Lajme

Osmani: Zgjedhjet e reja të bëhen pa ndërhyrje nga Serbia, të sigurohet pjesëmarrja e serbëve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se kusht për zgjedhje të reja në komunat në veri të vendit duhet të jetë sigurimi i pjesëmarrjes së serbëve lokalë në to.

Në një takim me korrespondentë politikë gjatë qëndrimit të saj në Berlin, Osmani tha se tashmë është kërkuar nga ndërkombëtarët që Serbia të mos ndërhyjë në zgjedhjet e një vendi tjetër.

“Ne kemi kërkuar mbështetjen e partnerëve tanë për t’u siguruar që Serbia të mos ndërhyjë në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet e një vendi tjetër, siç bëri herën e kaluar, dhe që të mos u bëjë presion serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë. Por deri më tani nuk kemi marrë përgjigje”, ka thënë Osmani, transmeton DW.

Tutje, Osmani ka theksuar se Kosova ka propozuar realizimin e një vlerësimi nga ana e KFOR-it dhe EULEX-it për atë se a duhet bërë tërheqja e forcave policore në veri të vendit.

Qeveria e Kosovës është kritikuar nga pala ndërkombëtare për situatën në Kosovë. Madje, i pyetur për qëndrimet e SHBA-së ndaj Kosovës dhe nivelin e ashpërsisë së tyre ndaj saj, Escobar ka lënë përgjegjës Qeverinë e Kosovës për situatën e tanishme. Veprimet e saj, Escobar i cilësoi si “të njëanshme”.

Lexo më shumë  Nisin punimet për ndërtimin e Parkut Industrial në Drenas

Megjithatë, Osmani tha se përgjegjësia për situatën e krijuar mbetet në Serbi.

“Serbët kishin instrumente të ndryshme që mund të ishin përdorur nëse do të donin të kontestonin legjitimitetin e kryetarëve të komunave që u zgjodhën. Por ata nuk përdorën asnjë nga ato mjete kushtetuese demokratike për ta bërë këtë”, tha presidentja, gjersa theksoi se “Mendoj se një nga arsyet kryesore pse kemi këto tensione gjatë gjithë kohës është edhe për shkak të zhgënjimit se si po shkon dialogu”.

Osmani pati kritika edhe për mosreagimin e aleatëve ndërkombëtarë mbi shkeljet e bëra nga ana e Serbisë.

“Ka pasur shkelje të vazhdueshme në këto dy muajt e fundit, që nga 18 marsi, kur u bë marrëveshja, por asnjëherë deri më tani nuk kemi dëgjuar një lloj deklarate nga Bashkimi Evropian duke thënë, po, kjo është një shkelje e marrëveshjeve. Mendoj se kjo po e inkurajon Serbinë që të mos kujdeset për procesin dhe po dëmton besueshmërinë e procesit të dialogut’, ka thënë Osmani.

Kjo e fundit është shprehur shpresëplotë se mosmarrëveshjet aktuale në mes Kosovës, Bashkimit Evropian dhe ShBA-ve, do të tejkalohen.

Lidhur me çështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, Osmani theksoi se duhet patur kujdes që të shmanget çdo lloj modeli që do të ngjante me Republikën Srpska.

Lexo më shumë  Kurti mirëpret në një takim Afrim Gashin, kryetarin e Kuvendit të RMV-së

Siç raporton DW, Osmani ndodhet në Berlin me ftesë të presidentit, Frank Walter Steinmeier, për të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Speciale (17-26.06.2023) për personat me aftësi të veçanta.

Osmani ka takuar edhe persona me rëndësi politike në Gjermani.

Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – kanë hyrë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë kanë kundërshtuar diçka të tillë dhe protestojnë vazhdimisht para ndërtesave komunale prej 29 majit.

Gjithashtu, pak ditë më parë, tre zyrtarë të Policisë së Kosovës janë kidnapuar nga forcat policore serbe. Policia e Kosovës ka publikuar hartat duke treguar se të njëjtit ishin kidnapuar në brendësi të territorit të Kosovës.

Tre policëve të Kosovës, të kidnapuar nga forcat serbe më 14 qershor, iu shqiptua masa e paraburgimit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë lirimin pa kushte të tre policëve të Kosovës të kidnapuar nga forcat serbe, sipas zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Rruga Press

YouTube player

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *