë së saj për të komunikuar.
Nga QKUK vlerësojnë se ky sukses dëshmon nivelin profesional të stafit mjekësor dhe kapacitetet që ofron Klinika e Otorinolaringologjisë në diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të dëgjimit, duke aplikuar teknikat më moderne të mjekësisë.
Rruga Press

