Paralajmërohet ndalimi i të gjitha aktivitete ilegale sportive në veri të Kosovës
Zhvillimi i disa aktiviteteve ilegale sportive brenda territorit të Kosovës, përkatësisht në pjesën veriore të vendit, ka qenë temë diskutimi në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive.
Drejtuesit e federatave kryesore sportive në vend, në praninë edhe të zëvendësministres së sportit, Daulina Osmani, janë pajtuar që të ketë një angazhim shtesë nga ana e tyre për të provuar inkorporimin e klubeve dhe organizatave sportive të kësaj pjesë brenda federatave të sporteve të Kosovës.
Në lidhje me këto zhvillime, për KosovaPress ka folur zëvendësministrja e sportit Daulina Osmani e cila ka thënë se vazhdon të ketë struktura paralele që zhvillojnë aktivitete brenda territorit të Kosovës dhe se po punohet për ta gjetur një zgjidhje për këtë problematikë.
“Përkundër herave të tjera, kemi qenë prezent bashkarisht edhe me federatat e sporteve kolektive në Kosovë, federata e basketbollit, futbollit, hendbollit dhe volejbollit si sporte në të cilat e dimë që tani e disa vite në Kosovë ka struktura paralele që zhvillojnë aktivitete mos të them të përhershme por kohë pas kohe, çofshin ato të ligave sportive në Serbi ose çofshin edhe aktivitete të brendshme[…]Janë marrë disa vendime që ta rrisim edhe më tepër përkushtimin tonë për ta bërë një zgjidhje në këtë drejtim. Qasja jonë vazhdimisht ka qenë që të integrohen klubet e komunitetit serb në federatat tona nacionale. Kemi kërkuar prej federatave që të iu bëhet ftesë klubeve ekzistuese të komunitetit serb të integrohen ne federatat tona”, tha Osmani.
Që ka klube të cilat tentojnë të zhvillojnë aktivitete në kuadër të ligave të Serbisë në territorin e Kosovës, e thotë edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. Ai për KosovaPress ka thënë se kanë bërë kërkesë në UEFA dhe FIFA, e po ashtu edhe te federata serbe, që dukuri të tilla të mos ndodhin.
“Ka disa klube të cilat tentojnë të bëjnë aktivitet ilegal në kuptimin e Republikës së Kosovës. E quaj ilegal për vet faktin që ata mundohen ta zhvillojnë një garë në kuadër të Ligave të Serbisë. Por gjithsesi ne jemi ata të cilët kemi kontaktuar me ta, kemi bërë kërkesë në UEFA, kërkesë në FIFA që po bëhet një ilegalitet nga komuniteti serb dhe po ashtu nëpërmjet UEFA-së edhe te federata serbe që mos të ndodhë kjo dukuri. Realisht ajo është ngjarje që bëhet më shumë në letër, pompoze se sa që zhvillohen të gjitha ato aktivitete reale”, tha Ademi.
Ademi për KosovaPress tregon raste konkrete se si Serbia bën presion të madh ndaj ekipeve dhe lojtarëve që shprehin interesim të zhvillojnë aktivitete dhe gara në kuadër të federatave të Kosovës, duke i kërcënuar ata në forma të ndryshme, si dhe duke i urdhëruar që të mos bëhen pjesë e organizatave sportive në Kosovë.
“Rast të tillë kemi pasur me një klub të futbollit të femrave në Graçanicë me të cilin kemi negociuar me ta dhe e kemi përkrahur paraprakisht në organizim, madje kemi zhvilluar edhe ndeshje miqësore. Në momentin që ata e kanë paraqitur kërkesën për pranim në federatën e futbollit dhe për të marr pjesë në gara ka ardhur një urdhër nga Serbia që nuk mund ta bëjnë dhe faktikisht ata janë ndalur nga aktiviteti duke na shpjeguar gjithçka për rastin…Madje kemi pasur raste fatkeqësisht edhe individuale. Kemi pasur një rast. Një futbollist në Flamurtar, jashtëzakonisht një futbollist i talentuar, i kategorive të reja dhe me t’u kyçur në klubin futbollistik Flamurtari të Prishtinës ka pasur jashtëzakonisht probleme të mëdha, presione të mëdha nga organet e Serbisë që duhet automatikisht të tërhiqet dhe nëse nuk tërhiqet sanksionet e tij janë me përjashtime nga puna të familjarëve të tij”, tha Ademi.
Gatishmëri për të punuar në këtë drejtim, me qëllim që të integrohen këto klube dhe organizata ilegale në ombrellën e federatave sportive të Kosovës, ka shprehur edhe kryetari i Federatës së Basketbollit, Arben Fetahu. Ai ka thënë se duhet marrë të gjitha masat që këto klube të zhvillojnë aktivitete në pajtueshmëri të plotë me ligjet dhe aktet normative të zbatueshme në Kosovë.
“Ajo çfarë është diskutuar atë ditë nuk ka qenë as hera e parë as e vetmja që është diskutuar kjo çështje, ka qene zhvillimi i veprimtarisë ilegale të klubeve sportive dhe organizatave sportive të Republikës së Serbisë ne territorin e Kosovës. Kemi diskutuar për një qasje uniforme të cilën duhet ta kemi të gjitha federatat për integrimin e çfarëdo organizate sportive që e zhvillon veprimtarinë e vetë nëpër këto vise, nuk është vetëm veriu i Kosovës por të gjitha viset me shumicë serbe, për integrimin e tyre brenda ombrellave të federatave tona, për të siguruar pajtueshmërinë e tyre me ligjet dhe me aktet normative të cilat janë të zbatueshme në Kosovë për fushën e sportit”, tha Fetahu.
I pari i FBK-së bën të ditur për KosovaPress, se momentalisht nuk ka asnjë klub të basketbollit që është i anëtarësuar në këtë federatë, derisa ka shtuar se institucioni që ai drejton është i gatshëm edhe t’i subvencionojë klubet nga ajo pjesë e territorit të Kosovës për t’i zhvilluar aktivitete e tyre.
“Federata e Basketbollit të Kosovës ka bërë gjithmonë përpjekje për të qenë pranë të gjitha komuniteteve të Kosovës…Ne i kemi përgatitur letrat për të gjithë kryetarët e komunave, po presim edhe emërimin e drejtorëve për kulturë, rini dhe sport dhe letrat janë duke shkuar në emrin tim personal, unë personalisht po iu drejtohem dhe po iu them se nëse keni ndonjë aktivitet sportiv të basketbollit në komunën tuaj ne me shumë gatishmëri do t’i presim ato në gjiron tonë madje duke garantuar edhe subvencionim të aktiviteteve të tyre…Për momentin nuk ka të tillë, ka qenë klubi “Bambi” i cili ka qenë pjesëmarrës në garat e Superligës së Kosovës për një periudhë kohore disa vjeçare, nëse nuk gaboj tre apo katër sezone ka marr pjesë në gara, por për momentin nuk kemi një organizim të tillë.”, ka thënë i pari i FBK-së.
Por, nëse edhe këto përpjekje të Ministrisë së Sportit dhe federatave sportive nuk japin rezultatet e kërkuara, atëherë do të aplikohen masat ndëshkuese ndaj çdo aktiviteti ilegal sportiv brenda Kosovës. Zëvendësministrja Osmani thotë se nëse ka rezistencë nga ana e këtyre grupeve për të zhvilluar aktivitete jashtë kornizave ligjore sportive të Kosovës, atëherë do të obligohen që të zbatojnë në plotësi ligjin e sportit në Kosovë.
“Jo, momentalisht jo. Në të kaluarën, klubi i Mitrovicës së Veriut ka qenë anëtar në Federatën e Basketbollit të Kosovës mirëpo ndër vite pastaj edhe janë tërhequr. Kështu që ka qenë një periudhë kur ka pasur bashkëpunim të këtij lloji dhe ne po mundohemi t’i ftojmë prapë t’i integrojmë…Ne fillimisht, qëllimi është që t’i integrojmë, nëse arrijmë në një pikë ku shohim rezistencë të jashtëzakonshme të palës tjetër atëherë normalisht që obligohemi që ta implementojmë ligjin e sportit në Kosovë ku parashihet që të vetmen të drejtë për organizim të garave sportive e kanë federatat sportive të cilat janë të licensuara në Ministrinë e Rinisë dhe Sportit.”, tha Osmani.
Moslejimin e zhvillimit të këtyre aktiviteteve ilegale sportive e ka kërkuar fuqishëm edhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi, i cili ka thënë se këtë do ta bëjnë së bashku edhe me Policinë e Kosovës.
“Çdo herë kur ne e kuptojmë që po dëshiron të zhvillohet një aktivitet ne automatikisht bashkëpunojmë me organet e policisë sonë dhe me policinë kufitare që të mos lejohen të tillë të vijnë të organizuar të futen në territorin e Republikës së Kosovës për të zhvilluar aktivitete sportive ilegale.”, theksoi Ademi.
Thirrje për aplikimin e plotë të ligjit të sportit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ka bërë edhe Arben Fetahu, si kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Rruga Press