Parlamenti Evropian miraton raportin e Komisionit për Kosovën
Parlamenti Evropian ka miratuar të mërkurën raportin e Komisionit Evropian për Kosovën, për vitin e kaluar. Në këtë raport mirëpritet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Aty u bëhet thirrje shteteve anëtare të BE-së që s’e kanë njohur ende Kosovën, që ta bëjnë këtë pa vonesë të mëtejshme dhe ta hapin rrugën e Kosovës në përparimin evropian.
Një ditë më parë, eurodeputetët debatuan për zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi. Parlamenti Evropian ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia ta kenë prioritet dialogun për të përparuar në rrugën evropiane.
Raportuesja për Kosovën Viola von Cramon, e cila e ka përpiluar tekstin e propozuar, është shprehur e kënaqur për përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave.
“Që nga viti 2019 unë përpiloja raporte për Kosovën duke shprehur vazhdimisht shpresën se do të sigurohet lëvizja e lirë. Tani mund të them se Evropa më në fund i hapi dyert edhe për Kosovën”, ka thënë ajo gjatë debatit.
Të mërkurën është miratuar edhe rezoluta për Serbinë. Aty është shprehur keqardhje për mospërshtatjen e qëndrimeve të këtij vendi në politikën e jashtme të BE-së, sidomos sa i përket sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë.
Rezolutat e Parlamentit Evropian nuk janë obliguese për vendet anëtare.
Rruga Press