Pa marrëveshje për dinarin, Bislimi: Ishte takimi i kotë, Serbia e painteresuar për marrëveshje
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në cilësinë e kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka zhvilluar sot në Bruksel një takim për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt të këtij viti.
I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, u takua ndaras me Petkoviqin dhe Bislimin. Për dallim nga takimet e kaluara, të enjten nuk kishte takim trepalësh mes tyre.
Pas takimit të sotëm, Bislimi në një prononcim për media ka thënë se takimi i sotëm ka ndodhur dy ditë pas vendimit shumë të rëndësishëm në Këshillin e Evropës, vendim ky që manifestoi edhe modelin evropian, por edhe të Kosovës se si duhet të promovohet edhe integrimi i rajonit, por edhe të ndërtohen raportet mes vendeve fqinje.
“Dhe një ditë pas manifestimit të modelit serb të normalizimit dhe integrimit apo zbatimit të marrëveshjeve që u manifestua përmes ekspozimit të një mentaliteti mesjetar të trajtimit të qytetarëve të një vendi fqinj, përmes ndaljes së tyre nëpër pikat kufitare, arrestimit, maltretimit të tyre, dhe në këtë kontekst mbase duhet të shihet dhe qasja e Serbisë në takimin e sotëm”, ka thënë Bislimi para gazetarëve.
Ai tha se pala serbe “edhe në takimin e sotëm në mënyrë perfekte treguan kotësinë dhe pamë mosvërtetësinë e konstatimit të tyre të hershme që kemi një çështje urgjente ku disa qytetarë serb nuk kanë arritur të marrin benefitet e tyre. Njësoj si herët e kaluara ka patur zero interesim nga pala serbe që të merren me këta qytetarë dhe gjithë energjia e tyre është sërish e orientuar drejt licencimit të një subjekti ekonomik të Serbisë në Kosovë, gjë që për ne është e papranueshme dhe këtë e kemi bërë të qartë në vazhdimësi”.
“Takimi i sotëm është dashur të ndodhë vetëm në një frymë konstruktive ku ne është dashur të diskutojmë mbi propozimin e konsoliduar të z. Lajçak, e në vend të saj Serbia ka ardhur me një propozim krejtësisht të ri duke dashur që situatën ta kthejë në pikën fillestare gjë që ne nuk e kemi pranuar natyrisht, dhe në fund Serbia ka pranuar që të kthehet tek ajo pikë ku është dashur të jemi sot, rrjedhimisht që në takimin e ardhshëm të diskutojmë kryekëput dhe ekskluzivisht mbi propozimin e palës evropiane”, tha Bislimi.
Kryenegociatori Bislimi ka thënë se “takimi i sotëm mund të quhet si takim i kotë, i pa rezultat dhe ndoshta si sukses i politikës obstruktive të palës serbe, e cila vetëm ka dëshiruar të blejë kohë në vazhdimësi dhe me çka na konfirmon qëndrimin tonë se në këtë problematikë me të cilën ballafaqohemi me gjasë nuk ka kurrfarë urgjence dhe nuk ka kurrfarë interesimi të palës serbe që brengat e qytetarëve serb të trajtohen”.
I pyetur nga gazetarët nëse takimi i sotëm ka shënuar hap prapa në krahasim me para dy javëve, përse ekziston motivi së paku tek pala kosovare që të vini sërish në një takim tjetër dhe ku është fundi i këtij tregimi, Bislimi ka thënë se “javën e kaluar na është thënë nga z. Lajçak që takimi i kësaj jave do të jetë takimi i fundit, për arsye se ai do të mundësojë takimin vetëm nëse pala serbe tregon qartë se do të vijë për të përmbyllur marrëveshjen sipas principeve dhe propozimit të z. Lajçak”.
“Duke qenë se kjo nuk ka ndodhur, atëherë ne kemi insistuar që takimi të organizohet vetëm nëse palët i dërgojnë propozimet e tyre deri në ditën e hënë dhe nëse z. Lajçak konstaton që propozimet janë në linjë me idetë e tij të distribuara javën e kaluar. Do të thotë, kemi arritur të ndikojmë që takimi i ardhshëm në asnjë mënyrë të mos mund të keqpërdoret nga ana e Serbisë për të shtyrë edhe mëtej vendimmarrjen”, tha ai.
Ndërsa në pyetjen tjetër se sa kanë ndikuar rrethanat e ditës së djeshme në takimin e sotëm, ndonëse nuk ka patur takim të përbashkët, nëse ka qenë edhe kjo një rrethanë rënduese, Bislimi ka thënë se është rrethanë rënduese për procesin.
“Ndërsa për Serbinë ka qenë ndoshta rrethanë lehtësuese ku ata e kanë pas edhe një vendim ku e kanë shpreh mllefin e tyre me faktin që shumica e vendeve evropiane shikojnë nga e ardhmja e jo nga e kaluara”, ka deklaruar Bislimi.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi “bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje”.
“Ne dolëm me një propozim konstruktiv dhe ai propozim u vlerësua nga Brukseli, pra Lajçak, si një bazë shumë e mirë për vazhdimin e bisedimeve”, tha Petkoviq pa shpjeguar se çfarë përmban propozimi i tij.
Lajçak kishte thënë ditë më parë se në takimin e kësaj së enjte synohej gjetja “e një zgjidhjeje të përkohshme” për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.
Më 1 shkurt në Kosovë hyri në fuqi një rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.
Rundi i kaluar i bisedime për këtë çështje mes Bislimit dhe Petkoviqit, nën ndërmjetësimin e BE-së, u zhvillua më 4 prill.
Pas atij takimi, Bislimi deklaroi se palët ende kishin “dallime të mëdha”, ndërkaq Petkoviq tha se Kosova nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për të arritur një marrëveshje për këtë çështje.
Në rundet paraprake të dialogut, kryenegociatorët kanë diskutuar për propozimet e paraqitura nga ta për çështjen e dinarit serb. Bislimi ka deklaruar se propozimi i Kosovës është “konstruktiv”, që sipas tij, mundëson që mbështetja financiare “të shkojë te përdoruesit finalë, por pa u lënduar në asnjë moment rregullorja e BQK-së” dhe legjislacioni i Kosovës. Ndërkaq, Petkoviq e ka cilësuar propozimin serb për dinarin si “të balancuar”, i cili sipas tij ka për bazë “interesat e popullit serb në Kosovë”.
Me rregulloren e BQK-së, euroja është caktuar si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje ka zemëruar Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë.
Komuniteti ndërkombëtar i ka kërkuar Kosovës që të pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re.
Ky takim në Bruksel u mbajt një ditë pasi tensionet mes dy shteteve u rritën sërish, teksa Kosova akuzoi Serbinë se bllokoi në kufijtë e saj me Kroacinë dhe Hungarinë autobusë me udhëtarë nga Kosova dhe ndaloi disa zyrtarë policorë – shqiptarë e serbë – në mesin e të cilëve edhe një zëvendësdrejtor të Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb.
Autoritetet kosovare thonë tha se bllokimi i qytetarëve në territorin serb u bë për shkak të votës pro Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, organizatë ku shteti synon të anëtarësohet.
Rruga Press