Osmani takon Hovenierin, flasin për dialogun Kosovë-Serbi dhe shtensionimin e situatës në veri
Si jo rrallëherë, dialogu në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë si dhe shtensionimi i situatës në veri ishin temat që u diskutuan në mes Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu dhe ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Hovenier.
Siç njofton Zyra e Presidentes, në takim u diskutua edhe vazhdimi i koordinimit me partnerët ndërkombëtarë.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim të rregullt ambasadorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, me të cilin bisedoi për zhvillimet në vend, me fokus të veçantë në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në takim u diskutua edhe për vazhdimin e bashkërendimit me partnerët, duke e ditur që si institucionet tona ashtu edhe SHBA-të, kanë të njëjtin qëllim për shtensionimin e situatës në veri të vendit”, thuhet në njoftim.
BE-ja i ka paraqitur Kurtit tri kërkesa kryesore: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
Ndërkaq, nga Beogradi është kërkuar që të sigurojë që serbët të marrin pjesë pa kushte në zgjedhjet eventuale lokale.
Kurti ka paraqitur një plan prej pesë pikash, që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja, por për mbajtjen e tyre ai ka thënë se nevojitet shtet ligjor
Kujtojmë se, që nga fundi i majit, tensionet në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.
Kryetarët e rinj u kundërshtuan nga serbët lokalë, të cilët që atëherë po mbajnë protesta të vazhdueshme në tri komunat veriore në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Më 29 maj, ndodhi një përleshje mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Situata mes Kosovës dhe Serbisë është përkeqësuar më shumë edhe më 14 qershor, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë të Kosovës, të cilët u liruan pas 13 ditëve nga Serbia.
Serbia ka thënë se ata “u arrestuan thellë brenda territorit të saj”, por Kosova ka njoftuar se ata ishin duke patrulluar në territorin e Kosovës, pranë vijës kufitare me Serbinë në Leposaviq.
Tashmë, të njëjtit janë liruar nga Serbia.
Nga ana tjetër, zëvëndkryeministri Bislimi ka zhvilluar një takim me emisarin Lajçak, të martën.
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, vendosi që të mos kishte një takim trepalësh në Bruksel
Në disa deklarata pas takimit me Lajçak, Bislimi ka thënë se pala kosovare mbetet e interesuar për një takim të tillë.
“Ka qenë si duket qëndrim i Lajçakut që në këtë moment, takimi trepalësh jo domosdoshmërisht do të kontribuonte në finalizimin e dokumenteve, sepse mendon që ka ende ka nevojë për parakoordinim shtesë para se kjo të ndodhë, madje edhe ka ide që plani i sekuencimit [të Marrëveshjes Bazë] kërkon takim të nivelit të lartë, sipas tij, sepse qartazi kryenegociatorët nuk mund ta përfundojnë këtë proces në mënyrë të suksesshme”, ka deklaruar ai.
Sipas Bislimit, plani i Lajçak, më shumë i kushton vëmendje kërkesave të Serbisë dhe se sipas tij nuk garanton zbatim të plotë të marrëveshjes.
Bislimi ka theksuar se ka qenë evidente në takim nevoja e të punuarit më tutje në konkretizimin e dokumenteve, dokumente këto të cilat sipas tij sigurojnë një zbatim të plotë të marrëveshjes bazike.
Rruga Press