KryesoreLajme

Pa normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, s’ka BE për Serbinë

Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së mbeten sfidat kryesore për Serbinë në rrugën evropiane, deklaroi Emanuele Giaufret, shefi i Delegacionit të BE-së në Serbi, gjatë prezantimit të Raportit të Progresit të Komisionit Evropian.

Ai shtoi se përparimi do të varet nga suksesi në normalizimin e marrëdhënieve Serbi-Kosovë.

“Edhe pse është një pyetje e vështirë, dialogu është i rëndësishëm. Zbatimi i marrëveshjes për rrugën e normalizimit, si dhe i marrëveshjeve të tjera, është shumë i rëndësishëm sepse janë pjesë e rrugës evropiane të Serbisë. Presim që përgjegjësit për dhunën në veri të Kosovës të sillen para drejtësisë”, tha Giaufret, duke shtuar se Serbia duhet të harmonizohet me politikën e jashtme të BE-së, gjë që do të monitorohet gjatë negociatave, raporton RTK.

Lexo më shumë  Pse ka pllakosur zia sot në çdo fytyrë socialisti përpara Ramës: Frikë apo prekja e fundit?

Kryeministri Millosh Vuçeviq e përshkroi Kosovën si çështjen më delikate, duke pranuar se para Serbisë është detyra e harmonizimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Në anën tjetër, opozita pro-evropiane e vlerësoi raportin si konfirmim të stagnimit.

Sipas opozitës, raporti ka treguar humbjen për idenë evropiane në Serbi, e cila po afrohet me vende autokratike si Rusia dhe Kina.

“Nuk ka progres në fushat kyçe si shteti ligjor, demokracia, kushtet elektorale nuk u përmirësuan. Theksimi i elementeve kyçe për afrimin me BE-në, si normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe harmonizimi me politikën e jashtme të BE-së, flet për situatën gjeopolitike. Megjithatë, është e rëndësishme që çfarë lloj vendi jemi ne të jetë sërish në plan të parë”, tha Bilana Gjorgjeviq nga Fronti i Gjelbër-Majtas.

Lexo më shumë  Kurti takohet me presidentin zviceran Guy Parmelin, në fokus bashkëpunimi dhe Marrëveshja EFTA

Ekspertët theksojnë se Kosova dhe qëndrimi ndaj Rusisë janë vendimtare për rrugën evropiane të Serbisë.

“Marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e detyrueshme, edhe pse nuk është nënshkruar zyrtarisht. Komisioni Evropian do të masë progresin duke vlerësuar se secila palë zbaton detyrimet e marrëveshjeve të mëparshme. Gjithashtu, qëndrimi i Serbisë ndaj Rusisë dhe mosrespektimi i sanksioneve të BE-së ndikojnë drejtpërdrejt në shpejtësinë e anëtarësimit”, tha Milosh Pavkoviq nga Qendra për Politika Evropiane.

Organizatat e shoqërisë civile theksuan se Serbia nuk ka shënuar përparim në rrugën drejt BE-së dhe kërkuan nga qeveria t’i sqarojë qytetarët nëse mbetet e përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE.

Rruga Press

YouTube player