Lajme

Pas 12 muajsh, rrjetet celulare 2G/3G do të fiken pas kalimit në 5G

Në një të ardhme të afërt, rrjetet celulare të gjeneratës 2G dhe 3G do të mbyllen. Plani për implementimin e teknologjisë 5G në Shqipëri rekomandon mbylljen e rrjeteve 2G dhe 3G, pasi sinjali 5G të jetë shtrirë në zonat kryesore të vendit.

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe konsulentët e specializuar vlerësojnë se këto rrjete janë shumë të cenueshme kundrejt rreziqeve të lidhura me krimin kibernetik. Plani rekomandon se rrjetet 2G dhe 3G duhet të mbyllen plotësisht jo më vonë se 12 muaj nga mbulimi me rrjet 5G i Zonave Kryesore Ekonomike.

Mbyllja e rrjeteve 2G dhe 3G është një dëshmi e përparimit të shpejtë teknologjik në shërbimet e telekomunikacioneve. Shqipëria e ndërtoi rrjetin e parë GSM në vitin 1996, ndërsa komercializimi i mirëfilltë i shërbimeve celulare nisi vetëm në fillimin e viteve 2000, me privatizimin e operatorit AMC, si edhe me dhënien e një licence të dytë për këto shërbime. Pas 20 vjetësh, tashmë ka ardhur koha që teknologjia bazike 2G/GSM të fiket.

Teknologjia 3G ka pasur një jetë edhe më të shkurtër dhe procesi i shtrirjes së saj ka qenë i ngadaltë dhe problematic, për shkak të çmimit të lartë të vendosur nga qeveria shqiptare për frekuencat përkatëse. Licenca e parë u dha në vitin 2010 dhe Vodafone Albania pagoi për të 31.5 milionë euro, ndërsa licenca e dytë u mor në vijim nga AMC për 15.1 milionë euro. Operatori i tretë, Eagle Mobile, e mori licencën vetëm në fund të vitit 2012, ndërsa i katërt, Plus, vetëm në vitin 2014. Teknologjia 3G, e kuptuar si kufiri më i lartë teknologjik, pati një jetë të shkurtër, sepse qysh në vitin 2015 operatorët nisën ofrimin e shërbimeve 4G.

Lexo më shumë  Një milion qytetarë të regjistruar deri më tani në Kosovë, dalin statistikat sipas komunave

Në mesin e vitit të ardhshëm, pritet që AKEP të tenderojë frekuencat e para 5G, çka do të shënojë një tjetër kalim relativisht të shpejtë në një gjeneratë teknologjike më të avancuar. Megjithatë, vendi ende ka probleme për sa i takon mbulimit real të popullsisë dhe sidomos të territorit me teknologji 4G. Pavarësisht se të dhënat zyrtare pretendojnë një mbulim prej 96% të popullsisë me rrjete 4G, ky mbulim ndryshon shumë mes operatorëve të ndryshëm, madje shpesh edhe në qendrat më të mëdha urbane cilësia e shërbimit lë shumë për të dëshiruar.

Mbyllja e rrjeteve 2G dhe 3G mund të rrezikojë lënien pa shërbim të zonave rurale apo periferike të vendit, me dendësi të ulët popullsie dhe ku operatorët kanë interes të ulët ekonomik për të shtrirë rrjetet e gjeneratave të reja.

Implementimi i teknologjisë 5G mund të sjellë implikime të mëtejshme në konkurrencën në treg, duke thelluar avantazhin e operatorëve që kanë një fuqi më të madhe tregu dhe më shumë mundësi për të investuar në frekuenca dhe në infrastrukturë rrjeti. Një faktor që duhet marrë në konsideratë është edhe rënia e ndjeshme e të fitimeve të operatorëve celularë në vitet e fundit. Kjo ka ulur fuqinë investuese të kompanive, përfshi edhe gatishmërinë për të paguar marrjen në përdorim të frekuencave të reja. Në vitin 2019, qeveria shqiptare arriti të japë vetëm dy nga tre të drejta përdorimi të parashikuara në brezin 800 Mhz.

Marrë nga: Monitor.al

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *