“Pamundësia afatmesme e një rendi të ri botëror sino-rus”
Nga Sebastian Zonja
Për herë të parë që nga nisja e luftës në Ukrainë, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov ka bërë një deklaratë, tezë e cila ka kohë që qarkullon në mendime analistësh dhe konspiracionistësh, por kurrë me parë në ligjërimin e një zyrtari kaq të lartë.
Situata aktuale është “epokale”, ka një “betejë” se si do të jetë rendi botëror, tha shefi i diplomacisë ruse.
“Ky është një moment epokal në historinë moderne, sepse pasqyron ‘betejën’, në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale, se si do të duket rendi botëror”, – tha ai për median ruse “RBC”.
Shumëkush ka argumentuar se kjo luftë është një betejë kundër globalizmit amerikan, por vlen të theksohet se bota ka qenë gjithnjë globale, që në krye të herës, pasi çdo perandori mëton të jetë botërore. Përball Perëndimit ka një globalizëm tjetër, ose mund ta quajmë edhe imperializëm, që është ai sino-rus. Edhe vetë brenda kësaj përballjeje, ka një aneks që trajtohet paksa rrallë që është përballja qytetërimore e abrahamikëve me joabrahamikët. Por kjo është tezë tjetër, ndaj le të merremi me deklaratën e Lavrovit për një rend të ri botëror.
Fuqia e një hegjemoni global ka tre komponentë:
- Fuqinë ushtarake
- Fuqinë industriale dhe teknologjike
- Formatimi i institucioneve ndërkombëtare
Në të treja rastet vlen të theksojmë se kjo fuqi qendron në kahun Perëndimor. E kishte Kina në shekullin e XII, Britania shekujt e fundit, tani Amerika.
Vetë Kina, sot një gjigant ushtarak, teknologjik dhe që po formaton një ideologji të re politike, nuk mëton që të marrë kryesimin e rendit botëror. Ajo është e fokusuar te rritja ekonomike e vendit dhe fuqia rajonale. Të bartësh peshën e një hegjemonie globale kërkon investime shumë të mëdha në ushtri dhe teknologji.
Rusia nuk e aftësinë që të themelojë një rend të ri ndërkombëtar, sepse nuk ka asnjë prej komponentëve. Madje, edhe putinizmi nuk është sistem i ri politiko-ekonomik, është thjesht hibrid i diktaturave. Ngjashëm me mbrojtësit e tij në Shqipëri që ndahen në dy grupe të mëdha – nostalgjikë të diktaturës dhe ekstremistë fetarë.
Kina nuk ka “sy për Qabe” për një rend të ri ndërkombëtar, jo se nuk mundet, pasi i ka komponentët, por nuk ka këllqet për ta mbatjur dhe organizuar.
Ajo që mbetet është një Perde e Hekurt ideologjike, si gjatë periudhës së Murit të Berlinit; ose Rrënimi, pak nga pak, ku të munden, i këtij rendi që kemi. Ajo që vjen me këtë rrënim, që trumpetohet zëshëm nga disa, është një botë ku më shumë se sovranietet, mbizotëron frika. Sepse, fundja, këtë tregon pushtimi i Ukrainës – unë jam më i fortë, unë të pushtoj!
Ky është rendi i ri që mëtojnë dhe lavdërojnë shumë. Nëse liberalizmi ka probleme, kjo s’do të thotë se zgjidhja është autokracia.
Rruga Press