Parlamenti i Kosovës ratifikon marrëveshjen për energjinë me MCC-në
Me 89 vota pro deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ratifikuar të enjten marrëveshjen që një ditë më parë Qeveria e nënshkroi me Korporatën Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC) në Kongresin Amerikan.
Marrëveshja në vlerë të përgjithshme prej 236.7 milionë dollarësh, përqendrohet në projekte të energjisë.
Granti pesëvjeçar parasheh 202 milionë dollarë mjete direkte nga Qeveria amerikane, ndërsa pjesa tjetër e investimeve do të mbulohet nga Qeveria e Kosovës. Projekti më i rëndësishëm pritet të jetë ai i ruajtjes së energjisë. Përmes këtij projekti, Kosova do të ketë rezerva të energjisë përmes baterive të kapacitetit të lartë prej 170 megavatësh. Këto bateri do të mundësojnë sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë. Përmes baterive synohet të reduktohet nevoja për importin e energjisë, derisa çmimet e importit tashmë janë rritur.
Rruga Press