Paralajmërimi i NATO-s për rritjen ushtarake të Rusisë në kufi me Ukrainën
Kreu i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka kërkuar Rusisë që të jetë transparente në lidhje me planet e saj ushtarake pas rritjes së numrit të trupave në kufirin e saj me Ukrainën.
Stoltenberg tha se grumbullimi “i madh dhe i pazakontë” i forcave ruse ishte vërejtur në kufi gjatë javëve të fundit.
Ai foli mes spekulimeve se Rusia mund të planifikojë ta pushtojë Ukrainën.
Moska i ka hedhur poshtë këto frikësime, duke i konsideruar si “alarmuese” dhe është ankuar për rritjen e aktiviteteve të NATO-s në rajon.
Duke folur pas bisedimeve me ministrin e Jashtëm të Ukrainës në Bruksel, Stoltenberg tha se gjëja e rëndësishme ishte të ndalonte tensionet që të dilnin jashtë kontrollit. Ai paralajmëroi Rusinë kundër ndërmarrjes së çdo “veprimi agresiv”.
“Ne shohim një përqendrim të pazakontë të trupave dhe ne e dimë se Rusia ka qenë e gatshme të përdorë këto lloje të aftësive ushtarake më parë për të kryer veprime agresive kundër Ukrainës”, tha ai.
Një pjesë e madhe e forcës ruse është në Krime, gadishulli të cilin Rusia e aneksoi nga Ukraina në mars të vitit 2014. Trupat po grumbullohen gjithashtu pranë rajonit lindor të Ukrainës Donbas.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy , tha javën e kaluar se kishte rreth 100,000 ushtarë rusë pranë kufirit të Ukrainës.
Rruga Press