Bota

Paralajmërimi i Zelenskyt për luftë në Ballkan, reagon SHBA

Departamenti amerikan i Shtetit thotë se lufta e Rusisë kundër Ukrainës nënvizon urgjencën dhe rëndësinë e punës së Shteteve të Bashkuara “për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të arrijnë aspiratat e tyre për integrimin evropian dhe anëtarësimin në institucionet euro-atlantike”.

Departamenti i Shtetit ka komentuar për Zërin e Amerikës  deklaratën e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy “se ka informacione që Rusia mund të përpiqet të nxisë një konflikt në Ballkanin Perëndimor”.

“Ne jemi të përkushtuar të punojmë me vendet e Ballkanit Perëndimor, partnerët tanë evropianë dhe komunitetin ndërkombëtar për të çuar përpara reformat në qeverisje, në sundimin e ligjit, ato zgjedhore dhe në luftën kundër korrupsionit, që do të pakësonin shanset për ndikimin keqdashës rus dhe do të sillnin paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe mirëqenie për rajonin”, thotë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.

Lexo më shumë  Nuk munguan as goditjet – detaje dhe pamje rreth përplasjes fizike mes deputetëve në Parlamentin e Serbisë

Ai shtoi se sanksionet e shpallura nga Departamenti i Shtetit dhe i Thesarit javën e kaluar kishin për qëllim pikërisht këtë problem, kryqëzimin midis ndikimit keqdashës rus dhe korrupsionit.

Zëdhënësi i referohet shpalljes nga qeveria amerikane të politikanëve serbë si persona të padëshiruar dhe vendosjes së sanksioneve ndaj 12 entiteteve në Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, aktiviteti i të cilëve lidhet me ndikimin keqdashës rus në rajon dhe korrupsionin.

“Të dyja pengojnë përpjekjet e rajonit për të përparuar drejt anëtarësimit në BE dhe një të ardhmeje më të begatë. Për vendet e Ballkanit Perëndimor, ashtu si edhe për të gjitha vendet në Evropë, është i rëndësishëm rezultati i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, e cila kërcënon themelet e rendit dhe sigurisë ndërkombëtare. Kjo është arsyeja pse është kritike që ne të vazhdojmë të qëndrojmë së bashku përballë agresionit të Rusisë”, tha ai.

Lexo më shumë  Le Monde: Franca dhe Britania nuk përjashtojnë drejtimin e një koalicioni në Ukrainë. Dërgimi i ushtarëve evropianë po diskutohet

Pas komentit të presidentit Zelenskyy, zëdhënësi i BE-së Peter Stano tha se ndikimi keqdashës rus në territorin e Ballkanit Perëndimor, nuk është shqetësim i ri.

“Rusia po bën gjithçka që mundet për të mbjellë pakënaqësi, paqendrueshmëri politike, po ndërhyn nga jashtë, po keqinformon. Dhe kjo është arsyeja pse ne po rrisim në fakt bashkëpunimin dhe ndihmën tonë për partnerët tanë në Ballkanin Perëndimor kur bëhet fjalë për forcimin e kapaciteteve dhe aftësive të tyre për t’u përballur me këtë formë të kërcënimeve dhe ndërhyrjet nga jashtë”, tha zoti Stano.

Rruga Press

YouTube player