Paketimi i armëve në Shqipëri dhe shitja e tyre në tregje të tjera, duke përdorur kompanitë KAYO dhe TIMAK – Mark Rutte, ose bën “të paditurin”, ose është “pjesë e lojës”
Nga Eva Idrizllari
Lidhja mes Mark Rutte dhe Edi Ramës duket se është më shumë sesa një marrëdhënie e zakonshme diplomatike. Ka një miqësi “personale” shumëvjeçare, por edhe “interesa” të përbashkëta.
Sipas një investigimi gazetaresk të medias holandeze Brusselse Nieuwe, një nga përplasjet e para mes tyre ndodhi në vitin 2018, në një samit të BE-së në Sofje të Bullgarisë.
Në atë kohë:
Rutte, si kryeministër i Holandës kishte kritikuar Shqipërinë për korrupsionin.
Rama e takoi rastësisht në hollin e hotelit dhe e konfrontoi drejtpërdrejt për deklaratat e tij.
Nga kjo përplasje filloi gradualisht një marrëdhënie e afërt.
Rutte e “gëlltiti” korrupsionin e kryeministrit Rama me një “gotë verë”. Ndofta, Rama “e dehu” me premtime marrëveshjesh të leverdisshme.
Në vitin 2022, ai e quajti Ramën publikisht: “Miku im i madh, prej shumë vitesh”.
Madje, më 4 korrik 2022, Rutte e priti Ramën në Hagë për ditëlindjen e tij të 58-të.
I korruptuari në deklaratat e kryeministrit holandez, papritmas, u transformua në mikun “personal” të kritikut të tij.
Gjatë kësaj periudhe dy “miqtë” Rutte dhe Rama bisedonin për investimet holandeze në Shqipëri, projektet e porteve dhe aeroportit. Për ironi të deklaratave të shkuara për korrupsionin, diskutonin edhe për bashkëpunimin në reformën e drejtësisë, dhe integrimin Europian të Shqipërisë.
Dhe siç thotë një shprehje shqiptare: “Të shkuara, të harruara”.
Edhe Rutte e harroi korrupsionin e qeverisë Rama.
Në shtator 2025, në postin e Sekretarit të Përgjithshëm te NATO-s, Rutte jo vetëm vlerësoi kontributin e qeverisë shqiptare (që dikur e kishte akuzuar), por në atë takim ai e quajti Ramën edhe mik “personal” të afërt.
NATO nga aleancë ushtarake, u kthye në “grup shokësh në WhatsApp”. Dhe kur interesat private prevalojnë mbi ato shtetërore diplomacia turbullohet.
Më 3 nëntor 2026, Rutte e priti përsëri Ramën në selinë e NATO-s në Bruksel.
Sekretari i Përgjithshëm, duke shijuar kafenë me mikun e tij “personal”, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në sektorin e mbrojtjes dhe përmbushjen e detyrimeve si anëtare e NATO-s.
Më falni për të qeshurën.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, nuk qenka në dijeni për audiopërgjimet që implikojnë kryeministrin e Shqipërisë në aferën me biznesmenin Izraelit Ron Yeffet për tregti ndërkombëtare armësh, duke përdorur si mbulesë SHBA-në për t’i mbyllur gojën?!
Miku i Rutte, Rama, kishte krijuar grupin për të bërë gjithë punët e pista në sektorin e mbrojtjes:
Blerjen dhe shitjen e armëve me Sudanin, në bashkëpunim me biznesmenë Ukrainas.
Mundësinë e hapjes së një linje prodhimi në Sudan.
Paketimin e armëve në Shqipëri dhe shitjen e tyre në tregje të tjera, duke përdorur kompanitë KAYO dhe TIMAK.
Ndërkohë Drejtësia ka nisur hetimet për këtë aferë kriminale. Janë sekuestruar dokumente, kompjutera dhe telefona të personave të përfshirë.
Mark Rutte, ose bën “të paditurin”, ose është “pjesë e lojës”.
Qëndrimi i tij duke anashkaluar një skandal që prek drejtpërdrejt industrinë e mbrojtjes, kontratat ushtarake dhe strukturat e NATO-s, dëshmon se po mbron mikun e tij “personal”, Ramën, nga përgjegjësia politike.
Mark Rutte, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, ka përgjegjësinë institucionale të kërkojë transparencë dhe llogaridhënie të plotë.
Rutte nuk mund të sillet sikur kjo çështje nuk ekziston.
Kur në lojë janë kontratat e mbrojtjes, interesat e NATO-s dhe dyshimet për korrupsion, heshtja e një Sekretari të Përgjithshëm nuk është një detaj pa rëndësi.
Rruga Press

