KryesoreOpinion/Aktualitet

Parlamenti i Republikës së Shqiperisë diskutoi sot mbi dhëmbët dhe flokët e Bashës

Të për-zgjedhurit e shqiptarëve u mblodhën edhe sot në Kuvend.

Dita nisi me propozimin nga ana e demokratëve për të diskutuar mbi helimin e qytetarëve në qytetin e Krujës. Kjo nuk u mirëprit nga pozita, madje u cilësua keqdashëse. Afër 600 qytetarë në Krujë helmohen, por diskutimin mbi këtë pozita e quan keqdashëse. Në kuptimin personal, ndoshta jeta e shqiptarëve vlen shumë pak për KM dhe qeverinë, por si mund t’ia bëjmë të qartë zotit Rama rolin që ka?

Ka një arsye që përmenden veç emra konkretë, sepse sot në pjesën më e madhe të paradites ekrani i televizorit bënte vetëm rotacion me dy fytyra, Rama-Basha, tek tuk kamera kapte ndonjë që zgërdhihej apo deputetë nëpër telefona celularë tërësisht të çinteresuar, ose gati duke i zënë gjumi, siç ishte zonja Bozo.

Nga t’ia nisësh më parë; talljet e Ramës ndaj Bashës; ky i dyti ka kohë që po lodhet të ngrejë një aureolë prej “garipi”, por vetëm sa e bën edhe më qesharak. Por ka pasur momente kur aureola e garipit e ka rrethshkruar Bashen, por kjo vetëm për shkak të bodigardëve përreth tij, të cilët në protestën e Teatrit gjuajtën me grushta qytetarët kur ata kërkuan largimin e Bashës nga protesta të cilën e kish braktisur paraprakisht.

Lexo më shumë  VV-ja dërgon në Kushtetuese dekretin kontrovers të Osmanit për shpërndarje të Kuvendit

Rama, nga ana tjetër, cilësohet me sjelljet cinike, arrogante dhe bullizimet, jo vetëm me opozitën, por edhe me antarët e partisë së tij. Të gjithë e mbajmë mend se si i’u kthye zonjës Nikolla kur ajo e njoftoi se koha për të folur i kishte mbaruar. Shprehjet e përdorura më së shumti nga Rama janë “kush të tha ty?! ku i gjete ti këto fakte?! boll tani se le nam! Edhe pastaj?! Mua nuk më komplekson njeri!”.

Vërtet që Ramën nuk e komplekson njeri, përveç Vuçiçit. Por edhe Albin Kurtit, por këtë të fundit ai nuk e honeps dot, ndërkohë që për të parin bën çdo gjë. I kompleksuar nga Vuçiçi ngaqë është serb [tashmë njihet përulësina e kryeministrit tonë ndaj “kulturës” dhe “politikës” serbe], i kompleksuar nga Kurti ngaqë është Shqiptar [me “Sh” të madhe].

Sot në Parlament u përpoqën të “diskutonin” për vonesat e rindërtimeve nga dëmtimet që shkaktoi tërmeti. Përfunduan duke u marrë me dhëmbët e Bashës dhe flokët e tij.

U përpoqën të “diskutonin” për rrugë të papërfunduara, por u morën me cilësitë fizike dhe të karakterit të secilit.

Rama e quajti debat. Po ashtu edhe Basha. Unë e quaj tallje nga karrigia e rehatëshme e Republikës ku i uli zgjedhësi pa zgjidhje.

Asnjëri prej të dyve, se deputetët jo e jo, nuk tha se populli shqiptar ka nevojë urgjente për seriozitet dhe punë, se asgjë nuk është mirë, përveç tyre dhe miqëve që kanë rehatuar.

Të vlerësuarit e vetes duhet bërë nga lartësia e pozicionin që ka deputeti. Dallimi mes personit dhe rolit, e pastaj përkimit të të dyve, kjo do e bënte dallimin për këtë shoqëri.

E përsa i takon vetëvlerësimit që populli duhet t’i bëjë vetvetes, do të ishte mirë të vinte sa më parë koha kur imazhi i popullit-votues të mos ndërtohej duke u fshehur më mbas figurave hipokrite dhe mizogjene si Rama dhe Basha.  

Që këta banorë të përkohshëm të parlamentit të mos vrasin pozicionin dhe rolin e parlamentarit, duhet që më së pari qytetari të mos vrasë rolin e tij, e as ta lejojë që populli politik të shndërrohet në thjesht popullatë.

© Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *