Art & Kulturë

‘PA VEND’ në mesin e 5 filmave më të mirë evropian

“PA VEND” i autorit Samir Karahoda shënon edhe një histori duke u nominuar për Çmimin prestigjioz të Akademisë Evropiane të Filmit, që nderon arritjet më të mëdha në kinematografinë evropiane. Ky është nominimi i parë për një regjisor nga Kosova dhe do të jetë në garë në mesin e 5 filmave të shkurtër evropian.

Rrugëtimi katër mujor që nisi me Premierën Botërore në edicionin e 74-të të Festivalit të Filmit në Kanë, ka vazhduar me prezantimin e ‘PA VEND’ në mbarë botën në festivale prestigjioze të filmit, duke kurorëzuar suksesin me çmimin kryesor për filmin e shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto (TIFF), duke përfshirë edhe katër çmime të tjera në festivale të ndryshme.

Procedura e përzgjedhjes dhe nominimit të filmit të shkurtër organizohet nga Akademia Evropiane e Filmit dhe EFA Productions në bashkëpunim me 25 festivale filmi në të gjithë Evropën. Në secilin prej këtyre festivaleve, një juri e pavarur prezanton një film për kandidaturë në kategorinë e filmit të shkurtër të Çmimeve Evropiane të Filmit. Pas plotësimit të listës së kandidatëve në shtator, festivalet pjesëmarrëse me votim nominojnë pesë filma të shkurtër nga kjo listë.

“PA VEND” do të konkurrojë për filmin më të mirë evropian të shkurtër si kandidat i Festivalit të Filmit të Kanës me të cilin u shpërblye gjatë muajit Korrik në Premierën botërore.

Nga tani deri në fund të nëntorit më shumë se 4,100 anëtarë të Akademisë Evropiane të Filmit do të shikojnë filmat e nominuar, të cilët më pas do të votojnë për fituesit e përgjithshëm, që do të shpallen në Ceremoninë e 34-të të Çmimeve Evropiane të Filmit të shtunën, më 11 dhjetor në Berlin.

Me rastin e nominimit, autori i filmit Samir Karahoda deklaroi “Nominimi në EFA është një ngjarje e jashtëzakonshme për mua si autor dhe gjithë ekipin e filmit. Posaçërisht dua të falënderoj  protagonistët e filmit dhe klubin e ping pongut “Lidhja e Prizrenit” në krye me trajnerin Rifat Rifati të cilët ndanë historinë e tyre të veçantë me neve për të realizuar një vepër të mirëfilltë filmike dhe një tregim autentik. Ky është edhe një moment historik për kinematografinë tonë dhe një dëshmi që edhe nga Kosova mund të bëhen gjëra të mira.”

Rrugëtimi i filmit do të vazhdoj edhe gjatë muajit të nëntorit ku do të jetë pjesë e festivaleve si:  Winterthur, Uppsala, Leeds, Thesaloniki etj., ku publiku do të ketë mundësinë të shohë filmin që bazohet në historinë e vërtetë të klubit më të suksesshëm të ping-pongut në Kosovë atë të “Lidhjes së Prizrenit” nga Prizreni.

Eroll Bilibani, producenti i filmit thekson se nominimi në EFA është një ëndërr për çdo profesionist të filmit në Evropë – “I jam mirënjohës Samirit për këtë mundësi për të punuar së bashku në projektin e dytë, pas suksesit të bashkëpunimit tonë të parë me dokumentarin e shkurtër. ‘Në Mes’. Këtë here procesi i produksionit ishte shumë specifik për shumë arsye. Kjo arritje dhe ky sukses i madh për kinematografinë tonë nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e pakushtëzuar të ekipit të filmit dhe bujarisë e çiltërsisë së ekipit ‘Lidhja e Prizrenit’. Dua ta shfrytëzoj rastin për t’i falënderuar të gjithë ata për bashkëpunimin në realizimin e këtij filmi unik.”

Produksioni i filmit u vonua për shkak të pandemisë globale për të filluar me xhirimet në shtator 2020 deri në mars 2021 kur filmi hyri në fazën e postproduksionit dhe iu besua shkathtësive edituese të Enis Saraçit. Filmi distribuohet nga bashkëpunëtori afatgjatë i ekipit, Radiator IP Sales nga Belgjika.

“Pa Vend” është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Komuna e Prizrenit dhe Prishtinës, Mabetex Group, ARTE, YLE dhe DokuFest.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *