Editorial

Pacifizmi, një kahje e luftës

Shkruan Erald Korra

Lufta në Ukrainë po ngjan gjithmonë e më shumë si luftë kundër Perëndimit, ose më mirë ndaj vlerave që ai përfaqëson. Për aq sa kanë mbetur, nuk është se ka shumë për të luftuar në realitet. Çarmatosjet e pandalshme ushtarake dhe morale kanë tretur aq shumë vlerat e përbashkëta ku u rithemelua Evropa si komunitet, sa kufiri me “antivlerat” është gati inekzistent.

I vetëdijshëm për këtë, Putini është fokusuar vetëm tek propaganda brenda kufijve. Për atë jashtë, Putini e di që kontribuon metanarracioni i “antivlerave” të gazetarëve të sponsorizuar nga Russia Today, nga oligarkë të Kremlinit, analistët gjasme të pavarur me honorificenza akademike ruse. Më bujarët ndër tyre janë grupimi i “pacifistëve”. Sikur mos mjaftonte reshtimi i njëjtë për temat si konflikti Izrelo-Palestinez, Brexit, no-Euro, no-Vax, ku populizmi ekstremist i majtë me atë të djathtë përputhet aq sa shpesh marshon nën një flamur partiak, avazin e ndjekin dhe e përforcojnë më tej “pacifistët”. Këta, me prejardhje zakonisht nga e majta, sot është e vështirë t’i dallosh nga retorika sovraniste e së djathtës ekstreme. Aq sa njëri është stafeta e tjetrit në kronikën e zezë të përditshme të luftës.

Ngase populisti i djathtë, i pafuqishëm ta përmbysë realitetin me anti-rrëfim, i kompromentuar nga valvitja e bluzave me portretin e Putinit aty-këtu, ndiqet në rrugën e tij me efikasitet nga pacifisti i së “mirëmenduarës” majtiste, që prej 68-ës siç duket nuk i ka mbetur tjetër vlerë përveç antiamerikanizmit. Të mos keqkuptohemi. Po flasim për ata që brohorasin prej dekadash se “lufta nuk ndalohet me luftë”. Me ndërgjegje apo jo, ata analizojnë vetëm për hir të së “vërtetës” që me mjeshtëri e shkëpusin nga realiteti, dhe propagandojnë se “duhet mund real nga perëndimi për zgjidhjen politike të konfliktit”. Dhe, po aty, në çast sapo kanë krijuar premisat që të mbizotërojë real-politika. Domethënë… Putini.

Shkurt, gjërat mbeten pezull si me 25 shkurt, një ditë mbas pushtimit.

Aleanca perverse që rishtazi bashkon komunistët dhe fashistët në llogoret e Donbasit me filo-rusët, ripërtërihet edhe në studiot televizive nacionale nëpër Evropë. Atje luftojnë me të njëjtën uniformë, këtu me të njëjtat fjalë. Ndonëse Putini me fjalët “operacion special” manipulon rusët, pacifistët luajnë me to. Pacifistët luajnë me lodrat foljore të Putinit. Fjalët i plaçkitin, i pompojnë, i mënjanojnë ose i keqinterpretojnë sipas oportunizmit.

Kryevepra filologjike e pacifistëve është zëvëndësimi i kuptimit të një “gjendjeje normaliteti raportesh me mosprani konflikti midis subjektesh”, që çdo fjalor e përmbledh me domethënien e fjalës paqe, me lartësimin e saj si vlerë. Përkundrazi relativizojnë si anti-vlerë dëshirën dhe vullnetin për ta mbrojtur paqen. Fjalori ligjërues pacifist anashkalon me kujdes fjalët liri, rezistencë, angazhim, mobilizim, demokraci, ose vetëvendosje. Kuptimi do të ndeshej tok me zotimin e vlerave kundër nazi-fashizmit të përvetësuara nga gjeneratat që u rritën nën dëshminë dhe shembullin e rezistencës partizane në Evropë.

Të shkakton habi se me sa zemërgjerësi cinizmi intelektual stigmatizon agresorin, dhe me sa kërnacëri pakëson veprimtarinë çlirimtare të atij që është sulmuar, i cili sipas tyre, nëse nuk është totalisht i pambrojtur, atëhere nuk është edhe kaq i dobët sa kërkon të shitet.

Rituali i paturpësisë për kë e ka përjetuar, kujton retorikën anti-NATO, edhe ajo natyrisht e konsideruar nga pacifistët si agresore, para ndërhyrjes kundër gjenocidit në Kosovë. Piedestali moral, nga i cili e reduktojnë luftën, trillon argumente: “NATO nuk ishte e nevojshme të zgjerohej me anëtarsimet e reja deri në prag të Rusisë, natyrisht që kjo do reagonte”, “Ukraina nuk lufton për liri kundër Rusisë, por për prokurë të Shteteve të Bashkuara”. Zelensky? Një djalosh. Edhe ai ka faj. Në vend që të pranonte kërkesat mesjetare si shtet vasal i Putinit, u manipulua nga Bideni dhe Stoltenberg. Pastaj, tek e fundit, edhe ai vetë është oligark. Dhe meqë ai përfaqëson Ukraninën si president në detyrë, atëherë edhe ukrainasit vetë nuk janë kaq të pafajshëm. Batalioni Azov filo-nazist nuk është një thashethem, edhe ai ka mëkate dhe viktima në ndërgjegje.

Lexo më shumë  Amandamenti V pika 1:

Edhe një herë, ndodhemi në prani të një tjetër arritjeje djallëzore të pacifistëve. Dehumanizimi dhe dekontekstualizimi i dhunës ndaj viktimës, tiparet negative mohuese të antirrëfimit mënjanojnë me kujdes, porsi mediat e kontrolluara nga Kremlini, të përditshmen rrënqethëse që dëshmojnë gazetarët e pavarur nga fronti. Gratë e përdhunuara, fëmijët e vrarë, varret masive, shtëpitë, fshatrat dhe qytetet që nuk ekzistojnë më nga bombardimet, nuk kanë hapësirë në këtë storytelling pacifist. Për të vërtetën e tyre, ka hapësirë mjaftueshëm tek e “vërteta zyrtare” që “Perëndimi shfaq për të justifikuar shpenzimet marramendëse që ushqejnë konfliktin, madje duke shkelur shpeshherë edhe kushtetutat kombëtare”.

Hapi i mëtejshëm vjen vetvetiu: viktimat reduktohen në numra dhe në turma. Dhe meqë nuk ka të pafajshëm, por vetëm viktima, ato janë gjithandej. Në Ukrainë, në Rusi. Madje edhe në Evropën “pacifiste vetëm me fjalë”, ngaqë kjo do t’ia faturojë barrën fiskale të armatimeve “për Zelenskin” taksapaguesve të saj më të brishtë. Këtu, metanarracioni i huazuar nga repertori më virtuoz i retorikës sovraniste, për të turbulluar turmat me evokimin e “frikës”, detyron pacifistët të luajnë përveç fjalëve edhe me numrat. Krahasimi vjen rrjedhimisht me “teknokratët e Brukselit”, armiqtë e preferuar të së majtës anti-establishment, të përbuzur nga dy dekada për “cinizmin e ftohtësinë e llogaritarëve të pashpirtë”. Hipokrizia vazhdon akoma më e neveritshme kur listojnë shifra, numra, shuma për ndihma sociale, për të deklaruar se Qeveritë përkatëse do t’i realizonin premtimet elektorale po të mirëpërdornin “fondet e luftës” për familjet në nevojë që mezi mbyllin fundin e muajit, të cfilitura nga dy vjet bashkëjetese me Covidin.

Më të dobëtit relativizohen edhe një herë të dytë. Milionat refugjatë ukrainas u përditësuan si statistikë që i shtohet atyre që me vite vijnë nga Afrika dhe Azia. Populizmi gjen befas tek pacifistët e së majtës alternative nënkontraktorët më të devotshëm të frikës. Pacifistët e proletarzojnë atë duke tejkaluar kufijtë kombëtarë. Inxhinierizimi intelektual i pacifistëve të majtë, me virtuozitet dhe pabesi, e përzien viktimizimin e të refugjatëve të luftës me ata të varfërisë. Frika që propagandon e djathta ka si përdorues final vulgun vendas, i mbyllur me kufij nacionalë ndaj Tjetrit.

Tjetri është refugjati afrikan, azatik, arab i konsideruar si i varfër, i vuajtur por jo viktimë. Kurse, pasiguria që përcjellin tek opinioni publik pacifistët, jepet edhe më apokaliptike. Pasiguria ka konotatet e ndërkombëtarizuar të pandemisë. Të varfërit dhe të vuajturit janë të gjithë viktima pa dallim, kush më pak e kush më shumë, ato nuk kanë kufi me tyre. Frika është lënda përbërëse e fashizmit intelektual, i reduktuar në formë epidemie sovraniste “italiane, franceze, holandeze, etj.”, dhe e maksimalizuar në rang pandemie për “pacifistët” “open arms” (krahë hapur). Viktima nuk ka më as racë, as është e lokalizuar, as nuk ka më ngjyrë, biles edhe ti vetë mund të jesh viktimë e loby-ve, multinacionaleve, e globalizimit. Pikërisht si në vazhdën më të suksesshme të mashtrimit mediatik me fake-news dhe gjysmë të vërtetash të Brexitit, suprematizmit Trumpian, ose të Covidit.

Lexo më shumë  Amandamenti V pika 1:

Kush nuk është dakort me ta është më së paku naiv, ose më keq, një luftënxitës që “flet me cektësi për luftën sepse është në të ngrohtë aty në kanapenë e shtëpisë së vetë”. Dhe kur i vihet në dukje, se të gjithë vendet demokratike në kufi me Rusinë, të cilat nuk e kanë përjetuar nga televizori shovinizmin rus, kërkojnë të anëtarsohen në NATO, përgjigja është rrufe: ata vende janë të shantazhuar nga Imperializmi Amerikan. Ky është akti fundit hipokrit i pacifistëve, të kuqë, ose më mirë rozë, sepse autostima i bën të ndihen më të sofistikuar nga gjeneralistët no-global.

Fashizmi i kohëve më të tmerrshme të shekullit XX, si Hitleri, Duçja, Millosheviçi, përmbysjen e realitetit e përdornin si prelud të krimeve që ata vetë profetizonin para se t’i vishnin xhelatit uniformën e pushtuesit dhe të përdhunuesit. Fashizmi duhet të bindte bartësin e vet se së pari viktima e vërtetë ishte ai vetë. Pacifistët, opinionin publik e zhveshin nga vlerat morale, thjeshtëzojnë këndvështrimin grabitqar të agresorit, duke e paraqitur të detyruar të veprojë me luftë preventive për t’u mbrojtur. Mos vallë thotë të kundërtën antipropaganda e Putinit? Edhe ai prej hallit po e pushton dhe denazifikon Ukrainën.

Thënë shqip, pacifistët janë siç i do hasmi.

Dhe hasmi e ka idetë e qarta se çfarë do dhe çfarë nuk do.

Hasmi nuk do as pohuesit e vërtetë, si Papa Françesku, që duan ta ruajnë paqen, por dhe njohin të drejtën për vetëmbrojtje, qoftë edhe me armë, të viktimës. Nuk ka as nevojë për tifozllikun e partizanëve nostalgjikë të Leninit.

Ata që i nevojiten më shumë janë alter-egot intelektualë të pretorianëve çeçenë, që dinë të shiten me fjalë, dhe t’i gjenden në krahë nga një pozicion sa më neutral. Kështu rrëfimi i kadirovëve pacifistë nuk do ta kishte të thjeshtë të dallonte si e bardha mbi të zezë, ligjërimin midis vrasësit dhe të asgjësuarit. Ligjërimi diskriminues ndaj viktimës merr formën e atij të ligjërimit racial, dhe nën kore ngjiz suprematizmin sovranist.

Shprehet me të njëjtën formë sepse mendon me të njëjtën suprinë, nga lart-poshtë. Metamorfoza shprehimore tejkalon rastësinë e kombinimit fjalor, merr formën e simulimit moral në sjellje, dhe tradhëton përfundimisht viktimën e vërtetë.

Për të kuptuar sa ngjajnë me ekstremistin e djathtë kur flasin, mjafton një pyetje me dy fjalë.

Po Putini?

Si çdo racist i thekur që në ambient miqësor tavoline në Perëndim i drejtohet një të huaji kur hapet tema e emigracionit, parashtron diskutimin me frazën “Atëherë, unë nuk jam racist, por…”, edhe pacifisti do t’ju përgjigjet “Atëhere, unë e dënoj Putinin, por…”

© Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *